1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkrirja e akullnajave në Himalaja - Një rrezik i vërtetë?

Mimoza Cika-Kelmendi30 Nëntor 2010

Sipas një studimi të një konsultuesi britanik sigurimesh "Maplecroft", Bangladeshi dhe India janë dy vendet të kërcënuara më së shumti nga ndryshimet klimaterike. Të dyja këto vende janë të varura nga ujërat e lumenjve

https://p.dw.com/p/QLzJ
Shkrirja e akullnajave në Himalaja
Shkrirja e akullnajave në HimalajaFotografi: DW/Hörig

Mali më i lartë në botë, Himalaja, është një nga "pikat e nxehta" të ndryshimit të klimës në mbarë botën. Po qe se shkrirjnë akullnajat e atjeshme, Bangladeshin dhe Indinë e kërcënon thatësira. Një vizitë në provincën më veriore në Indi, Ladakhun, i cili nga ana kulturore dhe e peizazhit i përket malësive tibetiane.

Moti i keq i gjen banorët në Ladakh të papërgatitur


Ladakh është një shkretërirë e lartë, 3.500 deri në 7.500 metra mbi nivelin e detit në hijen e vargmaleve të Himalajës. Këtu nuk bie më shumë shi se në Sahara. Prandaj furtuna e natës së 6 gushtit këtë vit i gjeti të papërgatitur banorët e kësaj zone.

Shtëpia e fermerit Karma Jamyang
Shtëpia e fermerit Karma JamyangFotografi: DW/Hörig

"Atë natë moti ishte shumë i keq. Rrufetë ndiçonin qiellin, bubullimat trondisnin malet, dhe pastaj filloi të bjerë shi me shumë rrëmbim. Nuk ra shumë shi, po ai që ra ishte kaq i furishëm, i paparë kurrë më parë".

Moti i keq e pati pikënisjen në Çoglamsar, rreth 10 kilometra nga Lehu, kryeqyteti i Ladakhut. Atje gjendet shtëpia e Karma Jamyang. Fermeri dhe familja e tij i mezi shpëtuan.

"Papritur shpërtheu dera, ujë dhe baltë vërshuan brënda. Na kapi paniku, donim të iknim, po ku? Djathtas dhe majtas ujëra që vërshonin, baltë dhe gurë. Ne u ngjitëm në çati, por nuk ishim të sigurtë, do t'i rezistonte shtëpia valës së përmbytjes? Patëm frikë për vdekje dhe iu lutëm zotave të na shpëtonin".

Pamje nga kryeqyeti Ladakhut
Pamje nga kryeqyeti LadakhutFotografi: DW/Hörig

Karma Jamyang në këto orë humbi gjithçka, mall e shtëpi mbetën të varrosura në baltovinën disametërshe të lartë. 200 vetë humbën nga furtuna 6 gushtit. Furnizimi me energji elektrike dhe rrjeti telefonik u shkatërrua tërësisht.

Studjuesit flasin për ndryshim të klimës në Himalaje

Stuhia e shirave në gushtin e shkuar nuk ishte e para në Ladakh, por ishte shumë e fuqishme. Ndoshta edhe një pasojë e ndryshimit të klimës në mbarë botën, siç pretendojnë metereologët në Indi. Sipas të dhënave të Institutit Studimor Ndërkombëtar për Rajonin e Himalajës dhe Hindukushit në Katmandu, klima në malësitë e rajonit tregon shenja të ngrohjes globale më shumë se në rajonet e tjera. Edhe Agjencia Franceze e Zhvillimit GERES ka publikuar vitin e kaluar një studim për ndryshimin e klimës në Himalajën indiane. GERES i krahasoi të dhënat e stacionit metereologjik të 35 viteve të fundit në Ladakh dhe pyeti disa qindra banorë. Punonjësi i kësaj Agjencie, Samten Choephel përmbledh:

"Matjet e stacionit metereologjik në Leh mbështesin tezën se temperatura më e ulët e dimrit është rritur me një gradë. Ndërsa temperaturat më të larta në verë janë rritur me një gjysmë grade".

Shumica e banorëve në këtë rajon e konfirmuan këtë tendencë, mendon Choephel. Anketimi tregoi gjithashtu se në dimër ka filluar të bjerë më pak dëborë dhe moti është bërë më i ngrohtë. Shumë fermerë kanë vëzhguar që pemët e tyre frutore lulëzojnë më herët, zogjtë shtegtarë qëndrojnë më gjatë, dhe se mund të korrësh grurë madje edhe në tokat më në lartësi. Në një klimë të thatë që është tipike për Ladakhun, bujqësia është e varur nga ujitja artificiale. Por po qe bie më pak dëborë dhe në të njëjtën kohë rriten edhe temperaturat, akullnajat nuk shtohen, por shkrijnë. Njerëzit në Ladakh i ndjejnë që sot pasojat e këtyre ndryshimeve.

Provinca veriore e Indisë, Landakhut
Provinca veriore e Indisë, LandakhutFotografi: DW/Hörig

Akullnajat, burim i ujit që përdoret nga banorët

Samten Choephel thotë: "Shumica e banorëve, do të thoja 80% janë të varur nga ujërat që vijnë nga shkrirja e akullnajave, ujë që përdoret për të pirë, për të gatuar apo për të ujitur fushat. Nga njëra anë bie më pak borë, nga ana tjetër vera bëhet më e ngrohtë. Rezultati - akullnajat shkrirjnë më shpejt. Por këto ujëra futen me vonesë nëpër lugina. Për mbjelljet e prillit ka shumë pak ujë. Shumë fermerë humbasin kështu të mbjellat".

Studimi i ndikimeve që sjell shkrirja e akullnajave të Himalajës është në fillimet e tij. Vetëm vitin e kaluar qeveria në Indi ngriti një qendër për studimin e akullnajave në qytetin e Himalajës, Dehra. Dr. Dwarijka Dhobal është një nga ekspertët më të njohur:

Duhet të gjejmë patjetër se ç'ndikime ka ndryshimi i klimës tek akullnajat. Për këtë duhet t'i vëzhgojmë këto sipërfaqe akulli për rreth dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Sipas mendimit tim të gjitha akullnajat e Himalajës po zvogëlohen. Sigurisht ka dallime të mëdha mes tyre. Por shumica e atyre akullnajave që kthehen edhe në burime ujore, zvogëlohen me 5 deri në 20 metra në vit. Edhe vëllimi i shtresave të akullit hollohet me 30 cm në vit".

Gjatë konferencës ndërkombëtare për klimën në Cancun të Meksikës, shtetet e Jugut do të kërkojnë nga vendet e industrializuara më shumë fonde për të financuar ndryshimet e klimës në këto vende dhe pranimin e përgjegjësisë historike kundrejt njerëzve si Karma Jamyang.

Autorë: Rainer Hörig/Lindita Arapi

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi