1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shanse të reja për paqen - Bushi për herë të parë në Izrael

Clemens Verenkotte9 Janar 2008

Presidenti i Shteteve të Bashkuara zhvillon vizitën e tij të parë në Izrael gjatë shtatë vjetëve në post. Në bisedimet me udhëheqjen izraelite dhe me presidentin palestinez Bushi synon të nxisë procesin e paqes.

https://p.dw.com/p/Cn6s
Bushi me presidentin izraelit, PeresFotografi: AP
Një pritje sipas shijes së presidentit të SHBA: Një det flamujsh amerikanë dhe izraelitë valëviteshin nën tingujt e bandës ushtarake të nderit. Për të pritur mikun nga SHBA kishin dalë krerët e poliitkës së Izraelit, presidenti Shimon Peres, kryeministri Ehud Olmert dhe kabineti i tij dhe në fund të korridorit kalues të avionit të Air Force One ishin rreshtuar personalitete nga kisha dhe gjeneralë të ushtrisë. Radio dhe televizionet vendase transmetonin drejtpërdrejtë mbërritjen e Bushit.

SHBA aleatë të Izraelit që në themelimin e tij

Me përpikmëri në orën 11 e 50 sipas orës lokale avioni i presidentit amerikan u ul në pistë. Pak minuta më vonë Bushi zbriti për të nisur vizitën e parë në Izrael qysh pas marrjes së postit në vitin 2001. Pas tingujve të himneve kombëtare në një fjalim të shkurtër mirëseardhjeje, presidenti Perez theksoi mbështetjen e SHBA në luftë e në paqe qysh prej themelimit të shtetit të Izraelit përpara 60 vjetësh: "Zoti president, ne ju përshëndesim këtu si një mik të madh, ne ju përshëndesim si drejtuesin e një kombi të madh, i cili pasi siguroi lirinë për vete asnjë herë nuk u lodh t´u japë lirinë të tjerëve. Ne i pranojmë këshillat tuaja, për të mos e nënvleftësuar rrezikun iranian. Irani nuk duhet ta nëvleftësojë vendosmërinë tonë për vetëmbrojtje."

Bush vlerëson partneritetin amerikan me Izraelin

Presidenti Bush e cilësoi Izraelin një "aleat të fortë", që është bazë e marrëdhënieve të veçanta mes SHBA dhe Izraelit, që siç tha si shprehimisht "ky është besimi i shenjtë tek liria."

"Ne shohim këtu një shans të ri për paqen në vendin e shenjtë dhe për lirinë në të gjithë rajonin. Unë pres me interesim takimet me presidentin Perez dhe kryeministrin Olmert. Ne do të bisedojmë për dëshirën tonë të fortë për siguri, për liri dhe për paqe."

Me helikopterin e tij Marine One Bushi vazhdoi udhëtimin për në Jeruzalem, ku zhvillohen bisedimet me presidentin Perez dhe më pas me kryeministrin Olmert.