1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shoqata gjermane e ndihmës teknike, THW, furnizon Banda Acenë me ujë të pijshëm

Maike Sholc11 Janar 2005

Sado e rëndësishme që është ndihma afagjatë për rindërtimin në zonat aziatike të katastrofës, të pastrehët dhe të mbijetuarit e sëmurë prej dallgëve të baticës kanë nevojë për ndihma emergjente si p.sh. për ujë të pijshëm. Qysh prej dy javësh pas baticës që shkatërroi gjithçka njerëzit në Banda Aceh kanë tani ujë, ndonëse me sasi të kufizuar. Pas transportit plot vështirësi shoqata gjermane e ndihmës teknike, THW; ka ndërtuar komplekset e filtrimit të ujit.

https://p.dw.com/p/ArFO
Punonjësit e THW-së testojnë ujin e filtruar
Punonjësit e THW-së testojnë ujin e filtruarFotografi: AP

Olaf Bulk dhe ekipi i tij i shoqatës së ndihmës teknike, THW, punojnë dhe mundohen në pikun e vapës. Ata janë duke përgatitur një filtër, që është edhe bërthama e impiantit të tyre për filtrimin e ujit. Por puna nuk mbaron me kaq, thotë Olaf Bulk: "Ne duhet t´u përmbahemi kritereve gjermane të higjenës edhe gjatë aksioneve jashtë vendit, ndaj edhe këtu po përpiqemi t´i rrespektojmë këto kritere aq sa na e lejojnë rrethanat."

Fillimisht uji sillet me fuçi nga sistemet ende funksionuese të ujësjellësit jashtë qytetit dhe më pas ai filtrohet dhe pastrohet në mënyrë kimike, pas këtij procesi uji testohet nëse është i përshtatshëm për t´u pirë.

Uji rjedh. Dy javë kanë pritur njerëzit në Banda Aceh dhe po aq kohë u është dashur të presin edhe 40 punonjësve të ndihmës teknike derisa arritën nga Gjermania. "Ajo që na dëshpëroi disi në fillim ishte udhëtimi i gjatë dhe me shumë peripeci. Na u desh gati një javë derisa arritëm këtu. Kemi pasur probleme edhe me vendosjen e kompleksit tonë këtu, sepse sheshet e aerodromeve janë të mbingarkuara për shkak të qarkullimit mjaft intensiv. Por tani që ne mund të punojmë këtu jemi shumë të motivuar", thotë Bulk.

Ndaj punonjësit e ndihmës teknike duan ta shpërndajnë vetë furnizimin e parë me ujë të pijshëm. Ata të gjithë janë ndihmës vullnetarë nga e gjithë Gjermania dhe kanë qëllime ambicioze: "Ne duam që me tri komplekset e përpunimit të ujit këtu të prodhojmë çdo orë rreth 18.000 litra ujë të freskët, që do t´u shpërndahet nëpërmjet autobotëve specialë njerëzve, spitaleve, kopshteve të fëmijëve, apo institucioneve të tjera me nevojtarë ."

Dy herë nga gjashtë metër kub ujë, pra 12.000 litra ujë kanë prodhuar punonjësit e ndihmës teknike ditën e parë. Gratë e fëmijët të strehuar në një kapanon për të pastrehët gëzohen për këtë. Nor Hajati, është njëri prej atyre që presin me kova e shishe nëpër duar për t´i mbushur me ujë nga autoboti i shoqatës së ndihmës teknike gjermane. "Deri tani asnjë organizatë tjetër nuk ka ndihmuar dhe ne jemi detyruar të marrim ujë për të pirë nga lum." Nor Hajati na tregon vajzën e vet. Lëkura e saj është e ashpërsuar dhe me njolla, ajo ka dhimbje barku, sepse uji që ka pirë e që është larë deri më sot ka qenë i papastër.

Pranë nesh ndodhet spitali i vogël dhe oficeri mjek i ushtrisë malajziane, doktor Jagadisen. Këtu ai mjekon disa prej viktimave të baticës duke paralajëmruar, se tani që fillon periudha e reshjeve do të jetë edhe më i madh rreziku i përhapjes së epidemive: "Ne duhet të jemi të kujdesshëm, sepse nëse ndodh diçka atëherë do të përballemi me epidemi masive. Na duhet ta parandalojmë këtë."

Mjeku mund t´ia arrijë kësaj, sepse pikërisht këtu punonjësit e ndihmës teknike nga Gjermania kanë premtuar, se do të kujdesen që të ketë vazhdimisht ujë të pijshëm: "Ata erdhën këtu dhe na pyetën, nëse mund të na ndihmojnë. Jemi shumë të kënaqur për këtë", thotë mjeku nga Malajzia.