1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria ka përparuar

Anila Shuka8 Nëntor 2006

Raporti i Komisionit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor ka rënë këtë radhë nën hijen e debatit rreth fillimit të negociatave me Turqinë. Prandaj edhe reagimet nga Berlini kanë qenë të rezervuara

https://p.dw.com/p/Aqyo
Fotografi: AP

Nga njëra anë raporti konfirmon perspektivën tashmë të pakthyeshme të vendeve të Ballkanit në Evropë, në anën tjetër megjithë vlerësimet e shënuara në të për secilin vend del në pah se përveç Kroacisë, asnjëri nga shtetet në fjalë nuk mund ta parashikojë që tani datën e hyrjes në BE.

Qeveria gjermane pajtohet me raportin e publikuar të mërkurën në Bruksel nga Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Stefan Bredohl, tha të mërkurën në Berlin, se Gjermania e mbështet perspektivën evropiane të këtyre vendve, por ajo "orientohet në disa kushte që duhen plotësuar, e këtë e kanë në dorë vetë shtetet."

Parlamentari socialdemokrat Josip Juratovic, antar i Komisionit të Bundestagut për BE-në, shprehet i kënaqur me vlerësimet pozitive të raportit për Shqipërinë. Për programin shqip të Deutsche Welle-s ai tha: "Është e gëzueshme që Shqipëria ka bërë disa përparime sa i përket demokracisë dhe implementimit të shtetit juridik si dhe në transparencën e veprimtarisë parlamentare."

Presidenti i Nismës Evropiane për Stabilitet, ESI, Gerald Knaus, i ka konfirmuar gjithashtu përparimet e Shqipërisë në një intervistë me DW-në: "Shqipëria tashmë është stabile, ka rritje ekonomike, ka një numër të madh të rinjsh të shkolluar e me përvojë, një pjesë e mirë e të cilëve po kthehen në vendin e tyre, ajo pra po bëhet më evropiane."

Knaus tha më tej se shpreson që Bashkimi Evropian nuk do të orientohet vetëm tek imazhi i keq i Shqipërisë në të kaluarën dhe do të reagojë më objektivisht ndaj përparimeve të Shqipërisë.

E megjithatë, këto nota pozitive nuk mjaftojnë për t'i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit. Turqia atë e ka marrë që në vitin 1999 dhe ende nuk ka filluar me bisedimet, konstaton Knaus i cili vëren se Shqipëria e sotme është ende shumë pas Turqisë së 1999-es. Knaus megjithatë propozon që vendeve të Ballkanti t'u jepet menjëherë statusi i kandidatit, përderisa atyre u është premtuar antarësimi i plotë: "Me mbylljen e kapitullit të Kosovës të gjithë fqinjët që do të sillen në mënyrë konstruktive: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, të marrin si shpërblim statusin e kandidatit."

Josip Juratoviç në këtë pikë është më i rezervuar: Integrimi në Evropë nuk duhet të jetë me detyrim thotë ai: "Ballkani Perëndimor është pesë e rëndësishme e Evropës parë në aspektin gjeopolitik. E aty nuk duhet të ketë vakuum. Por në anën tjetër, vendet nuk dueht të hyjnë vetvetiu në Evropë ato duhet të bëjnë edhe më shumë për të arritur standardet e kërkuara."