1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Miratohet ligji për regjistrimin e popullsisë

21 Janar 2021

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. Votave të shumicës parlamentare iu bashkangjitën edhe votat e opozitës shqiptare që ishin vendimtare për kalimin e tij.

https://p.dw.com/p/3oFGv
Nordmazedonien | Skopje | Sitzung des neuen Parlaments
Fotografi: DW/F. Musliu

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut me 62 vota “pro”, asnjë “kundër” dhe asnjë “abstenim” dhe me miratoi Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. Votat e opozitës shqiptare ishin vendimtare për kalimin e këtij projektligji të diskutueshëm. Regjistrimi i popullsisë do të realizohet në prill të këtij viti, 19 vjet nga regjistrimi i fundit i realizuar në vitin 2002.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev deklaroi, se është turp që vendi  për 20 vjet nuk e ka realizuar procesin e regjistrimit të popullsisë. Zaev ka qenë këmbëngulës në mbështetje të këtij procesi, i cili sipas tij do të ndihmojë në krijimin e politikave ekonomike të vendit.

"Mbetemi të përkushtuar në zbatimin e suksesshëm të procesit të regjistrimit, jam i bindur se do të kemi një operacion statistike të suksesshëm, i cili do të japë rezultate të sakta që  do të na ndihmojnë në krijimin e politikave ekonomike, zhvillim rajonal të barabartë dhe mbrojtje shëndetësore ", u shpreh Zaev.

Opozita maqedonase braktis seancën gjatë votimit

Miratimit të Ligjit u parapri nga debat i ashpër mes partive në pushtet dhe partisë opozitare maqedonase VMRO DPMNE, e cila e bojkotoi votimin e Ligjit për regjistrim. Opozita maqedonase vlerëson, se regjistrimi nuk do të tregojë numrin real të popullsisë, në veçanti përqindjen e shqiptarëve në shtet. VMRO-DPMNE është kundër përfshirjes së qytetarëve që jetojnë përkohësisht jashtë vendit në numrin e përgjithshëm të popullsisë, meqënëse kjo, sipas kësaj partie, do t'i prishte shifrat reale të popullatës që jeton në Maqedoninë e Veriut. VMRO-DPMNE-ja ka nisur me mbledhjen e nënshkrimeve për anulimin e Ligjit për regjistrim, duke paralajmëruar se nuk do t'i njohë rezultatet e tij.

"Ligji nuk ka asgjë të përbashkët me standardet evropiane dhe se licitimi i parakohshëm me numra dhe përqindje të popullsisë vërteton se do të jetë një proces politik dhe jo një proces statistikor”, vlerëson koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski.

Edhe pas miratimit, vazhdojnë dyshimet në ligjin për regjistrim

Edhe pse e votuan ligjin, opozita shqiptare përsëriti vërejtjet duke theksuar mungesën e metodologjisë se si do të realizohet votimi dhe se nuk kanë besim në Entin Shtetëror të Statistikës. Propozimi i Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për formimin e Komisionit Shtetëror për Regjistrim është refuzuar nga shumica parlamentare.

Deputeti i BDI-së Arbër Ademi thotë se komisioni shtetëror për regjistrim i formuar nga përfaqësues politik dështoi para 10 viteve.

"Propozimi është një dallim thelbësor konceptual dhe u tregua i pasuksesshëm në vitin 2011. Ndaj ky propozim është i papranueshëm”, thotë  Arbër Ademi.

Sipas deputetes së LSDM-së Snezhana Kalevska Vançeva, nëse do të formohej komision sipas propozimit të opozitës, atëherë i bie që politika do të futet në regjistrim.

"Komisioni i përbërë nga përfaqësues të partive politike do të thotë ta fusim politikën në një proces statistikor. Qëndrimi i shumicës parlamentare është që politikën duhet ta përjashtojmë nga ajo që do të thotë operacion më i rëndësishëm statistikor”, deklaron Snezhana Kalevska Vançeva.

Megjithatë opozita maqedonase mbetet në dyshimet se regjistrimi do të jetë proces politik.