Serbia paralajmëron masa kundër Kosovës | Ballkani | DW | 21.11.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia paralajmëron masa kundër Kosovës

Autoritetet e Serbisë kanë reaguar me moskuptim të plotë ndaj vendimeve të qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksave 100% ndaj mallrave të Serbisë. Serbia paralajmëron kundërmasa.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vendosur që menjëherë të kërkojë takim me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë, si dhe ambasadorët e shteteve të kuintit në Beograd, pas vendimit për ngritjen e taksave nga ana e qeverisë së Kosovës ndaj mallrave të Serbisë nga 10 në 100 %. Në grupin e kuintit bëjnë pjesë: Gjermania, SHBA, Britania e madhe, Franca dhe Italia.

Presidenti i Serbisë Vuçiq kërkon që këto taksa të hiqen. Sipas tij, këto vendime janë shkelje e rëndë e rregullave të Ceftas. Presidenti serb tha sot se "dialogu ka edhe rregulla, sepse duhet respektuar pala tjetër. Ne po presim që pala tjetër të kryejë punët e saj dhe të vendoset në anën e civilizimit. Kur ta bëjnë këtë, dialogu do të vazhdojë menjëherë", tha Vuçiq.

Ljajiq: Kjo është bllokadë totale

Vendimi i qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksave është quajtur nga mediat serbe "skandaloz" dhe në kundërshtim të plotë me rregullat e Ceftas. Sipas tyre, kjo masë do të shtojë edhe më shumë tensionet në rajon. Përfaqësuesit e Listës serbe në Parlamentin e Kosovës kanë kërkuar mbrojtje nga shteti i Serbisë. Kryetari i Listës Rakiq tha se masa është e drejtuar kundër serbëve të Kosovës, por "ata dijnë të mbrohen edhe vetë". Ndërsa nënkryetari i qeverisë serbe, ministri për Tregti Rasim Ljajiq u shpreh se ky vendim i qeverisë në Prishtinë paraqet një hap drejt ndërprerjes së marrëdhënieve tregtare mes Kosovës dhe Serbisë. "Ky është një vendim politik që do të ketë pasoja të mëdha negative", tha Ljajiq. Ai mendon se pasojat e rënda do të jenë në radhë të parë ekonomike. "Kjo do të thotë ndërprerje definitive e çdo lloj tregtie mes Kosovës dhe Serbisë qendrore", tha Ljajiq duke shtuar se "asnjë prodhues në Serbi nuk mund të jetë konkurrues me këtë nivel të taksave dhe doganave".

Shumica e mediave dhe analistëve në Begrad janë të mendimit se vendimi për ngritjen e taksave është pasojë e zhvillimeve të fundit politike dhe një lloj "hakmarrjeje e Kosovës", pas dështimit të kërkesës për anëtarësim në Interpol.

Mbrojta e interesave

Qeveria e Kosovës ka kumtuar se vendimi është marrë për të mbrojtur interesat ekonomike dhe politike të vendit, në kohën kur Serbia po përpiqet me të gjitha mjetet të bllokojë Kosovën në të gjitha fushat ndërkombëtare. Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se ata nuk mund të veprojnë ndryshe, në kohën kur Serbia bllokon Kosovën. Sipas tij, autoritetet në Kosovë janë të përgatitura për zëvendësimin e mallrave me origjinë nga Serbia.

Reklamë