Shpërndahet Parlamenti i Maqedonisë, me 12 prill zgjedhje parlamentare | Ballkani | DW | 17.02.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Shpërndahet Parlamenti i Maqedonisë, me 12 prill zgjedhje parlamentare

Shpërndahet Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me votat e të gjitha partive politike në pushtet dhe opozitë. Kështu i hapet rruga mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 12 prill. Por parti edhe akuza.

Në fjalimet e fundit, kryetarët e grupeve parlamentare të partive politike shkëmbyen akuza dhe kundërakuza për zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut. "Këto tri vite qytetarët në lëkurën e tyre kanë ndjerë gjëra të tmerrshme, gjendje të rëndë ekonomike, largimin e të rinjve nga vendi, ndryshimin e Kushtetutës, ndërrimin e emrit, urrejtje, rrënimin e imazhit të shtetit. Këto janë rezultatet e qeverisjes së Zoran Zaevit dhe LSDM-së”, ka deklaruar Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSDM-së Jovan Mitrevski ka thënë se socialdemokratët së bashku me partnerët e shumicës parlamentare kanë marë vendime të rëndësishme dhe të guximshme për të ardhmen e vendit. "Maqedonia e Veriut ka siguruar të ardhme evropiane me miratimin e ligjeve të fundit para shpërndarjes së kuvendit. Andaj ftoj qytetarët që në zgjedhjet e ardhshme t'i japim një mandat edhe më të fuqishëm kësaj shumice parlamentare që të arrijë ëndrrën e qytetarët që vendi jonë të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së”.

Kryetari i kuvendit Talat Xhaferi në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim ka thënë se në këtë mandat janë realizuar të gjitha përcaktimet programore të integristëve. "BDI pikësynim e kishte rregullimin e çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe në mënyrë të barabartë në të gjitha nivelet e institucionet shtetërore. BDI kushtëzoi koalicionimet me ecjen në rrugën euroatlantike që zaten rezulton edhe me përcaktimet strategjike të këtij vendi, që qytetarët e këtij vendi të janë anëtarë të plotfuqishëm në NATO dhe BE”, ka vlersuar Talat Xhaferi.

Miratohet ligji për Prokurorinë Publike

Para shpërndarjes së Parlamentit , kjo përbërje me 80 vota për dhe 6 kundër, miratoi Ligjin për Prokurorinë Publike. Fillimisht ligji nuk kaloi, sepse pro votuan vetëm 74 deputetë. Por kreu i Parlamentit Xhaferi me arsyetimin e pengesave teknike e vuri sërish ligjin në votim, dhe ligji mori 80 vota. VMRO-DPMNE vlerëson se ligji për Prokurorinë Publike nuk është miratuar, pasi sipas tyre votimi par ka dështuar, ndërsa kryeparlamentari nuk ka pasur të drejtë ta prish votimin. Opozita paralajmëron padi penale ndaj Talat Xheferit. VMRO-DPMNE-ja kërkon nga presidenti Stevo Pendarovski mos ta dekretojë Ligjin për Prokurorinë Publike.

Ish-kryeministri Zoran Zaev dhe kryetar i LSDM-së ka thënë se me miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike shumica parlamentare evitoi rrezikun që kërcënonte të ardhmen euroatlantike të vendit. Sipas tij ligji nuk do të amnistojë asnjë zyrtarë dhe çdokush që ka shkelur ligjin do të përgjigjet para drejtësisë.

"Me këtë ligj garantohet që politikanët të mos bëjnë zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve. Tani ka ardhur kohë tjetër kur politikanët duhet t'i mbajnë duart larg gjyqësorit. Më vjen keq që VMRO-DPMNE-ja nuk mbështeti këtë ligj por mbet peng i kriminelit të dënuar Nikolla Gruevski”, është shpreh Zoran Zaev.

Ligji për Prokurorinë Publike synon rregullimin e prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, e cila procedon edhe lëndët e ish-prokurorisë speciale, që është shuar për shkak të skadimit të mandatit, por edhe përfshirjes së drejtueses së saj Katica Janeva në aferën "Reket”.