Shkallëzim i ri në Palestinë | Bota | DW | 06.06.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shkallëzim i ri në Palestinë

Trysnia mbi presidentin palestinez Mahmud Abas është e madhe. Ndihmat financiare për palestinezët janë ngrirë dhe mosbesimi i Perëndimit ndaj qeverisë së re të Hamasit është i madh. Në fakt Abas donte të miratohej sot një deklaratë parimore mbi kursin e ri të palestinezëve, mbi shtetin e ardhshëm të Palestinës dhe njohjen e Izraelit të lidhur me këtë; por ultimatumi për Hamasin kaloi. Tani presidenti kërkon t'ia bëjë këtë pyetje popullit në referendum, po të jetë nevoja kundër vullnetit të Hamasit.

Presidenti palestinez Mahmud Abas

Presidenti palestinez Mahmud Abas

Projektdekreti për referendumin gjendet që pasditen e së hënës mbi tryezën e Mahmud Abasit, kryetarit të autoriteteve autonome. Kjo mësohet prej rrethit të tij. Një shenjë kjo që Abasi e ka seriozisht dhe nuk do të lëshojë pe kundrejt Hamasit. Po ashtu presidenti u takua me komisionin zgjedhor, i cili do të organizojë referendumin.

Të hënën paradite u mblodh këshilli ekzekutiv i Organizatës për Çlirimin e Palestinës për t'i dhënë dorë të lirë për referendumin Abasit. Deri në fund të javës presidenti do të përcaktojë një datë për votimin. Mendohet që kjo do të jetë në korrik.

Deri në minutën e fundit përfaqësues të lëvizjeve të ndryshme politike bisdeuan me njëri-tjetrin dhe u përpoqën të arrinin një kompromis mes Abasit dhe Fatahut të tij si dhe lëvizjes Hamas të kryeministrit Ismail Hanija. Më kot, edhe një telefonatë 70 minutëshe dje midis Abasit dhe Hanijës nuk solli gjë.

I ashtuquajturi "dokument i të burgosurve", për të cilin Abasi do që të votohet në referendum, është një deklaratë e përpiluar nga disa të burgosur palestinezë që vuajnë në burgjet izraelite, nga të burgosur të Fatahut dhe të Hamasit. Në fakt këtu lëvizje janë në armiqësi. Në deklaratë nuk kërkohet një shtet palestinez në gjithë Palestinën historike, por vetëm në territoret që Izraeli i mban të pushtuara prej thuajse 40 vjetësh. Kjo do të thoshte pra një njohje e Izraelit, një hap që Fatahu e bëri para shumë vitesh, por për të cilin Hamasi vazhdon të mos jetë i gatshëm.

Në rast se zgjedhësit palestinezë do ta miratonin këtë dokument, atëherë qeveria autonome e udhëhequr nga Hamasi do të ishte e detyruar ta korrigjonte kursin e vet dhe të jepte dorëheqjen.

Nga Hamasi erdhën sinjale kundërthënëse ditët e fundit. Njëherë u tha se Abasi kërkonte t'i shpallte luftë qeverisë së zgjedhur, referendumi ishte i paligjshëm. Hamasi do tu bëjë thirrje për bojkotim përkrahësve të vet. Pastaj u tha se deklarata e të burgosurve nuk kundërshtohej tërësisht. Dallime ka vende në vetëm pak pika. Me ca më shumë kohë zgjidhja me mirëkuptim është e mundur. Nuk jemi të gatshëm të na i diktojnë gjërat.

Me sa duket Mahmud Abasi po ia jepo Hamasit kohën e kërkuar, ultimatumi po zgjatet me tri ditë, u tha sot nga komiteti ekzekutiv i OÇP-së.

Megjithatë Abasi duket i vendosur që në rast nevojë do zhvillojë referendumin kundër vullnetit të Hamasit. Kjo edhe për faktin se ai e sheh atë si mjet për rikthimin e qeverisë izraelite në tryezën e bisedimeve. Një fitore në referendum synon ta kthejë Abasin nv partner të besueshëm, i cili ka përkrahjen e shumicës së popullit në bisedimet për zgjidhjen me model dy shtetesh të konfliktit të shekullit.

Tani të dyja palët kanë 40 ditë kohë për vazhdimin e bisedimeve, por matja e forcave mes Hamasit dhe Fatahut ka arritur kulmin. Veprimtarët e të dyja palëve janë armatosur deri në dhëmbë dhe në Rripin e Gazës ka vazhdimisht shkëmbime zjarri. Ende përleshjet janë të kufizuara në hapësirë dhe kohë, por shqetësimi është i madh se nga kjo mund të lindë një luftë civile e mirëfilltë.

  • Data 06.06.2006
  • Autor Carsten Kühntopp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLL
  • Data 06.06.2006
  • Autor Carsten Kühntopp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLL
Reklamë