1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria derdh gati 15 milionë në FEEJ

Anila Shuka8 Tetor 2008

Marrëveshja përkatëse lidhet mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të Bankës shtetërore Gjermane për Rindërtim, Kreditanstalt fuer Wiederaufbau (KfW).

https://p.dw.com/p/FWDj
Logoja e KfW-së
Logoja e KfW-sëFotografi: AP

Marrëveshja parashikon që Shqipëria të derdhë në Fondin Evropian për Evropën Juglindore (FEEJ) 14,8 milionë euro duke qenë kështu vendi i parë në rajon që investon në këtë fond. Ajo çka është e rëndësishme është që me këto 14,8 milionë Shqipëria siguron shtatëfishin e investimeve në vend për zgjerimin e mikrofinancave, thotë Monika Beck nga KFW-ja në intervistë me programin shqip të Deutsche Welles

"FEEJ është një fond privat i ndarë në segmente të ndryshme risku. Donatorët publikë kanë investuar në segmentin më me risk dhe vetëm kështu mundësohet që vende si Shqipëria, të cilat deri tani nuk janë lidhur në tregun ndërkombëtar të kapitalit të investojnë edhe investitorë privatë. Për 14,8 milionët e derdhura në FEEJ, Shqipëria do të marrë 104 milionë euro, pra shtatëfishin e investimeve", shpjegon Beck.

FEEJ me qendër në Luksemburg u krijua me nismë të qeverisë gjermane në dhjetor të 2005-ës për vendet pjesëmarrëse të Paktit të Stabilitetit. Fjala është një bashkëpunim mes sektorit privat dhe publik. Nga ky i fundit marrin pjesë Bashkimi Evropian, Gjermania, Austria, Danimarka, ndërsa nga sektori privat janë një sërë bankash si për shembull Deutsche Bank apo Instituti Bankar Oppenheim, por edhe institute të tjera zhvillimore si KfW-ja ose FMN-ja që nuk investojnë vetëm me mjete buxhetore por edhe me para të fituara nga aktiviteti në tregun financiar, pra sektori privat.

"Si vendi i parë nga rajoni që merr pjesë në këtë fond, qeveria shqiptare bën që Shqipëria të zërë një vend të veçantë në fokusin e fondit, sepse këto mjete që vë në dispozicion Shqipëria do të përdoren vetëm në Shqipëri," thotë Beck më tej.

Fondi ka një vëllim prej afro 600 milionë eurosh që manaxhohen nga Banka Openhajm dhe Shkolla e Financës në Frankfurt. Vëllimi i kredive të shpërndara deri tani është afro 500 milionë euro. Bëhet fjalë për kredi të vogla deri në 10 mijë euro kryesisht në sektorin agrar, në ndërtimin e shtëpive ose në sektorin e tregtisë dhe të zejtarisë.

FEEJ nuk jep vetë kredi te drejtpërdrejta për ndërmarrjet por përdor instiutet financiare. Ato mund të jenë Banka ose OJQ.

Të parët që do të prëfitojnë nga pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë fond janë ProCredit, Partneriteti Shqiptar për Mikrokredi dhe Banka Credins: "Këto janë institute që kanë përvojë në mikrofinanca dhe që në situatën aktuale, kur tregjet e kapitalit nuk janë likuide, kanë nevojë për financimet e jashtme, sepse aktualisht tregjet e kapitalit nuk janë likuide, prandaj edhe kjo marrëveshje vjen në momentin e duhur. Për të ardhmen planifkohet të ngrihet edhe një mikrobankë e re, thotë Beck.

Fondi Evropian për Evropën Juglindore është një fond çati që ka katër fonde specifike për pesë vende: Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Kosova, si dhe katër nënfonde të vegjël që përdoren nga vendet rajonale. Prandaj edhe mjetet financiare për vende të tilla si Maqedonia, Moldavia, Shqipëria janë relativisht të kufizuara.

"Meqënëse Shqipëria tani do t'i vërë vetë këto mjete, ajo do të ketë në dispozicion një dritare të vetën nën fondin çati të FEEJ, dhe në këtë mënyrë garantohet fokusimi i veçantë i fondit në Shqipëri", tha Beck.

Në këshillin mbikqyrës qeveria shqiptare do të përfaqësohet fillimisht nga ajo gjermane.