SHBA përpiqen t′i vënë vulën e tyre dokumentit përfundimtar të takimit të lartë të OKB-së | Bota | DW | 13.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA përpiqen t'i vënë vulën e tyre dokumentit përfundimtar të takimit të lartë të OKB-së

Takimi i nivelit të lartë të OKB-së në Në Nju-Jork ka në qendër të vëmendjes reformat e mëdha për këtë organizatë.

Qendra e OKB-së në Nju-Jork

Qendra e OKB-së në Nju-Jork

SHBA-të do të përfaqësohen në takimin e nivelit të lartë të OKB-së prej MPJ, Condoleeza Rice. Qeveria e Bushit është shprehur se nuk ka pikë dyshimi se e mbështet me forcë procesin e reformave të OKB-së. Por në këtë drejtim SHBA-të kanë përfytyrimet e tyre. Ambasadori i SHBA-ve pranë OKB-së, John Bolton, ka dërguar që prej muajit gusht mbi shtatëqind kërkesa për ndryshime në formën dhe përmbajtjen e dokumentit përfundimtar.

Ndër këto kërkesa janë ato, që kanë të bëjnë me përgjysmimin e varfërisë në botë. Bashkësia ndërkombëtare kishte rënë dakord para pesë vjetësh për këtë qëllim, por qeveria e Bushit nuk dëshiron të marrë përsipër më tepër detyrime, sikurse ishte parashikuar në dokumentin përfundimtar. Në vend të kësaj, ajo i var shpresat tek zhvillimet e tregut dhe tek reformat e brendëshme në vendet në zhvillim.

Tregëtia e lirë mund të çlirojë njerëzit nga varfëria

"Ne duam që të përqendrohemi tek rëndësia e tregëtisë për t'i çliruar njerëzit prej varfërisë. Pas shtesës së dukshme të ndihmave tona për zhvillimin, tani synojmë që në vendet në fjalë të krijohen kushte korrnizë më të mira, në mënyrë që paraja të përdoret më mirë. Me këtë kuptojmë raporte të shtetit ligjor, reforma të ekonomisë së tregut dhe luftimin e korrupsionit." - tha Rice.

Pas këtyre deklaratave të MPJ amerikane, vihet në pikëpyetje ideja e hedhur që në deklaratën përfundimtare të këtij takimi të OKB-së të përfshihet një rekomandim me vlerë detyruese, sipas së cilit shtetet e pasura dhe të zhvilluara të vënë në dispozicion të ndihmës për zhvillimin 0,7% të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit. SHBA deri tani nuk e kanë arritur kurrë këtë objektiv.

Vendet në zhvillim mund të refuzojnë kërkesat e SHBA-ve

Në rast se SHBA-të do të vazhdojnë të mbajnë deri në fund një qëndrim refuzues ndaj kësaj pike ka mundësi që vendet në zhvillim ta ndjejnë veten të detyruar që t'i refuzojnë në Nju-Jork kërkesat e SHBA-vë në pika të tilla si luftimi i terrorizimit apo reformimi i komisionit për të drejtat e njeriut. Sipas fjalëve të MPJ amerikane Rice në këtë drejtim SHBA kërkojnë që:

"Këshilli për të drejtat e njeriut të jetë efektiv dhe parimor. Ai nuk mund të jetë një Këshill për të drejtat e njeriut në të cilin janë anëtarë edhe vende të tilla si Sudani, që akuzohen për gjenocid."

Ndërhyrjet e helmetave të kaltra vetëm "detyrim moral"

Pika të tjera ku SHBA kërkojnë ndryshime, janë rastet e ndërhyrjeve të helmetave të kaltra. Ndryshe nga kërkesa e OKB-së që bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë si detyrim pjesëmarrjen në rastin e aksioneve të helmetkaltërve, SHBA-të kërkojnë që në dokumentin përfundimtar të bëhet fjalë vetëm për "detyrim moral" për të marrë pjesë në këto aksione. Po ashtu SHBA kërkojnë edhe reformimin e manaxhimit në radhët e OKB-së, sidomos në sfondin e skandaleve të fundit për korrupsion në kuadër të programit për Irakun "Naftë për ushqime".

Grupi që do të përpilojë dokumentin përfundimtar të samitit të OKB-së përbëhet nga përfaqësues të tridhjetë vendeve.

  • Data 13.09.2005
  • Autor Daniel Sheshekwitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArO5
  • Data 13.09.2005
  • Autor Daniel Sheshekwitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArO5
Reklamë