1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shefi i Gardës Kombëtare ruse pranon probleme ushtarake

14 Mars 2022

Në Rusi, një zyrtar i lartë i sigurisë ka pranuar për herë të parë se lufta në Ukrainë nuk po shkon siç kishte planifikuar Kremlini.

https://p.dw.com/p/48SsH
Ukraine Zerstörte russische Panzer
Fotografi: Irina Rybakova/REUTERS

Kreu i gardës kombëtare ruse, Viktor Solotov, deklaroi se përparimi është - fjalë për fjalë - "më i ngadalshëm se sa pritej në Ukrainë". Jo çdo gjë po shkon aq shpejt sa do të donim. Qytetet kryesore të Ukrainës nuk janë nën kontroll të mjaftueshëm. Zyrtarë të tjerë rusë, si ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, kanë thënë vazhdimisht se operacioni po shkon sipas planit. Solotovi konsiderohet i afërt me presidentin rus. Garda Kombëtare është drejtpërdrejt në varësi të Putinit dhe ka trupa në Ukrainë.

Solotovi fajësoi për përparimin e ngadaltë forcat e ekstremit të djathtë në Ukrainë, të cilat përdorin popullsinë civile si mburojë. Kjo kritikë është bërë tashmë disa herë nga pala ruse dhe është hedhur poshtë nga pala ukrainase. "Por ne po përparojmë hap pas hapi drejt qëllimit tonë dhe fitorja do të jetë e jona”, u shpreh Solotovi. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, nga ana tjetër, besojnë se Rusia e ka nënvlerësuar vullnetin e Ukrainës për të rezistuar. Liderët rusë nuk flasin për një luftë në Ukrainë, por për një operacion special ushtarak që synon çmilitarizimin dhe denazifikimin e vendit fqinj.

Kiev
Fotografi: Efrem Lukatsky/AP Photo/picture alliance

Sipas informacioneve ukrainase, ushtria ruse ka vazhduar sulmet e saj. Ofensiva është përforcuar në rajonin e kryeqytetit Kiev. Në qytetin lindor të Ukrainës, Donjeck, raportohet se janë vrarë 20 civilë nga mbeturinat e një rakete ukrainase të kapur, sipas separatistëve prorusë në rajon. Informacioni i dy palëve ndërluftuese nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Qyteti port i Ukrainës, Mariupol, i vendosur në Detin Azov, gjithashtu mbetet nën zjarrin rus. Sipas bashkisë, në këto sulme janë vrarë tashmë më shumë se 2500 vetë. Përsëri, është e vështirë të verifikohet ky informacion. Operatori i rrjetit ukrainas Ukrenergo njoftoi se një linjë e tensionit të lartë që çon në rrënojat e reaktorit të Çernobilit është dëmtuar sërish. Për këtë arsye është ndërprerë furnizimi me energji elektrike.

aud (dlf, wlt)