Sharon i kthen shpinën Likudit | Bota | DW | 21.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sharon i kthen shpinën Likudit

Kryeministri izraelit Ariel Sharon u largua të hënën nga partia e tij Likud, për të krijuar një forcë të re politike. Ky ishte reagimi i tij ndaj presionit që u ushtrua kohëve të fundit lidhur me tërheqjen e hebrejve nga Rripi i Gazës. Sharon kërkoi gjithashtu shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhje të reja në vend.

Kryeministri izraelit Ariel Sharon

Kryeministri izraelit Ariel Sharon

Në orët e vona të mbrëmjes të së dielës, këshilltarët e Ariel Sharonit njoftuan se kryeministri izraelit kish marrë një vendim. Ai do të largohej nga rradhët e partisë Likud, të cilën e krijoi vetë në vitin 1973.

Presidenti i Izraelit Moshe Katsav, njoftoi të hënën se e pranoi dorëheqjen e Sharonit: "Dua t´ju informoj se kryeministri erdhi tek unë me lutjen që ta shpërndaj Knesetin dhe t´i përshpejtoj zgjedhjet e reja në vend, sepse ai është i mendimit se parlamenti nuk mund të punojë më nën kushtet e tashme. Dhe meqënëse ai nuk mund ta drejtojë Knesetin pa mbështetjen e shumicës së deputetëve, Sharon kërkon tani zgjedhje të reja parlamentare."

Kërkohet kandidat tjetër përveç Sharonit

Por pikërisht këtë hap duan ta shmangin kundërshtarët politikë të Sharonit, që ndodhen brenda rradhëve të Likudit. Ata duan të propozojnë një kandidat tjetër për postin e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie të re.

Katsav deklaroi ndërkohë, se po e verifikon këtë propozim: "Por arrita në konkluzionin se nuk ka asnjë kandidat tjetër që mund të jetë në gjendje të krijojë një qeveri të re, atëherë Izraeli nuk mund të presë deri sa të vijë koha për zgjedhjet e reja. Këto zgjedhje duhet të zhvillohen sa më parë."

Pa Sharonin, Likud nuk mund të fitojë

Sipas kushtetutës izraelite, presidenti ka tri javë kohë për të vendosur, por Katsav nuk do të presë kaq gjatë. Ndërkohë disa ministra të Likudit kanë deklaruar se do të largohen gjithashtu nga postet e tyre. Ndër ta ndodhet edhe ministri i policisë Gideon Ezra: "Kisha shpresuar se ky hap nuk do të kish qënë i nevojshëm, por mesa duket miqtë tanë kanë ndryshuar mendjen dhe atyre u duket sikur nuk kemi lëvizur ende nga Rripi i Gazës. Por tani Sharoni morri një vendim dhe unë do të shkoj me të" thotë ai.

Sipas sondazheve që u zhvilluan gjatë ditëve të fundit, Likudi nuk do të ketë ndonjë shans për t´i fituar zgjedhjet, pa Ariel Sharonin. Por sondazhet në Izrael varen shpesh nga situtata aktuale e njerëzve dhe deri në shkurt apo mars të vitit të ardhshëm, kur do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare në vend, mund të ndodhin ende shumë gjëra.

  • Data 21.11.2005
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNF
  • Data 21.11.2005
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNF
Reklamë