1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shiraku kërcënon me armë atomike

20 Janar 2006

Presidenti i Francës, Zhak Shirak, ka kërcënuar shtetet që duan ta cënojnë me mjete terroriste vendin e tij me përdorimin e armëve bërthamore. Komentatorët në shtypin gjerman reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj këtyre deklaratave.

https://p.dw.com/p/Arrn
Fotografi: AP

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan: "Një ndër kompetencat e padisktueshme të presidentit francez është edhe, se ai ka fjalën e fundit kur duhet të vendoset për përdorimin e armëve kombëtare bërthamore. Prej kësaj kuptohet, se përse ai e shpalli hapur doktrinën, ku konsiston ky vendim. Nuk të befason fakti, që një rol këtu luajnë shtetet që e nxisin ose e përdorin terrorizmin. Nuk është rastësi që ai shprehimisht foli për shtetet, që duke shkelur marrëveshjet përpiqen të zhvillojnë armë atomike. Ky është një sinjal ndaj Teheranit, që jo vetëm Amerika, por edhe Evropa e ka seriozisht, madje shumë seriozisht çështjen e programit bërthamor iranian", shkruan "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Në të kundërt gazeta ekonomike "Handelsblatt" vëren: "Presidenti nuk mund të besojë seriozisht, që ai mund të mbulojë dështimin e diplomacisë duke vënë shënjestrën tek armët bërthamore. Atij i duhet të ketë parasysh konseguencat. Bota ankohet për rritjen e çmimit të naftës, që po i zënë frymën koniukturës botërore e në këtë mënyrë edhe asaj franceze. Shumë prej destinacioneve të nënkuptuara nga Shiraku janë pozicionuar pikërisht atje ku nxirret nafta. Ajo që ka ndërmend Shiraku është kundërproduktive, e kjo jo vetëm duke iu referuar Iranit", thekson "Handelsblatt".

Në këtë linjë komenton edhe "Manheimer Morgen": "Shiraku jo vetëm që po nxit konfliktin me Iranin, por me këtë deklaratë ai po heq tabunë ndaj përdorimit të armëve bërthamore për sulme të caktuara. Kjo është një lojë e rrezikshme me zjarrin. Presidenti me këtë thyerje tabuje nuk alarmon vetëm Iranin. Shiraku po ngjall edhe frikën për shkallëzimin e krizës", nënvizon "Manheimer Morgen".

Ndërsa ne komentin e "Reutlinger General Anzeiger" lexojmë: "Që tani edhe presidenti francez Zhak Shirak po luan duke treguar muskujt dhe duke kërcënuar vende si Irani me hakmarrje atomike, mund të kupptohet në sfondin e shkallëzimit që po konturohet. Por propozimi i Shirakut nuk është menduar deri në fund. Atij i mungon çdo lloj legjitimiteti e madje edhe kredibiliteti për zabtimin. Për zgjidhjen e konfliktit duke rrespektuar të drejtat e njeriut ky propozim s´hyn në punë. Kërcënime të tilla nuk janë të përshtatshme për një shtet të civilizuar si Franca", tërheq vëmendjen komentatori i "Reutlinger General Anzeiger".

"Märkische Oder Zeitung" që del në Frankfurt mbi Oder merr nën lupë politikën e brendëshme franceze: "16 muaj përpara zgjedhjeve presidenciale ai që është në post konsiderohet si demode. Ndërsa gjatë trazirave të të rinjve që zgjatën për javë të tëra nëpër periferitë e qyteteve franceze Shiraku u zhduk nga faqja e dheut duke ia lënë fushën e betejës ministrit të brendshëm Nikola Sarkozi. Ndaj tani presidenti dëshiron të prezantohet si një drejtues i vendosur shteti, që nuk u lë asnjë shans terroristëve. Por kjo s´ka të bëjë aspak me një strategji të harmonizuar të BE-së kundër Iranit. Të tilla deklarata më shumë tingëllojnë si ala Bush, vetëm se disa pikë më poshtë. Sa keq që një Shirak me përvojë nuk angazhohet për çarmatimin, por për hakmarrjen. Mullahëve kjo as që do t´u bëjë përshtypje", komenton "Märkische Oder Zeitung".

Dhe së fundi një citat nga komenti i "Südkurier", gazeta e Konstancës: "Zhak Shirak po përdor kërbaçin e madh. Terroristët dhe ndihmësit e tyre nëpër pallatet qeveritare presidenti i shtetit i kërcënon me një armë të tmerrshme, të cilën e posedon Franca, me bombën atomike. Një fjalë e pushtetshme kërcënuese vjen pikërisht në një kohë që superfuqia ShBA është bllokuar në shkretëtirën Irakiane dhe po planifikon sulmin tjetër ndaj vendit fqinjë, Iranit. Kërcënimi me zë të lartë i Shirakut vështirë se do të bëjë përshtypje në rajon. Bomba atomike është një model i luftës së ftohtë. Në luftën kundër terrorizmit ajo s´ndihmon fare, sepse kundërshtari nuk trëmbet. Ai është i gatshëm të sakrifikojë jetën, vetëm e vetëm që të çojë të tjerë drejt vdekjes. Perëndimi nuk ka gjetur asnjë përgjigje, se si duhet t´i bëjë ballë kësaj sfide epokale", analizon "Südkurier".