1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria ka bërë progres, por jo aq sa duhet.

15 Tetor 2009

Në Progres-Raportin vjetor të Komisionit Europian Shqipëria inkurajohet të forcojë pavarësinë e gjyqësorit, të eliminojë korrupsionin dhe të ketë më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar.

https://p.dw.com/p/K710
Helmuth Lohan duke prezantuar progres-raportin për ShqipërinëFotografi: DW

Në mënyrë figurative kryetari i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, ambasadori Helmuth Lohan, e quajti “një gjysëm gote plot” ecurinë e Shqipërisë të paraqitur në Progres - Raportin vjetor të Brukselit.

“Tabloja e përgjithshme e marrödhënieve mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë është inkurajuese. Progresi i Shqipërisë ka të bëjë me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit Në raportin e Komisionit Europian ato vlerësohen në përgjithësi në përputhje me standartet ndërkombëtare, njëlloj si në raportin e OSBE/ODIHR-it. Dhe kjo është më mirë se vitet e shkuara, ndonëse ende ka mangësi.” tha Zoti Lohan duke paraqitur dje pasdite në Tiranë këtë raport.

Shqipëria ka plotësuar shumicën e standarteve për liberalizimin e vizave

Flagge Albanien und EU
Flamuri i Shqipërisë dhe i BEFotografi: DW / Aida Cama

Progres raporti vjetor i Komisionit Europian veçon edhe nje fushe tjetër, ku Shqipëria ka shënuar përparim të dukshëm. “Në liberalizimin e vizave Shqipëria ka plotësuar shumicën e standarteve të kërkuara nga BE. Sidomos në regjistrin civil elektronik dhe pasaportat biometrike. Shqipëria ka tani një shans realist për të plotësuar në kohë edhe ato standarte, që kanë mbetur pa u plotësuar, në mënyrë që Komisioni Europian të bëjë një propozim për liberalizimin e vizave aty nga mesi i vitit 2010.” tha Helmuth Lohan.

Me gjithë progresin e bërë Shqipëria mbetet tek përcaktimi “gjysma e gotës është plot”, i njëjtë me atë të Progres - Raportit të Komisionit Europian vitin e kaluar. Por ambasadori Halmuth Lohan vuri në dukje se 2009- ta ka një ndryshim sasior dhe cilësor me vitin 2008.

“Gota është më e madhe këtë vit. Shqipëria ka aplikuar për statusin e vendit kandidat për anëtarësim me BE dhe është anëtare e NATO-s. Pra, kemi një gotë më të madhe, por përsëri gjysëm plot” vërejti ai:

Albaniens Ministerpräsident Sali Berisha
Mbledhje e kabinetit qeveritar në ShqipëriFotografi: Mimoza Dhima

Që gota të jetë plot lypset të kryhen reforma.

Mospjesëmarrja deri tani e opozitës së majtë në Parlament rrezikon moskryerjen e tyre, la të kuptohet qartë kreu i delegacionit të KE në Tiranë.“Reforma në drejtësi kërkon një maxhorancë të cilësuar në Parlament. Pa praninë e gjithë deputetëve të zgjedhur është vështirë të përfytyrohet, sesi përpjekjet për këtë reformë madhore mund të materializohen dhe të japin rezultate.” tha ai gjatë prezantimit në Tiranë të Progres – Raportit të KE .

Lidhur me marrjen në shqyrtim të kërkesës së Shqipërisë drejtuar BE për statusin e vendit kandidat për anëtarësim ambasadori Helmuth Lohan tha se kjo varet nga konstituimi i Parlamentit të ri Gjerman, pasi legjislacioni i ri gjerman parashikon konsultime për këtë çështje.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica