1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260510 AI Jahresreport 2010

27 Maj 2010

Përgjegjësit për shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjithë botën duhet të nxirren më dendur para drejtësisë. Këtë e kërkon në raportin e saj vjetor për vitin 2009 Amnesty International, e cila analizon 159 vende.

https://p.dw.com/p/NYEj
Raporti i Amnesty International 2010
Raporti i Amnesty International 2010Fotografi: picture alliance/dpa

"Viti filloi nga pikëpamja e të drejtave të njeriut me një lëvizje të fuqishme: në mars 2009 u nxorr urdhër arresti kundër presidentit të Sudanit, Omar al-Bashir. Kjo është hera e parë që një kryetar shteti në pushtet akuzohet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, për shkak të shkeljeve masive të të drejtave të njeriut."

Kështu u shpreh sekretarja e përgjithshme e AI në Gjermani, Monika Lüke, duke prezantuar raportin vjetor 2010. Gjykata Penale Ndërkombëtare, e themeluar në vitin 2002 e nxorri urdhër arrestin.

Claudio Cordone, Sekretari i Përgjithshm i AI.
Claudio Cordone, Sekretari i Përgjithshm i AI.Fotografi: AP

Ndërkohë, janë 111 shtete që kanë ratifikuar statutin e Gjykatës, duke shprehur kështu detyrimin për ndjekje penale të shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut. Por ka akoma shtete, të cilat aktualisht i bëjnë bisht kësaj përgjegjësie - midis tyre janë SHBA, Rusia, Kina, Indonezia dhe Turqia. Kjo duhet të ndryshojë, thekson Lüke. Megjithëkëtë, janë ngritur ndërkohë pesë aktakuza, kundër tetë personave të tjerë janë nxjerrë urdhëra arresti.

Me forcë tërhoqi vëmendjen Lüke për shkeljet e të drejtave të njeriut në Sri Lankë, në Izrael dhe Palestinë si dhe në Republikën Demokratike të Kongos. Në Rusi, gjendja e të drejtave të njeriut është "katastrofike" - edhe nën presidentin e ri Medvedjev: "Ai që angazhohet në Moskë ose në Kaukazin Verior për të drejtat e njeriut, i hyn rrezikut që ta vrasin."

Edhe përmbledhja e AI për politikën e presidentit të SHBA, Barack Obama është deziluzionuese. Kampi i të Burgosurve Guantanamo vazhdon të mos jetë mbyllur, thotë Lüke: "Rreth 50 të arrestuar që ndodhen aktualisht në Guantanamo do të mbahen edhe më tej në arrest, vetëm se jo në Guantanamo, në Kubë, por së shpejti në Thomson, në Illinois. Çfarë ndryshon këtu? Vetëm numri postar. Gjykatat e SHBA lejohen të përdorin edhe më tej pranime, që janë bërë nën tortura. "

Shkelje e të drejtave të njeriut në 159 vende
Shkelje e të drejtave të njeriut në 159 vendeFotografi: AP
Sekretarja e përgjithshme e AI në Gjermani, Monika Lüke.
Sekretarja e përgjithshme e AI në Gjermani, Monika Lüke.Fotografi: picture alliance/dpa

Para pak ditësh ishte në Kinë presidenti federal Horst Köhler. Ai dorëzoi atje një listë me emra të mbrojtësve të të drejtave të njeriut, që janë arrestuar dhe u lut për informacione. Lüke shpreson që midis emrave të jetë edhe ai i Liu Xiaobos, një mbrojtësi të të drejtave të njeriut, që u dënua në dhjetor 2009 me 11 vjet arrest.

Për Iranin, viti 2009 ishte shumë i errët përsa u përket të drejtave të njeriut: "Veçanërisht që prej zgjedhjeve më 12 qershor të vitit të kaluar, në Iran shkelen masivisht dhe sistematikisht të drejtat e njeriut. Pati periudha kur kanë qenë arrestuar mbi 5.000 opozitarë. Akoma Ahmadinexhadi, presidenti iranian vazhdon të mbajë 300 të burgosur politikë në burgje, pa proces gjyqësor. Gratë i përdhunojnë sistematikisht."

Në procese farsa në 2009 u dënuan mbi 80 kundërshtarë politikë, të paktën 16 prej tyre me vdekje.

Autor: Sabine Ripperger/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama