1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Takim në ambasadën SHBA-së lidhur me asosascionin

31 Janar 2023

Në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë u zhvillua takimi konsultativ për Asociacionin e Komunave serbe ku morën pjesë rreth 40 përfaqësues institucionesh, partishë politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

https://p.dw.com/p/4Mvxq
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Jeff Hovenier organizoi takim në ambasadë lidhur me Asociacionin e Komunave serbe.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Jeff Hovenier organizoi takim në ambasadë lidhur me Asociacionin e Komunave serbe.Fotografi: USA Embassy in Kosovo

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që dalin nga dialogu Kosovë-Serbi, ndërsa, bëri të qartë se nuk mbështesin asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin e Kosovës.

"Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës, që është në kundërshtim me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, ose që do të kërcënojë sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës, tha Hovenier. Këtë deklaratë ambasadori amerikan e bëri pas një takimi - siҫ u quajt - konsultativ për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që u organizua nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Në këtë takim që u organizua në kohën ethirrjes së vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar drejtuar qeverisë së Kosovës për themelimin e Asociacionit, morën pjesë rreth 40 përfaqësues institucionesh, partishë politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile shqiptare dhe serbe. Ambasadori amerikan tha, se "dëgjuam nga dora e parë pikëpamjet e pjesëmarrësve për zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe si mundet kjo të përshtatet në mënyrë që të sigurojë të ardhmen e Kosovës si një vend sovran i pavarur, shumë etnik dhe demokratik”.

"Së pari si mund të funksionojë Asociacioni i Komunave serbe në praktikë dhe pjesëmarrësit në këtë takim kanë ngritur një sërë temash duke përfshirë pikëpamjet mbi përgjegjësitë e mundshme dhe kufizimet e mundshme të një Asociacioni. E dyta, si do të mund të funksiononte Asociacioni sipas kuadrit ligjor të Kosovës dhe sërish kemi dëgjuar shumëllojshmëri të perspektivave përfshirë edhe për marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Dhe e treta, lidhur me atë se si Asociacioni do të mund të ndihmonte zhvillim ekonomik dhe ofrimin efektiv të shërbimeve qeveritare për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera pakicë”, tha Hovenier. Sipas tij, SHBA-ja "e kundërshton rreptësisht krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republikës Srpska në Bosnje Hercegovinë”.

"Presim që Kosova të përmbushë detyrimet e saj. Ne kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ofrojë pikëpamjen e saj për Asociacionin që besohet që e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumë etnik dhe demokratik dhe ofron të drejta për pakicat në linjë me me marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo është vendimtare, e rëndësishme dhe urgjente”, tha ambasadori amerikan Hovenier.

Mësohet, se gjatë takimit që u zhvillua me dyer të mbyllura, disa nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk janë shprehur kategorikisht kundër Asociacionit, por kanë kërkuar garanci mbi përfitimet që mund të ketë Kosova nga themelimi i tij. Megjithatë, qëndrimi zyrtar i deritashëm i qeverisë së Kosovës është që ajo heziton të themelojë Asociacionin, duke theksuar se ai mund të çojë në krijimin e një shteti brenda shtetit, ngjashëm siҫ është Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ndërkohë, njëri nga përfaqësuesit e organizatës joqeveritare ‘Aktiv', nga veriu i Mitrovicës, Miodrag Miliҫeviq, i cili ishte pjesë e diskutimit për Asociacionin në ambasadën amerikane, tha pas takimit se "elementi më i rëndësishëm ishte që ne duhet të krijojmë një perceptim të përbashkët se Asociacioni është diçka që duhet të negociohet dhe duhet të zbatohet, dhe se do të zbatohet duke u bazuar në parimet e vendosura vite më parë nga delegacionet përkatëse. Çelësi për këtë proces është në duart e politikbërësve kryesorë të të dy qeverive. Ata më së pari duhet të ndryshojnë ligjërimin e tyre publik, duhet të ndryshojnë perceptimin mbi atë se si do të duket Asociacioni”, tha Miliҫeviq.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, pjesëtar i komunitetit serb Nenad Rashiq, i cili mori pjesë në takim, tha se pjesëmarrësit diskutuan për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se diskutimi ishte i mirë dhe interesant. Sipas tij, "ka pasur replika dhe mendime të ndryshme, por në përgjithësi, cilësia e bisedimeve ka qenë në nivel të lartë", tha ministri Rashiq.

Marrëveshja për formimin e Asociacioni të Komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Asociacioni parashikohet që të përfshijë dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore. Objektivat kryesore të Asociacionit që janë rikonfirmuar në një marëveshje tjetër të vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore. Për këtë marrëveshje të vitit 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kishte konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës, por Gjykata ka thënë se ky Asociacion mund të formohet nëse harmonizohen parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën.