1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria dhe Kosova - marrëveshje për kufij më të sigurtë

Arben Muka13 Gusht 2008

Marrëveshja zyrtare që u finalizua të mërkurën mes Policisë së Shtetit të Shqipërisë dhe KFOR-it synon parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike, armëve, dhe automjeteve të vjedhura e me dokumente të fallsifikuara.

https://p.dw.com/p/EwN7
Policë shqiptarë gjatë kontrollitFotografi: DW/Cama

Megjithë përparimet që janë bërë në vitet e fundit nga të dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë, nuk mungojnë dhe raste të shfrytëzimit të kësaj hapësire nga organizatat kriminale të të dyja vendeve. Kjo ka shtyrë dhe KFOR-in e Policinë Kufitare të Shqipërisë që të intensifikojnë kooperimin mes tyre në parandalimin trafiqeve të ndryshme që tentojnë pikërisht këtë territor.

Pas kontakteve paraprake mes ekspertëve të të dy vendeve, në Tiranë ndodhej ditën e mërkurë gjenerali i KFOR-it, Xavier Bout de Marnhac, me një ekip bashkëpunëtorësh. Qëllimi i tij ishte finalizimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Policinë e Shtetit në Shqipëri në arritjen e sigurisë më të madhe për kufirin. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Premci, strukturat e specializuara nga të dy vendet do të shkëmbejnë informacion dhe do të ndërrmarin operacione të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe monitorimin e kufijve.

Akordi zyrtar i sapofinalizuar synon në mënyrë të veçantë që të parandalojë dhe godasë veprat kriminale të trafikut të lëndëve narkotike, armëve, apo dhe automjeteve të vjedhura e me dokumente të fallsifikuara. Për të konfirmuar lidhjet e ngushta kooperuese me KFOR-in e Kosovës, Policia e Shtetit të Shqipërisë i akordoi në mënyrë simbolike ditën e mërkurë gjeneralit Xavier Bout de Marnhac stemën zyrtare të saj.