1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sherri për karikaturat & Olimpiada dimërore

11 Shkurt 2006

Bundestagu debatoi mbi protetstat kundër karikaturave të Muhametit në shtypin evropian dhe bëri thirrje për dialog me islamin. Në komentete e sotme trajtohet edhe hapja e olimpiadës dimërore në Torino të Italisë.

https://p.dw.com/p/ArrR

Protetstat kundër karikaturave të Muhametit mbeten tema kryesore në periodikun gjerman. "Profzheimer Zeitung" rekomandon për këtë kurs: "Perëndimi do të bënte mirë, që ta zbuste situatën e shkallëzuar, në vend që të involvohet në një luftë të rrezikshme kulturash. Trumbentimi për lirinë e mendimit është i drejtë, por nuk të çon gjëkundi. (...) Me kohë duhet të fitojë arësyeja, se një parim i ri i partneritetit dhe bashkëpunimi ekonomik e politik mes Perëndimit dhe shteteve islamike është afatgjatë investimi më i mirë për paqen dhe lirinë, në vend të sigurimit të status quo-së me gardhe izolimi dhe njësi anti-terror", vëren "Pforzheimer Zeitung".

E përditshmja "Die Welt" e sheh Perëndimin në defensivë: "Qysh prej dy javësh po zien grindja e komanduar së largu dhe e inskenuar prej islamistëve për karikaturat. (...) Politikanë ekologjistë të majtë, që s´kanë asnjë problem kur ndonjë artist amerikan lyen kryqin me urinë, apo njollos me bajga elefanti virgjëreshën Mari, po zbulojnë tani një kulturë të re orientuese të rrespektimit të pakicave fetare. BE-ja reagoi pas sukseseve elektorale të Jërg Hajderit në Austri, por nuk ndërmorri asgjë për t´u ardhur në ndihmë danezëve që po e ndjejnë veten të kërcënuar prej bojkotit, dëmeve materiale dhe vrasjeve në emër të një besimi gjoja paqësor", komenton "Die Welt".

Ndërsa "Neue Ruhr/Neue Rhein Zeitung" hedh dritë në gjendjen shpirtërore të botës myslimane: "Pikërisht ato regjime, që refuzojnë të drejtat elementare civile dhe që në vendin e vet luftojnë opozitën e myslimanëve radikalë, janë duke i mobilizuar njerëzit nëpër rrugë. Ata indinjohen për grindjen lidhur me fotografitë për ta shkëputur vëmendjen prej problemeve të veta. Në rrugët e Damaskut, Bejrutit apo Xhakatërs në fakt synohet më shumë: kjo është trauma e botës islamike, që po vajton superioritetin e humbur në botën e globalizuar. Bota islamike e ndjen veten të keqkuptuar, të përçmuar dhe të ironizuar prej Perëndimit", nënvizon "Neue Ruhr/ Neue Rhein Zeitung".

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" e vë veten në rolin e teologut: "Pjesëmarrësit në grindjen për karikaturat, qofshin ata myslimanë apo të krishterë, duhet t´i pohojnë çdo ditë vetes pa u trembur, se çdo fe ka tendencën e vazhdueshme për fundamentalizëm e madje edhe për dhunë. (...) Besimi mund t´i çojë njerëzit drejt një dashurie sublime ose drejt një urrejtjeje të thellë, besimi mund të prodhojë martirë ose vrasës. Besimi ka anën e ndriçuar dhe atë të errët e vdekjeprurëse. Ndonjëherë mjafton një shkëndijë për të kapërcyer nga njëra anë tek tjetra", shkruan "Süddeutsche Zeitung".

Edhe dy zëra lidhur me olimpiadën dimorëre që u hap në Torino. "Mitteldeutsche Zeitung" shkruan: "Në antikitet gjatë garave olimpike uleshin armët, ndërpriteshin luftrat e madje ndonjëherë atyre u jepej fund vetëm për hir të olimpiadës. Ndërsa Torinoja dhe 84 vendimet olipmike nuk do ta qetësojnë as konfliktin për karikaturat e Muhametit, as nuk do t´i lirojnë pengjet gjermane në Irak dhe as nuk do ta zgjidhin grindjen atomike me Iranin. Por sidoqoftë pak frymë olimpike do të kenë mendjet dhe zemrat qoftë të myslimanëve apo të krishterëve, qoftë edhe të ateistëve apo hinduve, kaq gjë mund ta arrijnë lojrat dimërore. Nëse arrihet kjo, atëherë ia vlen edhe shpenzimi i 3,4 miliardëve eurove për 14 ditët e olimpiadës", nënvizon "Mitteldeutsche Zeitung".

"Schwäbische Zeitung" komenton shfaqjen e rasteve të para të dopingut: "Kaq pra për fjalët e mëdha. Realiteti është krejt ndryshe. Olimpiada është kthyer në një biznes miliardash, në një makineri të shtimit të parave, prej së cilës i gëlltisin paratë Komiteti Ndërkombëtar Olimpik dhe stacionet televizive. Dyshimet e para për dopingun qysh në vigjilje e turbulluan pamjen e pastër të lojrave", shkruan "Schwäbische Zeitung".