1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA në solidaritet të pathyeshëm me Gjeorgjinë

Esther Hartbrich5 Shtator 2008

Pas spektaklit brutal të Rusisë në Gjeorgji Uashingtoni po angazhohet më shumë se kurrë për një anëtarësim të Gjeorgjisë në NATO.

https://p.dw.com/p/FBvT
Gjeorgjia do të marrë prej SHBA-ve një miliardë dollarë ndihma rindërtimi
Gjeorgjia do të marrë prej SHBA-ve një miliardë dollarë ndihma rindërtimiFotografi: AP

Zëvendëspresidenti Dik Çeni i premtoi Gjeorgjisë të enjten (04.09.) mbështetjen politike dhe ekonomike të SHBA.

Veç kësaj, ai solli këtë mesazh nga Uashingtoni: "SHBA e mbështesin planin e veprimit të Gjeorgjisë për pranimin në NATO dhe anëtarësimin e mëvonshëm të Gjeorgjisë në NATO. Ne jemi shumë të kënaqur me ngritjen së fundi të një Këshilli NATO-Gjeorgji, meqenëse takimi i nivelit të lartë të Natos në Bukuresht deklaroi se Gjeorgjia do të jetë pjesë e Aleancës."

Rusia kundër pranimit të Gjeorgjisë në NATO

Rusia është kundër pranimit të Gjeorgjisë në NATO. Presidenti i Parlamentit, Gryslov kritikoi të enjten veçanërisht takimin e planifikuar të Këshillit të NATO-s, që do të mbahet në Tbilis. Pas aktit gjeorgjian të agresionit kundër Osetisë Jugore është e vështirë që të pranohet një gjë e tillë, tha ai.

Një miliardë dollarë ndihmë rindërtimi për Gjeorgjinë

SHBA kanë ofruar tashmë 30 milionë dollarë ndihmë humanitare, deklaroi Çeni. Ai nuk u mor me kritikën e Rusisë, se kjo ndihmë nuk duhet transportuar në anije lufte. Ai përsëriti aprovimin e presidentit Bush, se Gjeorgjia do të marrë një miliardë dollarë ndihmë rindërtimi.

Zëvendëspresidenti Çeni e lëvdoi presidentin e Gjeorgjisë Saakashvili si politikan që u përmbahet fort parimeve dhe e siguroi atë "Ne ju respektojmë." Rusia nga ana tjetër nuk e konsideron më të pranueshëm Saakashvilin si president të Gjeorgjisë, edhe gjeorgjianët ushtrojnë me zë të ulët kritika ndaj presidentit të tyre. Çeni ritheksoi edhe njëherë pretendimin e drejtë e të ligjshëm të Gjeorgjisë për paprekshmëri territoriale.

"Ne jemi këtu për ta ndihmuar popullin tuaj, për të shëruar plagët e kombit tuaj, për të rindërtuar ekonominë dhe për të garantuar demokracinë, pavarësinë dhe integrimin e mëtejshëm të Gjeorgjisë në Perëndim."

Presidenti i Gjeorgjisë, Saakashvili e falenderoi Çenin dhe partnerët e tjerë për mbështetjen.

"Së bashku me partnerët tanë, me BE dhe SHBA ne do ta rindërtojmë sërish Gjeorgjinë. Ne duam ta rindërtojmë këtë komb të madh, kjo ka për mua prioritet dhe t'i dërgojmë botës një mesazh: pikërisht, që drita e lirisë nuk mund të shuhet në Gjeorgji."

Ai u ankua sërish për spastrimet etnike në Abkazi dhe në Osetinë Jugore. 80 mijë gjeorgjianë janë dëbuar vitet e fundit nga Abkazia, dhe që prej luftës në Osetinë Jugore janë dëbuar edhe osetë, të cilët nuk ishin besnikë ndaj qeverisë së tyre apo Rusisë, tha Saakashvili.