1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët e zhgënjyer me marrëveshjen për vulat

3 Shtator 2011

Marrëveshja e Brukselit për vulat doganore të Kosovës ka shkaktuar reagime kontradiktore tek serbët. Opozita e cilësonë këtë vendim si një hap tjetër të Beogradit drejt humbjes përfundimtare të Kosovës.

https://p.dw.com/p/12SVp
Veriu i Kosovës.
Serbët e veriut kundër marrëveshjesFotografi: DW

Përfaqësuesit e partive në pushtet e kanë mbështetur marrëveshjen e arritur në Bruksel me shpjegimin se edhe më tej respekton integritetin territorial të Serbisë. Por ndryshe mendojnë përfaqësuesit e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës. Ata thonë se "do të vazhdojnë luftën që ky vendim të mos futet kurrë në fuqi", në pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Serbët do të vazhdojnë luftën e tyre

Udhëheqësi i institucioneve serbe në veri të Mitrovicës, Radenko Nedeljkoviq tha se vendimi i Beogradit duhet të kuptohet në kontekstin e përpjekjeve për afrim me BE-në. "Serbët në veri nuk do të pranojnë doganierët  shqiptarë", theksoi ai. Me tone të ngjashme janë shprehur edhe përfaqësuesit e komunave serbe në Leposaviq dhe Zubin Potok. Kryetari i komunës paralele serbe në Zubin Potok Sllavisha Ristiq tha se "ky është edhe një mashtrim tjetër i Beogradit", sepse njohja e këtyre vulave do të thotë "vulë e dorëzimit të Kosovës".

"Kapitullimi i Serbisë"

Serbët në barrikada.
Sërish protesta?!Fotografi: DW

Ish shefi i delegacionit serb në negociatat e Vjenës, Sllobodan Samarxhiq nga Partia Demokratike Serbe e Vojisllav Koshtunicës, tha se "delegaconi serb ka kapitulluar në Bruksel".

"Njohja e vulave të doganave kosovare me siguri që do të thotë se pikëkalimet e deritanishme administrative do të shndërrohen në pikëkalime doganore, nën kontrollin e shqiptarëve. Serbia ka bërë edhe një hap shumë të rëndësishëm drejt heqjes dorë nga Kosova", theksoi Samarxhiq.

Sa i përket aspiratave të Beogradit për anëtarësim në BE, ai mendon se Serbia ndoshta do të fitojë statusin e kandidatit, por ky status është "sikur futesh në një rend pritjesh të përhershme për anëtarësim".

Kryetari i liberalëve Çedomir Jovanoviq mendon ndryshe. Ai tha se vendimi për njohjen e vulave ka kuptim, vetëm në qoftë se përfundimisht vendoset një pikë në politikë e gabuar serbe ndaj Kosovës.

"Udhëheqja e tanishme e Serbisë nuk është fajtore për humbjen e Kosovës. Ajo është humbur para 12 vitesh. Por udhëheqja e tanishme do të jetë përgjegjëse nëse humb perspektivën evropiane", tha Jovanoviq. Ai u angazhua për implementimin e plotë të planit të Ahtisarit, i cili serbëve u mundëson të kenë sistemin shkollor, shëndetësor, organet juridike dhe të kenë një ndikim të madh në sferën politike, ekonomike dhe kulturore.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani