Shërbimi i detyruar ushtarak model i vjetëruar | Gjermania | DW | 28.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shërbimi i detyruar ushtarak model i vjetëruar

Në Europë pjesa më e madhe e vendeve mbështeten në ushtritë e përbëra nga vullnetarë

Ushtarë të Bundesverit në Afganistan

Ushtarë të Bundesverit në Afganistan

Bundesveri gjerman do të mbetet edhe vitet e ardhshme një ushtri e bazuar në shërbimin e detyruar ushtarak. Kështu është vendosur nga socialdemokratët dhe unioni kristiandemokrat-kristian social përpara përfundimit të negociatave për koalicionin qeverisës. Megjithë kritikën në rritje ndaj shërbimit të detyruar ushatarak Gjermania i kundërvihet kështu me vetëdije tendencës në Europë. Në shumë vende shërbimi i detyruar ushtarak disa mujor nuk egziston më, kështu ka ndodhur në Spanjë, Hollandë dhe Francë. Por eksperienca e vendeve fqinje tregon se ushtritë e ngritura me profesionistë të paguar u kushtojnë qeverive shumë durim dhe fonde.

Kur numri i atyre që thërriteshin për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak zbriti në një të tretën e të rinjve, hollandezëve iu sosi përfundimisht durimi dhe në 1996 vendosën të mos thërrisnin më asnjë për këtë shërbim. Përveç mungesës së drejtësisë në procedurën e thirrjes së ushtarëve ushtria hollandeze kishte edhe dobësi të tjera: ushtarët që kryenin shërbimin e detyruar mund të dërgoheshin në misione jashtë vendit vetëm nëse ishin dakort dhe kishin të drejtë ta kthenin regjistrimin deri ditën e nisjes. Kjo situatë nuk i përshtatej një ushtrie moderne të aftë për ndërhyrje të shpejta, konstatoi qeveria në Hagë. Por kur filloi kërkimi për ushtarë vullnetarë për ushtrinë e re profesioniste gjithçka u bë e qartë tregon ish shefi i përgjithshëm i shtabit të ushtrisë hollandeze Henk van den Bremen: "U bë e qartë se rekrutimi i ushtarëve në fillim ishte shumë i vështirë."
Paga relativisht e ulët ishte një nga arsyet për ngurimin e hollandezëve tregu i punës së të cilëve është thuajse i pacënuar nga kriza. Kush është ai që do të vinte në rrezik jetën si tankist i paguar keq? Për t'i paguar si duhej ushtarët qeveria e reduktoi ushtrinë në 50.000 vetë dhe vuri në dispozicion më shumë para për personelin.
Nga shpresa se një ushtri profesioniste do të ishte më e lirë iu desh të hiqnin dorë edhe francezëve të cilët në vitin 2001 liruan nga kazermat të rinjtë e fundit që kryenin shërbimin e detyruar. Me rritjen e profesionalizimit u shtuan edhe pretendimet e ushtarëve për pagat. Ish shefi i përgjithshëm francez i shtabit Zhak Lanksade thotë: "Per ne nuk ishte problem gjetja e ushtarëve por kostot e një ushtrie profesioniste. M.q.s. ne i kishim nënvleftësuar kostot e personelit tani kemi vështirësi me planin tonë të furnizimit me armë dhe pajisje ushtarake."
Megjithëse si rregull ushtritë profesioniste janë ndjeshëm më të vogla ato janë po aq të shtrenjta për taksapaguesit sa dhe ushtritë që mbështeten në shërbimin e detyruar ushtarak. Angazhimi i ushtrive profesioniste në misione jashtë vendit është megjithatë më i lehtë por një ushtri e tillë ka nevojë për një sistem kualifikimi krejt të ndryshëm nga një ushtri tradicionale. Ish shefi i përgjithshëm i shtabit të ushtrisë britanike Peter Inge kujton kalimin nga ushtria tradicionale në atë profesioniste në Britaninë e Madhe në fillim të viteve '60: "Ne ngritëm jo vetëm një sistem të rafinuar rekrutimi por edhe një sistem shumë të mirë por shumë të shtrenjtë kualifikimi. Ne hapëm akademi profesionale ushtarake në të cilat kualifikoheshin teknikë, centralistë dhe mekanikë që nga mosha 15 vjeçare. Në këto akademi ata merrnin një kualifikim shumë mirë të dyfishtë: profesional dhe ushtarak."
Ushtria britanike e cila ka arritur caqet e kapaciteteve të saj për shkak të luftës në Irak dhe misioneve të tjera të ndryshme jashtë vendit, po transformohet aktualisht në një trupë më mobile dhe fleksibile. Spektri i detyrave të ushtrive europiane shkon nga ndërhyrjet e shpejta me trupa speciale dhe ndihma humanitare në të gjithë botën, deri në luftën kundër kërcënimeve terroriste. Ushtarët profesionistë mund t'i përballojnë më mirë se ushtarët e shërbimit të detyruar këto detyra tepër të veçanta por egziston edhe rreziku që një ushtri profesioniste të largohet nga shoqëria nëse ushtarët perceptohen vetëm si luftëtarë të paguar mirë. "Unë mendoj kështu: ushtria britanike respektohet në fakt nga shoqëria por ka si të thuash një rol dytësor, është kthyer në një grup që gjendet në skaj të shoqërisë. Mendoj se do të ishte diçka shumë e rrezikshme nëse ky perceptim do të forcohet më tej", kështu shprehet ish shefi i përgjithshëm i shtabit të ushtrisë britanike Peter Inge.

  • Data 28.10.2005
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2S
  • Data 28.10.2005
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2S