Shkup: Opozita bllokon Kuvendin - kërkon zgjedhje paralamentare | Ballkani | DW | 06.05.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Shkup: Opozita bllokon Kuvendin - kërkon zgjedhje paralamentare

VMRO-DPMNE-ja do ta bllokojë punën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, nëse shumica parlamentare refuzon kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

"Do të nisim me bllokimin e punës së kuvendit. Bllokimi i punës do të përfshijë gjithçka përveç nëse do të ketë ligje për rritje pagash apo për ndonjë ndihmë për qytetarët. Gjithçka tjetër do të bllokohet nga Grupi Parlamentar i VMRO- DPMNE-së qoftë përmes amendamenteve apo fjalimeve në komisionet parlamentare”, ka deklaruar Mickoski. Sipas tij qeveria aktuale nuk e ka legjitimitetin për të vazhduar me qeverisjen e vendit.

Edhe opozita shqiptare pro zgjedhjeve

Kryetari i Lëvizjes BESA Bilall Kasami ka thënë se do t'i bashkangjiten nismës së VMRO-DPMNE-së për bllokimin e kuvendit. Sipas tij qeveria aktuale ka humbur kredibilitetin dhe zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

"Qeveria ka humbur kredibilitetin pas dështimit për të marrë datë për negociata. Duke pasur parasysh krizën ekonomike, energjetike dhe gjithë krizat e tjera, ne vlerësojmë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje parlamentare. Ne jemi për bllokadë aktive të kuvendit ”, është shprehur Kasami.

Për zgjedhje të parakohshme parlamentare është edhe partia opozitre shqiptare Aleanca për Shqiptarët. "Shumica parlamentare nuk ka asnjë lloj legjitimiteti. Kjo qeveri u formua pas dorëheqjes së Zoran Zaevit përmes kombinimeve të ndryshme vetëm për sigurimin e votave. Legjitimiteti fitohet nga qytetarët, prandaj duhet të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka bërë të ditur Aleanca për Shqiptarët.

LSDM: Bllokimi është rrugë e gabuar

Kjo që po bën VMRO-DPMNE-ja është gjëja më e papërgjegjshme që mund të bëjë dikush gjatë krizës më të madhe ekonomike, energjetike, shëndetësore dhe ushtarake në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, thotë kryeministri i RMV-së Dimitar Kovaçevski. Ai  nuk do të pranojë takim liderësh për zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe pse VMRO-DPMNE-ja ka vendosur të bllokojë kuvendin. 

"Mbajtje takimesh nën shantazhe dhe kërcënime, janë të papranueshme për socialdemokratët. Kaluan kohërat kur VMRO-DPMNE-ja bënte zgjedhje çdo dy vite vetëm për përfitime personale. Tani është koha  të menaxhojmë krizën”, është shprehur Kovaçevski. Kryeministri thotë se kanë shumicë të qendrueshme dhe qeveri nga zgjedhje të rregullta do të ketë në vitin 2024.

Grubi: Bllokimi i kuvendit akt destabilizues

Nënkryetari i qeverisë Artan Grubi vlerëson, se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk i shërbejnë vendit por strukturave që synojnë destabilizimin e rajonit.

"Qytetarëve nuk iu duhen paparashikueshmëri, qytetarëve nuk iu duhen aventura të zgjedhjeve, sepse ato iu duhen vetëm agjendave destabilizuese të rajonit, të cilat i bën dikush tjetër. Pra, neve na duhet një qeveri e përgjegjshme, sociale, e cila e dëgjon qytetarin dhe i realizon projektet”, thotë Grubi.

Ish-deputeti dhe analisti Abdylhadi Veseli vlerëson se bllokimi i kuvendit është hap i dhunshëm që ka për qëllim t'i shkaktojë dëme vendit duke penguar dy proceset kryesore, të cilat e presin siç janë hapja e Kushtetutës dhe arritja e ndonjë marveshjeje me Bullgarinë.

"Bllokimi i kuvendit është akt i dhunshëm ndaj sistemit në përgjithësi. VMRO-DPMNE-ja  do të jetë kundërshtare më e madhe edhe ndaj popullit të vet por edhe ndaj popullit shqiptar, por edhe ndaj fillimit të negociatave me BE-në”, thekson Abdylhadi Veseli.