1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300409 Arbeitslosigekeit 1. Mai

1 Maj 2009

Për mijëra njerëz në Gjermani kriza është ndërkohë më shumë se vetëm një lajm. Janë të shumtë ata që kanë frikë nga papunësia, madje për disa kjo tashmë është bërë realitet. Një vështrim me rastin e 1 Majit

https://p.dw.com/p/Hi5O
Fotografi: picture-alliance/ dpa/ DW-Fotomontage

'Lajmi, që e gjithë zyra do të mbyllet, na befasoi të gjithëve!'

"Këto janë tabelat e të gjitha zyrave që ndodhen këtu brenda, këtu është edhe tabela e zyrës sonë - na u desh ta riparonim një herë, sepse qe prishur, por tani besoj ajo s´na duhet fare dhe mund ta heqim. Vetëm pak muaj dhe kjo tabelë do të hiqet."

Freia Schleyer qëndron pak në oborrin e një godine zyrash në Berlin, ku e ka selinë edhe dega gjermane e shtëpisë botuese angleze të librave të specializuar. Gruaja elegante punon si lektore, kryesisht për librat e ilustruar. Duhet thënë, që ajo ende punon, sepse para pak ditësh kriza ekonomike dhe financiare e preku edhe atë personalisht. Freia Schleyer po shkon në kafene për pushimin e drekës. Atje ajo flet për mbledhjen e fundit të ndërmarrjes para pak ditësh.

" Vij në mëngjes në zyrë dhe më thanë: "sot vjen shefi". Teksa u dha lajmi, që e gjithë zyra do të mbyllet, kjo na befasoi të gjithëve! Ne nuk dinim çfarë të thonim, të gjithë ishim ulur dhe mbetëm të shtangur."

Punonjësit nuk duhet ta marrin personalisht mbylljen e zyrës

Shefi i komunikoi personelit, se mbyllja e zyrës është e domosdoshme për shkak të krizës financiare dhe se punonjësit nuk duhet ta marrin personalisht këtë.

Freia Schleyer shtrin dorën duke bërë shenjë për të treguar, se njerëzit nuk kanë më para për të blerë libra të ilustruar. Ndërkohë që tregu i librit në përgjithësi po ecën mjaft mirë, të paktën në Gjermani.

Freia Schleyer ka një fëmijë dhe është e preokupuar për të ardhmen

Tetë vjet punë në shtëpinë botuese - e papritur: puna, kolegët e kaq viteve e natyrisht edhe paga mujore, të gjitha këto marrin fund menjëherë. Kjo për shak të vendimit që merret në qendrën e largët të firmës. Asnjë këshill ndërmarrjeje, asnjë politikan që të interesohet për fatin e 20 punonjësve të shtëpisë botuese. Freia Schleyer ka një fëmijë, ajo jeton e ndarë nga burri dhe sivjet mbush 40 vjeç. Ajo është e preokupuar për të ardhmen.

" Nisur nga ajo që kam punuar me normë të reduktuar, nuk do të mund të jetoj me paratë e asistencës, ndaj e ndiej veten shumë keq. Unë jam lektore, në këtë profesion është e vështirë, ka shumë që kërkojnë punë. Unë e di që në Berlin është e vështirë për lektorët. Të gjitha këto më bëjnë të pasigurt, nëse do të gjej ndonjë vend pune si lektore në Berlin."

Freia Schleyer tashmë e ka pirë kafenë. Ajo ngrihet dhe merr rrugën për t' u kthyer në zyrë. Ajo mbledh supet pa dëshirë. Në zyrë janë duke u paketuar materialet.

'Nuk mund ta përfytyroj, se ku mund të gjej punë diku tjetër'

Patrick Hesse ndodhet gjithashtu rrugës për në punë. Ai është ulur në sediljen e metrosë, i veshur me një këmishë me mëngë të përveshura dhe me çantën e shpinës në kurriz. Metroja udhëton drejt Berlin - Mariendorf. Këtu ai monton për Daimler-in motorët V8. 24 vjeçari e di, që koncerni nuk është në gjendje të mirë, por ai shpreson, që përsëri do të ketë rritje. Puna për Daimler-in është për të më shumë se sa vetëm sigurimi i të ardhurave.

" Puna tek Daimler është ajo, që unë bëj prej vitesh në jetën time dhe jam shumë i lidhur me të. Nuk mund ta përfytyroj, se ku mund të gjej punë diku tjetër, aq më tepër që kam mësuar zanatin e elektriçistit të makinave dhe vitet e fundit thuajse s´kam punuar aspak në këtë zanat."

Tani për tani kryesia e koncernit ka premtuar, që deri në mes të 2010-ës nuk do të shkurtojë askënd nga puna, në rast se gjendja ekonomike nuk vazhdon të përkeqësohet. Punonjësit janë të gatshëm të pranojnë shkurtimin e pagës. Patrick Hesse shpreson, që prodhuesi i automobilëve pas një viti do të jetë në gjendje më të mirë.

Vijmë çdo ditë këtu me shpresën që s´ka ndryshime'

Qysh nga fillimi i vitit Daimler-i aplikon në fabrikat e veta punën me normë të shkurtuar. Shumë të punësuar nuk punojnë gjithë javën dhe marrin të kompensuar 90% të zbritjes së pagës. Patrick Hesse tregon territorin e fabrikës pas kangjellave, që duket si i braktisur.

" Pa punën me normë të shkurtuar me siguri që disa kolegë, që do të kishin pushimin do të qëndronin jashtë. Në përgjithësi do të kishte më shumë lëvizje si makina furnizimi apo qarkullim i zakonshëm si në një ndërmarje, pra pamja do kishte më gjallëri se tani."

Patrick Hesse ka mbërritur tashmë tek hyrja e fabrikës dhe kërkon të nxjerrë nga çanta e shpinës fletëhyrjen. Ai e di, që këshilli i ndërmarrjes ka influencë dhe se në rast nevoje politikanët do të angazhohen për të mbështetur punëtorët, por sidoqoftë siguri në kohët e krizës së madhe s´ka më.

"Tani vijmë çdo ditë këtu me një ndjenjë sikleti duke shtruar pyetjen, nëse vërtetë ka diçka të re, apo me shpresën që s´ka ndryshime. Le të shpresojmë që edhe vitin e ardhshëm të kemi siguri. Sepse të gjithë kanë frikë nga ajo që mund të vijë. "

Autor: Hajner Kisel/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi