1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformë e së drejtës së qendrimit në Gjermani

Heiner Kiesel4 Dhjetor 2014

Një ligj i ri synon t'u lehtësojë të huajve pa leje qendrimi, qendrimin në Gjermani nëse janë në gjendje të mbajnë veten. Të tjerët i presin kohë të vështira. Kush ka kryer akte penale mund të dëbohet më lehtë.

https://p.dw.com/p/1DyyE
Symbolbild Asylbewerber in Deutschland
Fotografi: picture-alliance/dpa

Qeveria gjermane duket se kërkon tani të zbatojë shpejt reforma në të drejtën për të huajt. Fjala është për trajtimin e të huajve të cilët qendrojnë në Gjermani pa leje zyrtare. Ministria e Brendshme i paraqiti të mërkurën (03.12.2014) kabinetit një projektligj, me të cilin synohet të garantohet një e drejtë qendrimi në rastet e "integrimit të vazhdueshëm". Projektligji, siç u bë e ditur nga qarqe të ministrisë, do të ketë edhe një sërë kushtesh që lidhen me dhënien e lejes së qendrimit: personat duhet të jenë prej tetë vitesh në Gjermani, të mund ta përballojnë vetë jetesën dhe të flasin mjaftueshëm mirë gjermanisht. Për prindërit mjafton të kenë kaluar gjashtë vjet në Gjermani. Ndër kushtet bën pjesë edhe pranimi i sistemit politik të Republikës Federale dhe respektimi i ligjeve. Edhe ardhja në Gjermani e familjarëve të refugjatëve, që plotësojnë këto kushte, mund të lehtësohet.

Ligji për shumë të huaj pa leje qendrimi përbën megjithatë një ashpërsim të ndjeshëm të situatës së tyre. Veçanërisht atëherë kur nuk kanë qendrim bashkëpunues apo kanë shkelur ligjet. Shumë prej tyre e kundërshtojë dëbimin nga Gjermania duke fshehur identitetin e tyre. Në këto raste autoritetet kanë të drejtë të kontrollojnë llogaritë e postës elektronike, telefonët mobilë apo të dhënat në kompjuter, për të zbuluar identitetin e vërtetë të refugjatit. Për refugjatët që kanë tashmë të drejtë qendrimi, do të bëhet më i lehtë dëbimi nëse për p.sh. ndaj tyre është dhënë një masë dënimi me heqje lirie ose për të rinjtë, prej të paktën një viti, apo kur klasifikohen si rrezik shtetëror.

Ndryshimi i së drejtës së qendrimit synon të zbusë diskutimin për refugjatët

Nga efektet pozitive të projektit të reformës, thuhet në qarqet e ministrisë, do të përfitojnë disa dhjetëra mijëra të huaj me duldung. Aktualisht në Gjermani janë rreth 150.000 të huaj pa një leje të vlefshme qendrimi. Rreth 30.000 njerëz të këtij grupi janë prej më shumë se tetë vjetësh në Gjermani dhe mund të përfitonin nga rregulli i ri, me kusht që të plotësojnë katalogun e gjatë të kritereve. Se sa është numri i atyre që do të preken nga paragrafët e ashpërsuar të ligjit, është e paqartë.

Projektligji i qeverisë gjermane nisi në sfondin e numrit në rritje të refugjatëve. Në partinë e kancelares Angela Merkel ka shqetësim për faktin që në të njëjtën kohë numri i dëbimeve ka mbetur në vend, rreth 10.000. Zëdhënësi për politikën e brendshme të grupit parlamentar të Unionit, Stephan Mayer, citohet nga agjencia e lajmeve Reuters me fjalët: "Ky numër është pa dyshim shumë i vogël." Rregulli i ri është për të një "ekuilibër i mirë mes butësisë dhe ashpërsisë". Por shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët (JRS) përpiqet të zbusë shqetësimin për numrin e refugjatëve në Gjermani. "Vetëm 1% e gjithë refugjatëve në mbarë botën vijnë në Evropë", thekson drejtori i Shërbimit për Refugjatët, prifti Frido Pflüger. Këtë vit në Gjermani kanë ardhur 140.000 refugjatë. "Kjo nuk e sforcon një vend të pasur si Republika Federale."

Kritika ndaj ashpërsimit të situatës së refugjatëve

Opozita e ka kritikuar ashpër projektligjin nga Ministria e Brendshme. Politikani i gjelbër Volker Beck, përgjegjës për politikën e brendshme, foli për një "politikë të kulaçit dhe kërbaçit në ministrinë e de Maizière". Kolegia e tij në komisionin për politikën e brendshme të Bundestagut, Ulla Jelpke nga partia "E Majta" është e zhgënjyer me imazhin e njeriut që dallon në projektligj: "Kush është i dobishëm dhe nuk shkakton kosto mund të qendrojë. Kjo është përbuzëse për dinjitetin njerëzor." Jelpke sheh një ashpërsim të qartë të situatës pasi janë shumë të paktë refugjatët të cilët mund të vijnë në Gjermani pa shkelur asnjë rregull. Problematika e hyrjes së ligjshme është edhe për UNHCR shkak për shqetësim. Në një deklaratë të saj organizata e OKB-së paralajmëron për një shtim masiv të burgosjeve të refugjatëve.