1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150710 China Merkel

16 Korrik 2010

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojë Kinën të premten dhe të shtunën (16./17.7.). Marrëdhëniet ekonomike do të jenë tema qendrore.

https://p.dw.com/p/OLsw
Kancelarja Merkel dhe kryeministri kinez Wen Jiabao, në samitin e OKB-së për klimën në Kopenhagë, 2009.
Kancelarja Merkel dhe kryeministri kinez Wen Jiabao, në samitin e OKB-së për klimën në Kopenhagë, 2009.Fotografi: AP

Nëse gjatë kësaj vizite të kancelares do të ketë lidhje kontratash të rëndësishme si në të kaluarën, nuk është e qartë. Por vizita ka para së gjithash një rëndësi simbolike. Kjo nënvizohet nga fakti që kancelarja do të takohet madje dy herë me kryeministrin Wen Jiabao. Jo vetëm në Pekin, por edhe në ditën e dytë të vizitës në Xi'an. Kryeministri kinez do ta shoqërojë kancelaren Merkel ndër të tjera në vizitën e armatës prej balte me famë botërore. Kancelarja gjermane do të shoqërohet nga një delegacion përfaqësuesish të lartë nga ekonomia.

Gjermania i përshtatet tregut kinez

Gjermanët e kanë kuptuar se për çfarë kemi nevojë, shkruan revista kineze "Java e Ekonomisë". Makina elektrike, teknikë për mjedisin, dhe natyrisht produket e nevojshme për to. Për këtë arsye ka investuar fabrika e produkteve kimike Budenheim para dy vitesh në Shangai. Sot një nga klientët tanë është prodhuesi më i madh kinez i çelikut, Baosteel, thotë drejtori i uzinës, Qian Min: "Ne prodhojmë mjete mbrotje nga flakët pa halogjen. Në pjesën më të madhe të vendeve aziatike vazhdojnë të përdoren mjete me përmbajtje halogjeni (si fluor, klor, brom, jod). Por kjo është shumë e dëmshme për mjedisin. Për ne është e rëndësishme të prodhojmë pa halogjen. Kjo mbron mjedisin, dhe ky është një treg në rritje edhe në Kinë. Megjithë konkurrencën e fortë ne kemi shanse të mira."

Çelik për Kinën - prodhime të Baosteel.
Çelik për Kinën - prodhime të Baosteel.Fotografi: AP

Gjermania - partneri i katërt i rëndësishëm për Kinën

Ashtu si ekonomia gjermane në përgjithësi: Kina është partneri më i rëndësishëm i Gjermanisë në Azi. Për kinezët Gjermania është pas Japonisë, SHBA-së dhe Koresë së Jugut, partneri i katërt më i rëndësishëm. Në vitin 2009 volumi i tregtisë shënoi plot 92 miliardë euro, me një tepricë kineze prej 20 miliardë eurosh, por me një treg të qendrueshëm për makineritë dhe automjetet gjermane. Në tremujorin e parë, tregtia e Gjermanisë me Kinën është rritur me 34%. Ambicia e kinezëve është shansi ynë, thotë Stefan Schröder, përfaqësues i industrisë së aviacionit në Saksoninë e Poshtme:"Për ne është veçanërisht e rëndësishme që Kina gjatë dhjetë viteve të ardhshme do të jetë qendra e dytë më e madhe në botë e aviacionit civil. Ne në Saksoninë e Poshtme kemi një numër firmash të mesme që mund të livrojnë komponentët për këta avionë. Kjo për ne në Saksoninë e Poshtme shihet jo si një detyrë e landit, por si detyrë kombëtare. Ne punojmë ngushtë me sektorin e teknikës së Lufthansës ku kemi edhe një akademi kualifikimi dhe merremi intensivisht me studimin e tregut kinez."

CHINA_AIRBUS_SUPERJUMBO_BEJ.jpg
Fotografi: AP

Politika në ndihmë të ekonomisë

Kancelarja gjermane do të shoqërohet nga delegacion përfaqësuesish të rangut të lartë nga ekonomia. Sipas informacioneve të medieve në të do të jenë kryetari i bordit të Airbus Thomas Enders, shefi i BASF-it Jürgen Hambrecht, shefi i Siemens-it Peter Löscher dhe shefi i Volkswagenit, Martin Winterkorn. Volkswageni njoftoi në prag të vizitës edhe ndërtimin e fabrikës së njëmbëdhjetë në Kinë, ku vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit ka shitur plot një milion makina.

Panairi i automjeteve në Shangai - VW Polo.
Panairi i automjeteve në Shangai - VW Polo.Fotografi: AP

Vizitat e politikanëve si ndihmë - këtë kryeministri i ri i Saksonisë së Poshtme David McAllister e përjetoi vetë në Kinë jo më larg se një javë më parë: "Deri në vitin 2012 në rrugët e Kinës do të lëvizin rreth 500.000 automjete me motor elektrik. Qeveria kineze synon ta stimulojë blerjen e automjeteve të tilla. Por deri tani ekzistonte rreziku se kjo do të bëhej vetëm për ofruesit kinezë. Tani Volkswageni ka marrë premtimin se mbështetja vlen edhe për prodhuesit e huaj, përsa kohë ata punojnë në Kinë dhe prodhojnë atje. Këtë Volkswageni e bën."

Por megjithë shanset Kina nuk është një vend i lehtë. Ende hasim mjaft vështirësi në qasjen në treg, thotë Ioana Kraft, drejtore e dhomës gjermane të tregtisë në Shangai: "Sa i takon tenderave publikë shohim se sipërmarrjet evropiane janë të kufizuara në pjesëmarrje. Por ato janë edhe sipërmarrje kineze në kuptimin që paguajnë këtu taksa dhe punësojnë njerëz. Shpresoj që këto tema të gjejnë vend në bisedime."

Dhoma evropiane e tregtisë shpreson në bisedimet e kancelares gjermane Merkel me kryeministrin Wen Jiabao, për eliminimin e problemeve të tilla.

Autor: Astrid Freyeisen / Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi