Shqetësim në Kosovë para zhvillimit të protestës së 3 Marsit | Ballkani | DW | 02.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqetësim në Kosovë para zhvillimit të protestës së 3 Marsit

Shefat e misionit diplomatik në Kosovë, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, të ruajnë paqen dhe qetësinë në këtë fazë kritike nëpër të cilën po kalon Kosova

Prishtina

Prishtina

Autoritetet më të larta ndërkombëtare dhe ato kosovare, janë të shqetësuara për protestën e nesërme që organizohet nga lëvizja vetvendosje kundër pakos së Marti Ahtisarit. Në këtë linjë, shefat e zyrave diplomatike të vendeve më të industrializuara, bëjnë thirrje për ruajtje të paqes dhe qetësisë në këtë fazë kritike nëpër të cilën po kalon Kosova.

Një thirrje të veçantë qytetarëve të Kosovës u ka bërë shefi i zyrës gjermane, Eugen Volfart në emër të vendeve të BE-së. Një ditë para mbajtjes së protestës së lëvizjes vetvendosja, ai thotë se liria e shprehjes dhe demonstrimi janë të drejta themelore në çdo vend demokratik. Ato janë zëra të paqes për ardhmërinë, por zërat e dhunës nuk kanë ardhmëri. Sipas tij shumica e njerëzve në Kosovë përkrahin një bashkëjetesë paqësore dhe jetojnë në respekt të ndërsjelltë.

Aktivistët e lëvizjes vetvendosje këmbëngulin në mbajtjen e protestës. Ata shprehen se gjatë protestës së nesërme mund të ketë aksione simbolike të ngjashme me ato që kanë praktikuar edhe më herët. Një nga udhëheqësit e lëvizjes vetvendosje, Glauk Konjufca, thotë se, protestuesit me cdo kusht do të kërkojnë edhe lirimin e udhëheqësit të tyre, Albin Kurti, i cili që nga protestat e 10 shkurtit mbahet në arrest.

Organet e rendit, kanë shtuar masat e sigurisë, por deklarojnë se nuk do të pengojnë protestuesit të marshojë qetë nëpër rrugët e Prishtinës. Ata paralajmërojnë se cdo veprim që bie ndesh me ligjin, do të ndëshkohet nga policia.

Protestat e lëvizjes vetvendosje, kundër pakos së statusit të ndërmjetësit, Marti Ahtisari dhe kundër grupit negociator e bisedimeve me autoritet serbe, janë kritikuar ashpër nga udhëheqësit politik kosovar. Të shqetësuar nga mundësia e eskalimit të situatës dhe shndërrimi i protestës paqësore në dhunë, si protesta e fundit ku humbën jetën dy persona, udhëheqësit politik kosovar u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që të distancohen nga aktet e dhunës.

Ata thonë se protestat e lëvizjes vetvendosje janë të panevojshme, ndërsa shprehen se grupi negociator i Kosovës, nuk do të shkelë vullnetin e qytetave të Kosovës që sipas tyre është pavarësia.

  • Data 02.03.2007
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArY3
  • Data 02.03.2007
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArY3
Reklamë