1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët mbyllin të gjitha dyqanet në veri të Kosovës

Bekim Shehu
2 Korrik 2019

Serbët në veri mbyllën dyqanet në shenjë proteste kundër taksës së vendosur nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë. Qeveria e Kosovës si kundërpërgjigje në veri hapi pika të vogla shitëse me mallra kosovare.

https://p.dw.com/p/3LRAL
Kosovo Nord-Mitrovica
Fotografi: DW/J. Djukic Pejic

Në veriun e Kosovës e banuar me shumicë serbe të hënën me (01.07) u mbyllën të gjitha dyqanet ushqimore, barnatoret dhe pompat e benzinës. E gjithë kjo në shenjë proteste kundër taksës së vendosur nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë, se në veri të Kosovës ka mungesë të ushqimeve bazike dhe e gjithë kjo për shkak të taksës, duke e paraqitur gjendjen në veri në prag të "të krizës humanitare”.

Njëri nga përfaqësuesit e Shoqatës së Afaristëve nga veriu i Kosovës, Radosh Petroviq, tha për mediet lokale në veri se, "shitoret u mbyllën për shkak të taksës dhe pamundësisë së biznesmenëve nga veriu i Kosovës për t'u marrë me aktivitetet e tyre”.

Qeveria e Kosovës reagon

I menjëhershëm ishte reagimi i qeverisë së Kosovës ndaj situatës së krijuar në veri. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në veri do të hapen pika shitëse në bashkëpunim me bizneset kosovare, në mënyrë që qytetarët serbë të veriut të mbrohen nga Beogradi. "Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit, mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, shkroi në profilin e tij kryeministri Haradinaj, duke njoftuar për aksionin e hapjes së pikave shitëse në veri.  

Kosovo Primierminister Ramush Haradinaj
Fotografi: Reuters/H. Reka

Haradinaj bëri të ditur, se "në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit në Republikën e Kosovës dhe pas konsultave me të gjitha institucionet përkatëse, kemi organizuar hapjen e pikave të përkohshme shitëse me pakicë në veriun e vendit. Ky aksion, i kordinuar dhe planifikuar, ka për qëllim ofrimin e të gjitha produkteve elementare për banorët e asaj ane”. Asnjë qytetar nuk do të jetë "viktimë e luftës speciale që orkestrohet nga agjentë të jashtëm”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Reagime ka pasur edhe nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. "Ajo që po ndodh në pjesën veriore të vendit nuk mund të quhet krizë humanitare”, tha ai. "Krizë humanitare nuk ka në Kosovë. Mund të ketë improvizim dhe tendenca të Serbisë, për t'i paraqitur si viktimë qytetarët serbë në veri të Kosovës. Prandaj, është shumë me rëndësi që e gjithë bota demokratike e njeh dhe e kupton realitetin, siç është edhe në veri dhe ky pretendim i ri i Serbisë është i dështuar”, tha në reagimin e tij, Presidenti Thaçi.

Reagime nga Serbia

Që nga vendosja e taksës 100% nga qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë, sipas ministrit serb të Tregtisë dhe Industrisë Rasim Lajiq, Serbia ka humbur shumë.  "228 milionë më pak mallra nga Serbia janë dërguar në Kosovë që nga nëntori i vitit të shkuar e deri në fund të këtij muaji. Çmimi i mallrave në Kosovë është rritur me 5.3 për qind. Vetëm kontrabanduesit kanë përfituar nga kjo situatë ”, ka thënë ministri Lajiq.

Serben Protest Zoll Kosovo
Protesta të serbëve në veriun e Kosovës kundër doganave 100% për mallrat serbeFotografi: DW/J. Djukic-Pejic

Por, nga ana tjetër ministri  i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Endrit Shala, thotë se zbatimi i taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë, përveç efekteve politike në ndëshkim të qëndrimeve lobuese  të Serbisë kundër Kosovës, taksa ka prodhuar edhe efekte ekonomike sidomos te industria e prodhimit vendor, por ai nuk jep shifra.

Sidoqoftë, aktiviteti diplomatik i Serbisë kundër Kosovës dhe si kundërpërgjigje e kësaj, vendosja e taksës nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë, janë dy faktorët që bënë që tash e disa muaj të ndërpritet dialogu Kosovë-Serbi. Shkak i këtyre zhvillimeve u anulua edhe takimi i Parisit (vazhdimësi e Samitit të Berlinit), që duhej të mbahej më 1 korrik në Paris.