1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA sanksionon liderin serb të B-H Milorad Dodik

6 Janar 2022

Veprimet e nacionalistit serb Milorad Dodik kërcënojnë stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të të gjithë rajonit, deklaron Ministria e Financave e SHBA-së.

https://p.dw.com/p/45CD3
Bosnien und Herzegowina Sarajevo | Politiker | Milorad Dodik
Fotografi: AP Photo/picture alliance

Ministria e Financave e SHBA-së njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj liderit të serbëve të Bosnjës Milorad Dodik. Dodik është sundimtar i Republika Srpska, entitetit serb në Bosnje, që u krijua sipas Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995.

Ndërsa Bosnje-Hercegovina po përballet me krizën e saj më të rëndë politike që nga vitet 1990, SHBA tha se Dodik e ka përdorur pozitën e tij për të grumbulluar pasuri përmes një sistemi patronazhi, ryshfetesh dhe mitmarrjeje.

Washington: Das US-Finanzministerium - Plakette am Treasury Building
Fotografi: picture alliance / Jürgen Schwenkenbecher

"Aktivitetet destabilizuese korruptive të Milorad Dodik dhe përpjekjet për të çmontuar Marrëveshjet e Paqes të arritur në Dejton të SHBA, të motivuara nga interesi i tij vetjak, kërcënojnë stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të të gjithë rajonit," tha Brian Nelson, nënsekretar për terrorizmin dhe hetimet financiare pranë Ministrisë së Financave tä SHBA-së.

Efekti praktik i sanksioneve do të jetë raportimi, ngrirja dhe bllokimi i çdo pasurie që Dodik mund të ketë në Shtetet e Bashkuara.

Ministria e Financave e SHBA-së vuri sanksione edhe ndaj "Alternativna Televizija", një kanal që sipas SHBA është në pronësi të një kompanie të lidhur me familjen e Dodikut dhe përdoret për qëllime propagande.

Shkelje e Marrëveshjes së Dejtonit

Dodik mbron prej vitesh idenë e ndarjes së Republikës Srpska, entitetit gjysmë autonom serb, brenda shtetit boshnjak. Përpjekjet e Dodikut konsiderohen si shkelje e Marrëveshjes së Dejtonit, të ndërmjetësuar nga SHBA në qytetin me këtë emër në shtetin e Ohajos.

Waldbrände in Bosnien
Fotografi: Klix.ba

Kohët e fundit Dodik i ka shtuar përpjekjet e tij që Republika Srpska të shkëputet nga Bosnja. Muajin e kaluar ai u bëri thirrje serbëve të Bosnjës që të zyrtarizojnë ushtrinë, gjyqësorin dhe sistemin e tyre të taksave.

Për përpjekjet e tij për të copëtuar shtetin e brishtë boshnjak Dodiku ka marrë mbështetje të heshtur nga Serbia dhe Rusia.

Reagimi i Dodikut

Dodiku nuk është shqetësuar shumë nga masat e dikurshme të SHBA-së, të cilat përfshinin ndalimin për të udhëtuar në SHBA. Po ashtu Dodiku ka thënë se çdo sanksion i afron serbët e Bosnjës me "miqtë e vërtetë" si Rusia dhe Kina.

Bosnien und Herzegowina Treffen russischer Außenminister Sergej Lawrow mit Milorad Dodik
Sergej Lavrov dhe Milorad DodikFotografi: Elvis Barukcic/AFP

Udhëheqësi nacionalist tha se, nëse serbët e Bosnjës tërhiqen nga institucionet qendrore të Bosnjës, kjo nuk përbën shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit dhe nuk do të shkaktojë ndonjë konflikt të ri.

Pas njoftimit të tanishëm nga Uashingtoni Dodik tha: "Ato janë sanksionet e tyre, jo tonat".

Ai shtoi: "Unë nuk kam ndërmend të aplikoj për vizë për SHBA edhe nëse sanksionet ndaj meje hiqen nesër".