Shans i ri për Irlandën e Veriut | Evropa | DW | 11.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shans i ri për Irlandën e Veriut

Larg terrorit, drejt një të ardhmeje demokratike? Deri në fund të nëntorit Irlanda e Veriut ka kohë për të risjellë në jetë parlamentin e saj rajonal. Të mërkurën më 11 tetor fillon një takim tre ditor përgatitor i nivelit të lartë

Kryeministri irlandez Berti Ahern dhe ai britanik Tony Blair

Kryeministri irlandez Berti Ahern dhe ai britanik Tony Blair

Përpjekje për të rigjallëruar parlamentin irlandezo-verior ka patur shpesh. Por bisedimet e së mërkurës më 11 tetor kanë gjasat më të mira për të sjellë fryte. Nën drejtimin e kryeministrit britanik Tony Blair dhe atij irlandez Berti Ahern takohen në St.Andrewn skocez politikanë irlandezo-veriorë për të negociuar mbi krijimin e një koalicioni qeveritar. Shanset që të arrihet një marrëveshje janë më të mira se kurrë më parë.

Ushtria irlandeze heq dorë nga dhuna

Deri tani ishin në rradhë të parë terrori dhe dhuna e IRA-s që bllokonin bisedimet me pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara. Por ushtria republikane irlandeze ka kohë që nuk qëllon më. Plot një vit më parë ajo deklaroi se ishte e gatshme të hiqte dorë nga dhuna, të shkatërronte armët e saj dhe të shpërndante rrjetin e saj terrorist që vepronte në ilegalitet. Dhe IRA e ka mbajtur fjalën.

Këtë e vërteton dhe një raport i pavarur hetimor rezultatet e të cilit u publikuan javën e shkuar. Në të thuhet: terrori i IRAS ka marrë fund një herë e mirë, makineria paramilitare e luftës së saj është shkatërruar. Për kryeministrin Tony Blair kjo është arsye për shpresë që të kapërcehet edhe konflikti në përgjithësi: "Fushata e IRA-s ka marrë fund. Tani mbizotëron konsensusi mes gjithë aktorëve politikë që ndryshimet në Irlandën e Veriut të mos arrihen më me dhunë por me bindje reciproke. Kështu është hapur dera për afrim të mëtejshëm."

Edhe kryeministri irlandez Berti Ahern ka përshëndetur rezultatet e komisionit. Unionistët demokratë nën drejtimin e priftit Ian Paisley e kanë vlerësuar si hap përpara rezultatin e raportit hetimor. Në të njëjtën kohë partia më e madhe protestante e Irlandës së Veriut polemizon me aftësinë e IRA-s dhe krahut të saj politik Sinn Fein për të marrë pjesë në proçesin politik të vendit. Vetëm kur partia Sinn Fein të përkrahë plotësisht policinë dhe drejtësinë pranon 80-vjeçari Paisley pajtimin me të. Kështu ky personazh merr një pozicion kyç, mendon Jonathan Moore, ekspert për Irlandën e Veriut në Universitetin Metropolitan të Londrës: "Për unionistët tani ka dy mundësi. Ose të pranojnë bisedimet ose të vendosin kushte të reja. Ne e dimë që partia është e përçarë në këtë pikë. Nga njëra anë qëndron krahu fshataro-fetar i cili refuzon kategorikisht Sinn Fein-in. Nga ana tjetër janë pragmatikët e qyteteve të cilët duan pushtet dhe negociata. Pra vendimin e ka në dorë njeriu në krye. Ian Paisley duhet të vendosë."

Deri më 24 nëntor koalicion qeveritar

Në maj të këtij viti Londra dhe Dublini rimblodhën sërish parlamentin e pezulluar deri në atë kohë dhe u dhanë një ultimatum të gjitha partive të përfaqësuara në të. Të arrihet ngritja e një koalicioni qeveritar deri në 24 nëntor ose ndryshe provinca do të mbetet nën sundimin britanik. Kështu ky është dhe shansi i fundit ka tërhequr vërejtjen kryeministri Tony Blair: "Ky është një shans unik dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjitha palët e interesuara. Ky shans duhet shfrytëzuar për t'i ofruar popullit një të ardhme të mbështetur mbi demokraci dhe paqe ku politikanët të respektojnë mendimin e njëri-tjetrit."

Hendekët e vjetër u mbyllën që në fillim të javës kur Ian Paisley i unionistëve protestantë u ul për herë të parë në një tavolinë me Sean Bready-n, liderin shpirtëror të katolikëve. Një tjetër hap sinjalizues në prag të bisedimeve për Irlandën e Veriut, u tha. Por skeptikët nuk mungojnë. Shumë shpesh në të kaluarën pozicionet kanë qenë të papajtueshme. Konflikti mes shumicës protestante dhe pakicës katolike në Irlandën e Veriut është i ngulitur shumë thellë dhe gjatë 30 viteve të fundit u ka kushtuar jetën rreth 3.600 njerëzve.

  • Data 11.10.2006
  • Autor Silke Engel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9z
  • Data 11.10.2006
  • Autor Silke Engel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9z