1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria është kandidate për pranim në BE

A Verbica (dpa, afp, rtr)24 Qershor 2014

BE i hap Shqipërisë rrugën drejt BE, por tërheq vemendjen për më shumë reforma.

https://p.dw.com/p/1CPDs
Fotografi: DW / Aida Cama

Shqipëria u afrua një hap më pranë BE, kur Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE i dha këtë të martë në Luksemburg statusin e vendit kandidat. Këshilli paralajmëroi se janë ende shumë punë për t'u bërë, deri në anëtarësimin në BE. Ai kërkoi nga Shqipëria përpjekje të mëtejshme për reforma. Komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle bëri të ditur në twitter se vendimi është "një njohje e përpjekjeve për reforma, si dhe një inkurajim për më shumë reforma".

Lidhur me dëshirën e Shqipërisë për pranim në BE ministri i shtetit në Ministrinë e Jashmte gjermane, Michael Roth (PSD), tha se "kjo nuk presupozon një automatizëm". Ka një raport pozitiv të komisionit të BE për reformat në Shqipëri. «Pa struktura demokratike, pa një shtet të qëndrueshëm juridik, pa pavarësinë e mediave dhe të drejtësisë, dhe pa luftë konsekuente kundër korrupsionit nuk mund të ketë anëtarësim në Bashkimin Evropian", tha Roth. E kaluara ka treguar se është me vlerë, që t'u ofrosh shteteve të Ballkanit një perspektivë pranimi duke ndikuar në këtë mënyrë në transformimet demokratike.

Anëtarja e NATO-s Shqipëria do të duhet të plotësojë kushte të mëtejshme të reformave, që të fillojë negociatat për pranim në BE, një proces i gjatë, që ka për qëllim të vendosë ligjet e vendit kandidat në një linjë me normat e BE-së, një proces që mund të marrë shumë vite. "Statusi i kandidatit nuk do të thotë se BE-ja automatikisht do të fillojë negociatat e pranimit me Shqipërinë, që është një hap tjetër i veçantë në procesin e integrimit në BE, për të cilin kërkohen përparime të tjera në prioritetet kyçe, me fokus të veçantë në administratë dhe reformën e gjyqësorit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe të drejtat themelore", thuhet në deklaratën e Komisionit Evropian.