Serbia kandidate për anëtarësim në BE
1 Mars 2012Serbia bëhet kandidate për anëtarësim në BE. Menjëherë para fillimit të samitit të BE-së të enjten (01.03.2012) në Bruksel Rumania hoqi dorë nga kundërshtimi i saj kundër afrimit të Serbisë me BE-në. Beogradi kishte pranuar më parë kërkesën rumune për pakicën vllehe. Agjencia rumune e lajmeve Mediafax njoftoi se të enjten Serbia miratoi një marrëveshje serbo-rumune për mbrojtjen e pakicave. Një zëdhënës i partisë rumune në pushtet përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes në Bruksel. Me këtë marrëveshje u kapërcye pengesa e fundit për Serbinë. Që ajo të bëhet kandidate për pranim në BE, duhet të votojnë të gjitha shtetet e BE.
Pengesën e shkaktoi të martën në Bruksel ministri i Jashtëm rumun Cristian Diaconescu, si për habi dhe për inat të homologëve të tij evropianë. Diaconescu kërkoi garanci për pakicat, që jetojnë në Serbi, ndër ta edhe vllehtë. Disa dhjetëra mijëra anëtarë të pakicës etnike nuk e konsiderojnë veten aspak rumunë, u tha.
Pengesa e vërtetë në rrugën e Serbisë drejt Evropës ishte për kohë të gjatë konflikti me Kosovën. Në bisedimet e javës së fundit dy kundërshtarët ranë dakord për kontrolle të përbashkëta kufitare dhe për prezantimin e Kosovës në konferencat rajonale. «Kjo ishte një pikë kthese në rrugën drejt BE-së», tha e ngarkuara e BE-në për politikën e Jashtme, Catherine Ashton.
Kështu për negociatat e anëtarësimit ndërmjet BE-së dhe Serbisë nuk ka më pengesë. Ende nuk ka një datë për fillimin e këtij procesi disavjeçar. Kosova mund të afrohet me BE-në përmes një „marrëveshjeje stabilizimi dhe asociimi“ për t'u bërë „kandidate e mundshme“ për anëtarësim. Komisioni i BE-së do ta shqyrtojë këtë mundësi.
Autor: DPA / A. Verbica
Redaktoi: V Filaj-Ballvora