1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040409 Indien Pakistan

6 Prill 2009

Marrëdhëniet indiano-pakinstaneze vazhdojnë të jenë të rënduara pas sulmit terrorist në Bombei. Ekspertët në Pakistan shohin megjithatë shanse të mira për përmirësimin e marrëdhënieve.

https://p.dw.com/p/HRKw
Anjali Waghmare, avokatja e emëruar nga qeveria e shtetit federal Maharashtra për mbrojtjen e terroristit pakistanez Ajmal Amir Kasab, prill 2009Fotografi: UNI

Në Bombei po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj të vetmit atentator, që arriti të mbijetonte prej sulmit terrorist në metropolin financiar të Indisë. Ai është nga Pakistani. Dhe megjithë atmosferën e ndezur vëzhguesit besojnë se procesi ndaj tij do të jetë i drejtë dhe se shanset për përmirësimin e marrëdhënieve ende të rënduara mes Indisë dhe Pakistanit nuk janë të këqia.

Atentanti terrorist i nëntorit të vitit të kaluar në Bombei të Indisë e ka vënë para një prove të vështirë procesin e paqes mes Indisë dhe Pakistanit fqinj. Nju-Delhi i ka ndërprerë përkohësisht konsutimet e rregullta me Islamabadin dhe kërkon fillimisht që Pakistani të ndërmarrë hapa të besueshëm kundër „infrastrukturës së terrorit“ në territorin e vet.
Irfan Husaini, gazetar i gazetës ditore pakistaneze „Dawn“, mendon megjithatë se qeveritë e të dyja vendeve reaguan në përgjithësi me ndjenjë përgjegjësie ndaj krizës së shkaktuar në marrëdhëniet dypalëshe pas këtij atentati. Pasi u bë e njohur se atenatorër ishin nga Pakistani, në mediat indiane u fol shumë ashpër në lidhje me Pakistan, saqë:

“Përkohësisht mund të kishe seriozisht frikë se India do të sulmonte kampet e stërvitjes së talibanëve në anën tjetër të kufirit. Por India u përmbajt."

Husain kërkon mirëkuptim për faktin që qeveria pakistaneze e pranoi vetëm pas ngurimesh, që terroristët kishin lidhje me Pakistanin, sepse sipas tij pasi u qartësuan faktet në Pakistan pati ndalime të organizatave ekstremise dhe arrestime të anëtarëve të tyre. Edhe pse në Indi ka ende dyshime se veprime të tilla janë vetëm sa për sy e faqe, Irfan Husain beson se qëndrimi i Nju-Delhit ka të bëjë edhe me fushatën elektorale në Indi:

“Shpresoj se pas zgjedhjeve qeverisë së re të Indisë nuk do t'i duhet të demonstrojë më forcë dhe se ajo do të jetë e interesuar për një zgjidhje. Tek e fundit India ka ambicie globale dhe nuk do të ngatërrohet në një konflikt rajonal me Pakistanin.“

Edhe bashkësia ndërkombëtare dhe sidomos SHBA ngulin këmbë për një afrim të ri mes Indisë dhe Pakistanit. Një sërë bashkëpunëtorësh të presidentit Obama kanë tërhequr disa herë vëmendjen se pas më tepër se 60 vjetësh konflikti për Kashmirin duhet të gjejë një zgjidhje. Ka njoftime të shumta sipas së cilave në kohën e ish-presidentit pakistanez Musharraf bisedimet pas kulisave për Kashmirin kishin përparuar mjaft mirë dhe se palët ishin të një mendjeje për ta lënë pas konfliktin politik dhe për t'u përqendruar tek masat konkrete për përmirësimin e jetës së njerëzve duke hapur kufirin në Kashmir.

Autor: Thomas Bärthlein/Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica