1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Po hapet rruga për mbajtjen e referendumit

26 Korrik 2018

Kuvendi i Maqedonisë zgjodhi përbërjen e re të Komisionit Shtetëror Zgjedhor duke krijuar me të kushtet për organizimin dhe realizimin e referendumit të paralajmëruar në vjeshtë për Marrëveshjen me Greqinë.

https://p.dw.com/p/327LB
Mazedonien Parlament in Skopje
Fotografi: picture-alliance/dpa/EPA/G. Licovski

Deputetët pritet së shpejti në seancë të Kuvendit të shpallin referendumin, i cili siç është paralajmëruar do të mbahet më 30 shtator. Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se beson se deri më 30 korrik Kuvendi do të sjellë vendim për shpalljen e referendumit, të cilin do ta organizojnë edhe pa VMRO-DPMNE-në opozitare në rast se nuk arrihet marrëveshje me ta. Kryeministri tha se ata janë të hapur për debat për pyetjet nëse referendumi do të jetë konsultativ apo obligativ. Dallimet kanë të bëjnë me pyetjen dhe formën e referendumit. LSDM-ja në pushtet kërkon që pyetja të jetë e lidhur me anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE ndërsa VMRO-ja e opozitës kërkon që pyetja të ketë për bazë ndryshimin e emrit të shtetit, që është edhe esenca e marrëveshjes me Greqinë.

"Për këtë arsye kemi parashtruar pyetje - A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO përmes përkrahjes së Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë. Nga opozita morën kundër pyetjen: A jeni për përkrahje të Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila tërësisht e shkatërron gjuhën maqedonase, identitetin maqedonas, kulturën maqedonase dhe veçorinë kombëtare të Maqedonisë. Kjo nuk është e saktë dhe ne nuk mund t'u parashtrojmë pyetje të tillë qytetarëve", ka thënë kryeministri Zaev. Kryeministri apelon që referendumi të mbahet si proces i suksesshëm dhe me këtë rast të garantohet validiteti dhe vlerësimi edhe i atyre që do të votojnë pro edhe i atyre që do të votojnë kundër.

Akuza të ndërsjella pro dhe kundër referendumit

LSDM-ja pretendon se pas refuzimit të opozitës nuk qëndron pyetja e referendumit, por në fakt kërkesa për amnistinë e zyrtarëve të saj të përfshirë për ngjarjet e dhunshme në Kuvend më 27 prill. "VMRO-DPMNE më nuk ka arsyetim për sjelljen antishtetërore. VMRO-DPMNE tani duhet të tregojnë përgjegjësi dhe seriozitet, të përkrahin referendumin për ardhmërinë e Maqedonisë dhe t'ju lejojnë qytetarëve që të vendosin. Qytetarët do të shfrytëzojnë instrumentin më të lartë demokratik, qytetarët do të vendosin për BE dhe NATO, nëpërmjet pranimit të Marrëveshjes me Greqinë", thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Të vetmit që bllokojnë Maqedoninë dhe e rrezikojnë të ardhmen e qytetarëve janë Zoran Zaev dhe karteli kriminal i LSDM-së, ka reaguar përmes një komunikate partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Sipas kësaj partie, vetëm ditëve të fundit funksionar të lartë të LSDM-së janë kapur në vepër se si vjedhin 45 milionë euro para të popullit. "Për këtë krim dhe dhjetëra raste të tjera të marrëveshjeve kriminale, skandaloze dhe të turbullta të këtij pushteti shumë shpejt do të ketë përgjegjësi. Ky pushtet jopopullor do të bjerë, populli i Maqedonisë do të fitojë, ndërsa gjykata do të lirohet nga kthetrat e Zaevit dhe LSDM-së dhe për çdo krim ky pushtet do të paguajë dhe përgjigjet”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së

Referendumi në interes të qytetarëve e jo të partive

Maqedonia ndodhet në momente shumë të rëndësishme, ndaj edhe partitë duhet të bëjnë përpjekje për arritjen e një kompromisi për referendumin thonë njohësit e çështjeve politike. Partitë duhet të punojnë për arritjen e një kompromisi, por që do të ketë për bazë përcaktimet ligjore për organizimin e referendumit ku është e përcaktuar qartë se si duhet të formulohen pyetjet dhe nëse duhet të përfshijnë një apo më shumë çështje. Kjo çështje nuk ka të bëjë me interesat e njërës apo tjetrës parti, por këtu kemi të bëjmë me interesat e të gjithë qytetarëve, ndaj edhe të dyja palët duhet të punojnë që të ketë një marrëveshje, thekson analisti Vlladimir Bozhinovski. Pyetja e referendumit duhet të jetë e qartë dhe të ketë për bazë marrëveshjen për emrin.

 "Esenca e pyetjes së referendumit duhet të jetë në kontekst të marrëveshjes për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Është absurde të formuloni pyetjen se a jeni për anëtarësim në NATO dhe BE, kur kjo çështje aspak nuk përmendet në marrëveshjen me Greqinë. Pra, pyetja duhet të jetë e pastër dhe e kuptueshme”, thotë Vlladimir Bozhinovski.

Profesori i së drejtës kushtetuese Svetomir Shkariq thotë, se pyetja e referendumit duhet të ketë për bazë marrëveshjen për emrin dhe qytetarët me këtë sipas tij duhet të njihen me të gjithë përmbajtjen e saj, e cila zgjidh një problem shumëvjeçar.

"Do të ishte mirë që në referendum të parashtrohet pyetja që ka të bëjë kryesisht me marrëveshjen. Çdo qytetar kur të dalë në referendum dhe kur të marë fletën e votimit së pari do ta ketë parasysh se marrëveshja del nga rezolutat e OKB-së, se me të kapërcehen mosmarrëveshjet me Greqinë për çështjen e emrit dhe me këtë vendi do të ketë një emër përfundimtar”, thotë Shkariq.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut