Shkurtimet masive tek Allianz & Botërori 2006 & Ariu Bruno | Studimi në Gjermani | DW | 23.06.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shkurtimet masive tek Allianz & Botërori 2006 & Ariu Bruno

Tema më e komentuar në shtypin e sotëm është shkurtimi i 5.000 vendeve të punës në koncernin e sigurimeve Allianz dhe 2.500 vendeve në Drezdnerbank, filial i Allianz-ës. Komentatorët i refererohen edhe botërorit 2006.

Lidhur me njoftimin për shkurtimet masive të vendeve të punës tek Allianz, gazeta e Këlnit "Express" kritikon si jo korrekte një masë të tillë: "...qysh dje mijëra njerëz të tjerë janë duke u frikësuar për vendin e tyre të punës, për të ardhmen dhe për pensionet e tyre. E kjo ndodh në një koncern që çdo vit ka pasur fitime kolosale. Vetëm vitin e kaluar tek Allianz u derdhën 4,4 miliardë euro, ndërsa këtë vit shuma do të jetë 5 miliardë. Kjo është meritë e punonjësve të koncernit, të cilët tani kanë frikë për vendin e punës. (...) Pozitivisht ka reaguar si gjithnjë bursa. Aksionet e Allianz-ës u rritën me mbi 2% duke shënuar kështu mbi 122 euro. Por prej kësaj punonjësit s´fitojnë asgjë", komenton "Express".

"Offenbach Post" shtron pyetjen, se si do të reagojnë klientët e kësaj shoqërie sigurimesh: "Ristrukturimi i shpallur frikëson jo vetëm punonjësit, por irriton edhe klientët. Klientela as që mund ta besojë, se me shkurtimin masiv të vendeve të punës për të do të përmirësohet gjithçka. (...) As që mund të mendohet se ç´mund të ndodhë me qendrën bankare, nëse bursa gjermane do të humbasë në pokerin e globalizimit...", vëren "Offenbach Post".

Ndërsa "Nordbayerische Kurier" që botohet në Bajrojt trajton të ardhmen e koncernit Allianz: "Allianz, që konsiderohet si solide por me çmimet që ka jo gjithmonë si një sigurues i aftë për konkurrencën, në të ardhmen do të futet më me agresivitet në treg. (...) Mbetet një shije e hidhur, sepse edhe në këtë rast koncerni s´ia doli që të fitojë aftësinë e konkurrencës pa shkurtuar vendet e punës. Një kapitullim ndaj mekanizmave të tregut, kështu mund ta kuptosh këtë, nën moton: globalizimi gëlltit fëmijën e vet", nënvizon "Norbayerische Kurier".

Kalojmë në temën e dytë Botërori 2006 në Gjermani që ka si moto "bota mysafir tek miqtë". Gazeta "Augsburger Allgemeine" komenton: "Edhe nëse kombëtarja gjermane të shtunën do të humbasë në raundin e dytë, s´kemi përse të shqetësohemi më për Kampionatin Botëror. Në pjesën e parë të tij duket, se Gjermania s´ka për të dalë më e humbur. Ajo është bërë ashtu siç e kanë dëshiruar atë të gjithë prej kohësh: një spektakël shumëngjyrësh, i kthjellët, komod dhe i këndshëm. Një përzierje fine mes Bundesligës, ditës së kishës dhe koncerteve të rrokut. Por për të festuar s´ka vetëm në aspektin sportiv. Vendi po tregon një patriotizëm simpatik, që qëndron i çlirët krahas emocioneve të kombeve të tjera", vëren "Augsburger Allgemeine".

Në të përditshmen berlineze "Der Tagesspiegel" lexojmë: "Eshtë vet Kampionati Botëror, që po i detyron të heshtin neonazistët dhe partinë nacional-demokrate. Të habit fakti se si demagogët e murmë janë strukur prej patriotizmit masiv paqësor e të gëzueshëm të tifozëve gjermanë të futbollit. Ata e ndjejnë, se kushdo që shfryn parrulla urrejtjeje në orgjitë e ngjyrave zi-kuq-verdhë të flamurit, demaskon vetveten. Një ideolog i skenës së djathtë së fundi në një intervistë deklaroi, "partia nacional-demokrate do të dukej si një trazues i paqes me demonstrimin e saj në këtë kohë përballë patriotëve të futbollit." Jo gjithçka është provokim. Ai siç duket e ka kuptuar, se Kampionati Botëror s´mund të jetë tribunë për spektaklet e racistëve", nënvizon "Der Tagesspiegel".

Së fundi një temë e pazakontë komentesh në shtyp, por që prej javësh po preokupon opinionin në Gjermani. Një ari i murmë, i quajtur Bruno, ka ardhur nga Tiroli dhe është shndërruar në problem për Bavarinë. Sa herë që shfaqet në ndonjë fshat Brunoja bën ndonjë zullum, ha ndonjë dele dhe zhduket. Ndërsa ekipet e ekspertëve s´po ia dalin ta zënë atë. Një citat nga komenti i "Wetzlarer Neue Zeitung": "Në vend që të gëzohemi, se sërish kemi në vend një lloj kafshe të rrallë dhe ta mbrojmë atë, ariu po bëhet një faktor rreziku, si në përrallat e vëllezërve Grim. Bruno s´është i vetmi ari që shkel tokën gjermane. Gjithmonë do të vijnë arinj nga Tiroli, ku ka kafshë që kalojnë edhe tek ne. Italianët i tolerojnë arinjtë e tyre, ndërsa në Gjermani Brunoja është bërë problem. Le t´i urojmë ariut që të jetë më i shkathët se politikanët dhe gjahtarët e tij, në mënyrë që sa herë ata ta ndjekin ai të jetë një hap para tyre", ironizon "Wetzlarer Neue Zeitung".

  • Data 23.06.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArpI
  • Data 23.06.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArpI