SHBA kërkon që edhe vendet e tjera të shtojnë presionin ndaj Iranit | Bota | DW | 14.05.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA kërkon që edhe vendet e tjera të shtojnë presionin ndaj Iranit

Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump për daljen nga marrëveshja bërthamore me Iranin nuk po i mjafton Shtëpisë së Bardhë. SHBA kërkon që edhe vendet e tjera të ashpërsojnë tonin.

Sjellja e Iranit është e rrezikshme dhe e pamenduar, thuhet në një kumtesë të Shtëpisë së Bardhë në Uashington. "Garda Iraniane po shpenzon para për të shtuar influencën në Lindjen e Mesme, ndonëse populli iranian po vuan pasojat e krizës ekonomike." Garda ka sulmuar shtetasit izraelitë me raketa. Ndërsa grupet e afërta me Iranin kanë hedhur nga Jemeni një raketë në drejtim të kryeqytetit saudit Riad. "Ka ardhur koha që të gjitha kombet e përgjegjshme të shtojnë presionin ndaj Iranit, për shkak të kësaj sjelljeje të rrezikshme."

Të paktën 11 iranianë të vrarë nga sulmet izraelite në Siri

Izraeli ka shpallur përgjegjëse brigadën Al-Kuds, një njësi elitare e Iranit, si dhe komandantin e saj Ghassem Sulejmani, për sulmet ndaj territoreve të okupuara nga Izraeli në Golan. Forcat izraelite janë përgjigjur me sulme ndaj pozicioneve iraniane në Siri. Aktivistët thonë se janë vrarë 11 iranianë dhe 27 luftëtarë prosirianë. Vëzhguesit e pavarur flasin për 23 persona të vrarë, por nuk ka të dhëna për përkatësinë e tyre. Të dhënat nuk mund të konfirmohen nga burime të pavarura.

Konflikti mes Izraelit dhe Iranit është ashpërsuar dukshëm. Burimet izraelite thonë se Irani e ka shtuar muajt e kaluar prezencën ushtarake në Siri dhe ka dërguar atje shumë armë. Kjo i ka shërbyer Izraelit si justifikim për shtimin e sulmeve ndaj pozicioneve iraniane në këtë vend.

Merkel: Nuk ka mirëbesim

Minisri i Jashtëm amerikan Mike Pompeo ka paralajmëruar negociata të reja për programin atomik iranian. Ndërsa vendet e tjera po përpiqen që ta zbatojnë marrëveshjen e mëparshme. Kancelarja Angela Merkel deklaroi në Münster se vendimi i presidentit Trump për daljen e SHBA-së nga marrëveshja paraqet një shkak tjetër "për shqetësim të madh dhe për keqardhje", i cili "dëmton besimin ndaj rendit ndërkombëtar". Merkel tha se "nuk është e drejtë" që marrëveshjet e miratuara në KS të OKB njëzëri të nxirren nga fuqia njëanshëm. Ajo tha se SHBA po e shkel rendin ndërkombëtar në çështjen e Iranit, klimës dhe tregtisë, që janë "lajme të këqija për mbarë botën".

England Premierministerin Theresa May (picture-alliance/AP Photo/M. Dunham)

Theresa May

Trump ka biseduar ndërkohë edhe me kryeministren britanike, Theresa May për pasojat e vendimit amerikan dhe rikthimin e sanksioneve ndaj Iranit. May ka paralajmëruar në këtë telefonatë me Trumpin për pasojat ekonomike të sipërmarrjeve që punojnë me Iranin. May ka theksuar se vendi i saj do të vazhdojë të respektojë marrëveshjen me Iranin nga viti 2015. Trumpi ka deklaruar të martën e kaluar se do të rikthejë sanksionet ndaj Iranit. Nga ky vendim janë distancuar Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, të cilat kanë frikë se do të dëmtohen sipërmarrjet që punojnë në Iran.

Bulgarien - Olaf Scholz und Bruno Le Maire bei Pressekonferenz (Getty Images/AFP/Str)

Olaf Scholz dhe Bruno Le Maire

Franca paralajmëron rezistencë

Franca nuk do t'i nënshtrohet vendimit amerikan për dalje nga marrëveshja me Iranin. Parisi do të paraqesë së bashku me partnerët në Komisionin Evropian masat për mbrojtjen nga masat ndëshkuese amerikane, theksoi ministri i Financave Bruno Le Maire. Evropa nuk duhet të pranojë Uashingtonin si një "polic ekonomik botëror", tha ai. "A duam të jemi vasalë të vendimeve amerikane?", tha ai për radion Europe-1, duke shtuar se "Evropa ka edhe interesat e veta ekonomike".

Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz po angazhohet që sipërmarrjet gjermane të përjashtohen nga masat e sanksioneve amerikane. Scholz ka telefonuar me homologun e tij amerikan Steven Mnuchin, njofton gazeta "Handelsblatt". Ministri ka kërkuar përjashtimin e sipërmarrjeve gjermane nga sanksionet.

Rusia ka bërë të ditur ndërkohë se do të vazhdojë të respektojë marrëveshjen me Iranin. Ajo ka paralajmëruar se në samitin e Unionit Euroaziatik do të arrihet madje një marrëveshje e re tregtare e Rusisë, Kazakistanit, Bjellorusisë, Armenisë dhe Kirgistanit me Iranin. Samiti do të mbahet javën që vjen. Këshilltari i Kremlinit Juri Uschakow thotë se marrëveshja ishte parashikuar para vendimit të fundit të Trump për daljen nga marrëveshja me Iranin.

 

 

 

bc/kle/jv (dpa, rtr, afp, tagesschau.de)