1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA: Pelosi autorizon hartimin e akuzave për Trump-in

6 Dhjetor 2019

Kryetarja e Dhomave të Kongresit, Nancy Pelosi njoftoi se ligjvënësit do të ngrenë pika për aktakuzën kundër Presidentit Donald Trump. Veprimet e presidentit e kanë shkelur rëndë kushtetutën, tha ajo.

https://p.dw.com/p/3UICn
USA Nancy Pelosi zu Impeachmentverfahren
Fotografi: Reuters/E. Scott

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA ka nisur fazën tjetër në rrugën për procedurën e nxjerrjes në gjyq të  Presidentit Donald Trump. Kryetarja e Dhomave të Kongresit, Nancy Pelosi, njoftoi në Uashington se tani duhet të formulohen elementët e aktakuzës kundër Trumpit. Ky është parakushti për të votuar në seancën plenare të Dhomës së Përfaqësuesve për një shkarkim të mundshëm të Presidentit. Në këtë Dhomë demokratët në opozitë kanë shumicën.

"Veprimet e Trumpit e kanë shkelur seriozisht kushtetutën", ai ka kryer shpërdorime, ka minuar sigurinë kombëtare dhe ka rrezikuar integritetin e zgjedhjeve në SHBA, tha Pelosi në një deklaratë televizive. "Këtu është në pyetje demokracia jonë," tha Pelosi. "Presidenti nuk na lë zgjidhje tjetër" shtoi demokratja.

"Ai po përpiqet sërish t'i korruptojë zgjedhjet në dobi të tij. Presidenti ka shpërdoruar pushtetin dhe  ka minuar sigurinë tonë kombëtare, duke vënë në rrezik integritetin e zgjedhjeve tona".

Deklarata vjen një ditë pasi tre ekspertë juridikë u thanë ligjvënësve amerikanë se ata besojnë se Trumpi ka kryer vepra për të cilat kushtetuta parasheh shkarkimin e tij, ndërsa një tjetër argumentoi kundër fajësimit.

Pelosi, përfaqësuesja kryesore demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se e kishte marrë vendimin "me keqardhje, por me besim, përulje dhe besnikëri ndaj themeluesve tanë dhe me  zemrat plotë dashuri për Amerikën".

Hartimi i akuzës (angl: Impeachment) është procesi me të cilin një organ legjislativ zyrtarizon akuzat ndaj një zyrtari qeveritar. Demokratët tani planifikojnë që deri në Krishtlindje ta kenë hedhur këtë në votë.

USA Nancy Pelosi zu Impeachmentverfahren
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/J.S. Applewhite

Për çfarë mund të akuzohet Trumpi?

Përpjekja për të hartuar elementët e fajësimit nisi pasi u publikuan detajet e një bisede telefonike të zhvilluar në korrik midis Trumpit dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenski. Trumpi e nxiti Zelenskin të nisë hetime ndaj kandidatit demokrat për president të SHBA, Joe Biden, dhe djalit të tij. Komiteti i Shërbimit Informativ ka dëgjuar dëshmitarë që thonë se Trumpi ishte duke e vonuar dërgimin e ndihmës për Ukrainën derisa Zelenski  të fillonte me mbledhjen e dëshmive kundër Biden. 

Trump akuzohet se ka abuzuar me pushtetin e tij duke vendosur interesin personal mbi interesat e sigurisë kombëtare. Duke bllokuar rreth 400 milion dollarë (360 milion Euro) ndihmë ushtarake për Ukrainën, të cilën e kishte miratuar Kongresi, demokratët e akuzojnë atë për korrupsion. 

Ligjvënësit republikanë e kanë kundërshtuar hetimin, duke e quajtur një komplot të demokratëve për të hequr Trumpin. Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, shkroi në Twitter se "demokratët duhet të kenë turp".

Çfarë ndodh tani?

Pasi komiteti Komiteti Gjyqësor ta ketë bërë gati hartimin e akuzave, ato duhet të miratohen nga Dhoma e Përfaqësuesve. Për këtë mjafton një shumicë e thjeshtë votash. Gjykimi më pas do të bëhet nga senati, ku shumicën e kanë republikanët. Në këtë rast, gjyqi ku demokratët do të luajnë rolin e prokurorit, do të kryesohet nga Kreu i Gjykatës së Lartë. Kushtetuta e lë të hapur mundësinë e presidentit për marrë avokat mbrojtës por historikisht presidentëve u janë lejuar si avokatë mbrojtës, ashtu edhe paraqitja e provave. 

Demokratët aktualisht kanë një shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa në Senat ka më shumë republikanë sesa demokratë. Po të mbështetet procesi i fajësimit nga Dhoma, dënimi i një presidenti do të kërkonte një shumicë prej dy të tretave në Senat.

Çdo dënim i Trumpit do të kërkonte, pra, një numër të konsiderueshëm senatorësh republikanë për të votuar në favor të tij. Ky do të ishte historikisht një rast i paprecedentë dhe konsiderohet me shumë pak gjasa.