Shpërbëhet Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut | Politika | DW | 27.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Shpërbëhet Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Pas 60 vitesh, komisioni i OKB-së për të drejtat e njeriut do të mblidhet më 27 mars për herë të fundit, përpara se të shpërbëhet përfundimisht

Takimi i fundit, Gjenevë

Takimi i fundit, Gjenevë

Në Gjenevë u zhvilluan debate të zjarrta mbi temat që duhet të diskutonte për herë të fundit Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Nju Jork, përpara se t´i kalojë gjithçka në duar këshillit të ri. Gjithçka do të përfundojë brenda 1 ose dy ditëve, shpjegon Jose Diaz, zëdhënës i Komisioneres së Lartë për të drejtat e njeriut: "Besoj se gjithçka do të përfundojë këtë të hënë në darkë. Në rast se do të kemi shumë fjalime, atëherë do të vazhdojmë edhe gjatë ditës së martë. Komisioni duhet të vendosë një rezolutë, në të cilën qëndron se ai do të shpërbëhet përfundimisht."

Ky është një fund tepër i thjeshtë për një komision, që u krijua me shpresa dhe vizione të mëdha përpara 60 vitesh. Por niveli i punës së këtij komisioni ra shumë gjatë viteve të fundit. Shtete, të cilat i shkelin vetë rëndë të drejtat e njeriut, e kishin bllokuar pothuajse plotësisht komisionin, sepse i druheshin punës së tij, ndërkohë që rezistenca e BE-së dhe e SHBA-së dobësohej gradualisht.

Por ndonëse fundi nuk është aspak spektakular, mbledhja e fundit e këtij komisioni do të mbahet gjithmonë në kujtesë, thotë Jose Diaz: "Komisioni ka kryer punë shumë të rëndësishme. Dhe mendoj se Komisionerja e Lartë do ta përmendë këtë fakt. Ashtu si edhe përfaqësuesit e grupeve rajonale dhe organizatat joqeveritare, të cilat kanë pasur gjithmonë një forum të rëndësishëm tek ky komision."

Një instrument i rëndësishëm që zhvilloi komisioni, ishte puna e raportuesve të veçantë, të cilët vizitonin vende të ndryshme, për të hetuar raste torturimesh dhe abuzimesh, apo për të mbledhur informacione, që më vonë shërbenin si bazë për formulimin e standarteve, si për shembull e drejta për arsim. Raportet e tyre do t´i paraqiten tani këshillit të ri për të drejtat e njeriut, i cili do të fillojë punë më datën 19 qershor.

"Ka pasur kritika ndaj ndërtimit të këtij këshilli, por mendoj se ai do të jetë shumë shpejt një institucion i fortë ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dikur komisioni për të drejtat e njeriut" - shpjegon Diaz.

Në maj të këtij viti, Këshilli i ri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duhet të kalojë me sukses testin e tij të parë: Përzgjedhjen e shteteve anëtare. Kështu do të shohim për herë të parë nëse mekanizmat e reja garantojnë një bashkëpunim më të mirë.

  • Data 27.03.2006
  • Autor Joachim Schubert-Ankenbauer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqc
  • Data 27.03.2006
  • Autor Joachim Schubert-Ankenbauer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqc