1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresë që t´i jepet fund ofensivës turke

Carsten Kühntopp / Amman WDR 25 Shkurt 2008

Informacione të sakta mbi operacionin ushtarak turk në Veri të Irakut nuk ka. Si turqit ashtu dhe kurdët përhapin lajme për suksese në luftimet në Veri të Irakut. SHBA insistojnë t´i jepet fund sa më shpejt operacioneve

https://p.dw.com/p/DCdk
Ushtarët turq gjatë një operacioni në Veri të Irakut, 22 shkurt 2008
Ushtarët turq gjatë një operacioni në Veri të Irakut, 22 shkurt 2008Fotografi: AP

Ushtarët të veshur me uniforma të bardha për të mos u diktuar marrshojnë nëpër malet e mbuluara prej borës. Përmes fotografive të reja, që tregojnë pamje nga misioni në Veri të Irakut, Shtabi i përgjithshëm turk demonstron, se është i sukseshëm në luftën kundër partisë punëtore kurde, PKK. Komanda e ushtrisë në Ankara deklaroi, se deri të shtunën (23.02) janë vrarë 79 luftëtarë të PKK-së, dhe shtatë ushtarë turq.

Edhe rebelët kurdë i shfrytëzojnë mediet për të ushtruar luftë psikologjike. Përmes agjensisë së afërt me PKK-në „Firat“ në fundjavë u publikua një thirrje drejtuar të gjithë kurdëve në Turqi, që të ngrihen duke hedhur parrulla të tilla si: "Nëse ata duan të na shkatërrojnë ne, të rinjtë tanë duhet t´i bëjnë të pabanueshme qytetet turke." PKK-ja të dielën njoftoi se ka qëlluar një helikopter luftarak turk. Përveç kësaj vihet në dukje se forcat e PKK-së kanë në dorë kufomat e 15 nga 22 ushtarë të vrarë deri tani, emrat e të cilëve do të publikohen së shpejti. Sipas PKK-së nuk ka humbje në radhët e saj.

Se si po rrjedhin vërtet luftimet në rajonin malor të pakalueshëm në Veri të Irakut, për këtë ende nuk ka informacione të besueshme nga burime të pavarura. Fakt është, që tek kurdët në Irak po shtohet indinjata lidhur aksionin ushtarak të Turqisë. Qeveria e kurdistanit irakian në fundjavë u tregua e rezervuar. Ajo deklaroi, se në rast se do të ketë sulme ndaj banorëve në zonat e banuara, atëherë do të ushtrohet "rezistencë e vendosur". Edhe Hoshiar Zebari, ministri i jashtëm irakian, që vet është kurd u shpreh me shumë kujdes: „Deri tani ndërhyrja është e kufizuar. Madje nuk kemi të bëjmë me invazion, por me një ndërhyrje të kufizuar në një zonë të pabanuar. Megjithatë nëse ofensiva do të vazhdojë, rajoni mund të destabilizohet, sepse mjafton një gabim i vetëm dhe mund të nxitet shkallëzimi i situatës."

Mediet turke spekulojnë, se disa mijëra ushtarë po marshojnë drejt Veriut të Irakut. Në Bagdat thuhet, se fjala është vetëm për disa qindra ushtarë. Zëdhënësi qeveritar Ali al-Dabagh: „Kryeministri irakian kërkon, që Turqia të respektojë sovranitetin e vendit tonë dhe ai është i mendimit, që operacioni ushtarak nuk do ta zgjidhë problemin e PKK-së. Njëkohësisht ne e kuptojmë, që PKK-ja është një kërcënim serioz si për Turqinë ashtu edhe për Irakun. Ajo është një organizatë terroriste dhe ne bëjmë ç´është e mundur që ajo të mos i kërcënojë marrëdhëniet mes Irakut dhe Turqisë."

Ministria irakiane e naftës vuri në dukje, se eksporti i naftës përmes Turqisë vazhdon pa ndërperje, rreth 300.000 fuçi naftë irakiane transportohet çdo ditë përmes linjës naftësjellëse në portin turk të Cejhanit.