Shkallëzim dramatik i situatës në Lindjen e Mesme | Politika | DW | 13.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Shkallëzim dramatik i situatës në Lindjen e Mesme

Situata në Lindjen e Mesme po acarohet edhe më tepër: pas përshkallëzimit të dhunës në Rripin e Gazës para më shumë se një jave, tashmë do të ishte jo i vërtetë edhe pohimi se është ende në fuqi armëpushimi i vendosur prej gjashtë vitesh në kufirin izraelito-libanez.

Raketat izraelite godasin aeroportin libanez

Raketat izraelite godasin aeroportin libanez


Një fjalë e vetme me gërma të mëdha bie në sy në gazetat izraelite të së enjtes "Milhamam" "Luftë". Në fillim të pushimeve verore vendi është zhytur në një vorbull kërcënimesh, kundërkërcënimesh dhe shkallëzimi ushtarak.

Në jug, trupat izraelite luftojnë në Rripin e Gazës - dhe numri i viktimave në radhët e popullsisë palestineze është rritur në mënyrë të konsiderueshme. Edhe në veri, konfrontimi me milicët libanezë është përshkallëzuar në një konflikt të përgjakshëm: natën duke gdhirë dita e enjte, aviacioni ushtarak izraelit sulmoi objekte në Libanin e jugut dhe aeroportin ndërkombëtar të Bejrutit.

Sipas të dhënave libaneze, u vranë dyzina njerëzish, shumica e tyre me sa duket civilë. Aeroportin e mbyllën. Në Libanin e Jugut u goditën urat dhe autostrada që con në Bejrut. Në Veri të Izraelit, sot në mëngjes ranë një seri raketash Katjusha. Në Naharija u godit një shtëpi banimi. Një grua u vra, të paktën 12 vetë u plagosën. Popullatës në lokalitetet përgjatë kufirit iu bë thirrje që të qendrojë në bunkerë, shumica e tyre e patën kaluar atje natën.

Qeveria izraelite vendosi të mërkurën një përgjigje të gjerë ushtarake ndaj sulmit të milicëve shiitë hizbollah. Pas një mbledhjeje urgjente të kabinetit të sigurisë në Tel Aviv, në një deklaratë me shkrim u bë e ditur se Izraeli bën përgjegjëse qeverinë e Bejrutit për sulmin ndaj një patrulle ushtarake. Në këtë sulm, të mërkurën u vranë tetë ushtarë izraelitë dhe u rrëmbyen dy. Do të reagohet në mënyrë të përshtatshme dhe me forcë, u bë e ditur më tej.

Ministri i mbrojtjes, Amir Perez tha se Izraeli do ta kapërcejë këtë herë shkallën e kërcënimeve dhe do të kalojë menjëherë në veprime. Synimi është që hizbollatë në Liban të goditen kaq fort, sa të bëhen pishman që kanë sulmuar Izraelin. Shefi i Hizbollave, sheiku Hasan Nasrallah deklaroi ndërkohë se dy ushtarët e rrëmbyer do të këmbehen vetëm me të burgosur në burgjet izraelite. Nuk ekziston asnjë mundësi tjetër për t'i çliruar ata.

Politikanë të opozitës kërkojnë në Izrael veprime edhe më të vendosura. Pas ngjarjeve të së mërkurës Izraeli nuk mund të kalojë thjesht në pikën pasuese të rendit të ditës. Një ish-gjeneral rekomandoi që të shkatërrohet gradualisht e gjithë infrastruktura e Libanit.

Nga acarimi i situatës në veri është prekur edhe ekonomia izraelite. Të mërkurën kurset e aksioneve në bursën e Tel Avivit pësuan rënie. Veriu i Izraelit është një vend i preferuar për ekskursione para së gjithash për turistë vendas.

  • Data 13.07.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqpD
  • Data 13.07.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqpD