1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030709 Berlusconi Italien

3 Korrik 2009

Kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi ndodhet nën presion politik për shkak të jetës së tij private të shthurur. Shoqëria italiane duket se nuk është fare e tronditur nga eksceset e Berluskonit

https://p.dw.com/p/IgWr
Berluskoni gëzon edhe më tej mbështetje në popull
Berluskoni gëzon edhe më tej mbështetje në popullFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Shoqëria italiane përjeton së bashku me qeverinë e saj një rrënim të vlerave

Jeta e shthurrur private e kryeministrit të Italisë Silvio Berluskoni është ndërkohë tema kryesore në Itali. Por më e keqja është se edhe shoqëria italiane përjeton së bashku me qeverinë e saj një rrënim të vlerave. Mbledhja e parë e kabinetit të qeverisë Berluskoni u bë në maj 2008 në Napoli. Një seancë e paharrueshme, që tregonte se nga do të shpinte rruga në të ardhmen. Në Napoli kryeministri i sapozgjedhur u prezantua si njeri i aksionit, që u përvishet problemeve, duke pastruar plehrat nga rrugët dhe duke i dërguar për djegie jashtë vendi, të kushtojë sa të kushtojë.

"Ai nga çdo rast emergjent bën një spot publicitar.“

Qeveria italiane shkon nga një rast emergjent në tjetrin

Kështu kritikon Roberto Biorcio, profesor për sociologji në universitetin e Milanos, Milano-Bicocca.

"Teknika e tij është, që të shfaqet personalisht në vendin e ngjarjes, të mbledhë aty ministrat dhe të paraqitet si ai, që zgjidh problemin, edhe nëse nuk është fare ashtu. Shembulli i fundit është tërmeti në Abrucio, prej të cilit ai bëri një spektakël mediatik në favorin e tij. Tani Abrucion do ta shfrytëzojë edhe si sfond për samitin e G 8-ës. Më e rëndësishmja nuk është zgjidhja reale e problemit, por përshtypja se institucionet politike dhe ai personalisht kujdesen për problemin."

Qeveria italiane shkon nga një rast emergjent në tjetrin dhe nuk merret me problemet strukturore, si sistemin e pensioneve, eksplodimin e shpenzimeve në sistemin shëndetësor, apo tregun e vjetëruar të punës. Por perspektivat afatgjata i interesojnë më pak se anketimet aktuale. Dhe ata tregojnë simpati të gjerë për qeverinë tek popullata. Me gjithë historitë jo shumë dinjitoze të Berluskonit për mbrëmjet me prostituta.

Jeta private e Berluskonit nuk u intereson italianëve
Jeta private e Berluskonit nuk u intereson italianëveFotografi: picture-alliance/ dpa

"Kur mbaron ditën e tij e punës si kryeministër, ai mund të bëjë çfarë të dojë."

Kështu mendon një milanez. Ai shpreh atë që mendojnë shumë italianë. Klima sociale e Italisë karakterizohet prej një „Kulture-Berluskoni“, që do të thotë: Egoizmi është parimi drejtues.

Kisha, e cila ka ndikim te shoqëria, nuk po e ndalon dot rënien e vlerave

Kështu që shoqëria italiane bie në një pozitë gjithnjë e më kritike, vlerat e vjetra humbasin. Edhe kisha, e cila në Itali ka si gjithmonë ndikim te shoqëria, duket se nuk po e ndalon dot këtë zhvillim. Babai franceskan Don Vittorio Rigoni, i cili drejton një qendër për nevojtarë në Milano, jep çdo ditë më shumë se 5000 dreka falas. Gjithnjë e më shumë dëgjon t' i thonë, se në këtë mënyrë mbështet ardhjen e emigrantëve. Don Vittorio bën thirrje, që politika t'i kundërvihet këtij qëndrimi.

"Politika duhet t'i marrë seriozisht ndjenjat e njerëzve dhe ajo duhet të ndërmjetësojë. Ndjenja mbisunduese në këtë moment është frika. Frika nga kriza, frika për vendin e punës. Kjo çon në agresione dhe konflikte, të cilat duhet t'i zgjidhë politika."

Por konflikte kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni ka vetë sa të duash. Gruaja e tij po ndahet prej tij, të dy fëmijët më të vegjël i sheh vetëm rrallë. Edhe prokuroria mund të ngrinte përsëri padi kundër tij. Kësaj rradhe për mbështetje të prostitucionit.

Autor: Kirstin Hausen/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi