Shpresa për funksionimin e shoqërisë multietnike në Rahovec | Politika | DW | 03.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Shpresa për funksionimin e shoqërisë multietnike në Rahovec

Sllavisha Kollashinac, i ngarkuar i komunës së Rahovecit, në bisedë me radion Deutsche Welle, shprehet optimist për zhvillimet e ardhshme në këtë zonë

Për të ardhmen e përbashkët!

Për të ardhmen e përbashkët!

Cilat janë planet për kthimin e të zhvendosurve serbë gjatë vitit 2006?

Sllavisha Kollashinac: "Detyra ime kryesore është afrimi i dy bashkësive të ndryshme etnike. Qëllimi kryesor i të gjitha aktiviteteve të deritanishme ishte tejkalimi i gjendjes së tanishme dhe gjetja e zgjidhjeve që sigurojnë një ardhmëri më të mirë. Momentalisht në këto hapësira jetojnë rreth 1.300 serbë. 600 prej tyre jetojnë në Rahovec, ndërsa 700 në Hoçë të Madhe. Besoj se gjatë këtij viti do të shtohet numri deri në 2.500 e ndoshta edhe në 3000".

Në fshatin Zoçishtë, po ndërtohen për serbët që duan të kthehen edhe 45 shtëpi të tjera. Po si paraqitet sitata në vetë qytetin e Rahovecit?

Sllavisha Kollashinac: "Në pjesën e sipërme të qytetit, ka filluar ndërtimi i dy objekteve. Por ky është vetëm fillimi. Besoj se ndërtimet do të fillojnë edhe në pjesën tjetër të qytetit, ku para konflikteve të vitit 1999, ka jetuar një numër i konsideruar i serbëve. Shpresoj se ky do të jetë vetëm fillimi i kthimit të zhvendosurve".

A ka pasur incidente apo akte tjera të dhunshme në këtë komunë?

Sllavisha Kollashinac: "Për pesë vitet e fundit nuk ka pasur incidente. Duket e pabesueshme, por edhe 17 marsi këtu ka kaluar shumë më mirë se në rajonet tjera. Ky është vetëm një prej shkaqeve pse në Rahovec ka mbijetuar bashkësia e organizuar serbe. Gjatë luftës në Rahovec kanë ndodhur shumë gjëra të këqija, por edhe pas luftës po ndodhin shumë gjëra të mira. Unë jam optimist, sa i përket zhvillimeve të ardhshme".

Megjithatë edhe në këtë komunë ka probleme. Ndër to është edhe mungesa e nxënësve serbë në shkollën multietnike.

Sllavisha Kollashinac: "Projekti i shkollës multietnike është i pari i këtij lloji. Por këtu është përzier edhe politika. Megjithatë, fëmijët nuk duan të jenë të ndarë. Gjatë pesë vjetëve të fundit kemi pasur shumë shembuj, ku fëmijët dëshmojnë se nuk duan të kenë barriera dhe ndarje politike. Më e rëndësishmja për ta është që të jenë së bashku. 20 deri 25 përqind e fëmijëve serbë shkojnë rregullisht në shkollë dhe marrin pjesë në të gjitha aktivitetet multietnike. Ne do të vazhdojmë përpjekjet për afrimin dhe jo për ndarjen e fëmijëve".

A ekziston liria e lëvizjes së serbëve në këtë komunë?

Sllavisha Kollashinac: "Jam i bindur se kohët e fundit ka pasur lëvizje pozitive. Këtë e them në emër të të gjithë atyre që duan t'a shfrytëzojnë lirinë e lëvizjes dhe nuk duan të jenë pengje të politikës apo vegël për manipulime politike. Liria e lëvizjes është një prej të drejtave elementare të cilën duhet t'a gëzojnë të gjithë".


  • Data 03.01.2006
  • Autor Refki Alija
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrR
  • Data 03.01.2006
  • Autor Refki Alija
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrR