1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia kërkon nga Franca ekstradimin e Ramush Haradinajt

Bekim Shehu
5 Janar 2017

Ramush Haradinaj pritet (05.01) të dalë para organeve të drejtësisë franceze. Ai u arrestua (04.01) në Aeroportin Bazel / Mulhousen nga policia franceze në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

https://p.dw.com/p/2VKoR
Ramush Haradinaj
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pritet të dalë (05.01)para një gjykate franceze, njoftoi avokati i tij Arianit Koci. Haradinaj u arrestua në mbrëmjen e së mërkurës(04.01) në Aeroportin Bazel / Mulhouse nga policia franceze në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, detajet e të cilit nuk bëhen të njohura. Avokati i Zotit Haradinaj, beson që "Haradinaj shumë shpejt do të lirohet edhe pse sipas tij, Serbia është aktivizuar duke dërguar argumente shtesë për ta zvarritur procesin".

"Serbia po mundohet të zvarrisë procesin duke dërguar argumente shtesë për Haradinajn, por kjo nuk do të ndodhë pasi, pafajësia për të gjitha akuzat ndaj Haradinajt është vërtetuar dy herë në Gjykatën e Hagës", u ka thënë medieve lokale Arianit Koci.

Mediet serbe shkruajnë se Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi, ka mbledhur prova shtesë në funksion të plotësimit të akuzave ndaj liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kreu i prokurorisë serbe për krime lufte, Milan Petroviq, siç raportojnë mediet në Serbi, "është i kënaqur me faktin që fletë-arrestimet e lëshuara nga Serbia po zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian".

Ish-kryeministri i Kosovës Haradinaj është përgjegjës për një sërë krimesh lufte gjatë viteve 1998 dhe 1999, deklaroi kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç (05.01) në Beograd. BE-ja insiston Serbinë si vend kandidat, që të respektojë proceset e shtetit ligjor, tha Vuçiç. Tani do të shohim, nëse edhe Franca do ta bëjë këtë, shprehet ai më tej.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e kanë cilësuar të papranueshëm arrestimin e Ramush Haradinajt nga policia franceze në bazë të një urdhër-arresti i lëshuar nga Serbia në vitin 2004. Notat verbale përmes ambasadës së Kosovës në Paris tashmë u janë dorëzuar autoriteteve franceze, prej të cilave kërkohet lirimi sa më të shpejtë të zotit Haradinaj.

Qeveria e Kosovës, në reagimin e saj, thotë se "të gjitha ministritë kompetente të saj po angazhohen me prioritet për sqarimin e shpejtë të rrethanave të ndalimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e aktakuzave të paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë".

Në të njëjtën linjë shprehet edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se "ndalimi i zotit Haradinaj është i dënueshëm dhe i papranueshëm në çdo rrafsh dhe në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhër-arresti të shtetit të Serbisë" , shkroi Presidenti Thaçi në rrjetin social facebook.

Edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se "ndalimi i Ramush Haradinajt, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, është i papranueshëm".  Ramush Haradinaj sipas tij, duhet të lirohet sa më parë dhe raste të tilla thotë ai, nuk duhet të përsëriten më.

Partia AAK, të cilën e udhëheq Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si një "veprim krejtësisht të padrejtë dhe të papranueshëm" arrestimin e kryetarit të saj, ndërkohë, i ka kërkuar qeverisë së Kosovës që të ndërmarë masa dhe të ndërpres çdo komunikim me Serbinë. Kosova dhe Serbia tash e pesë vjet zhvillojnë dialog për përmirësimin e marrëdhënieve.

"U bëjmë thirrje autoriteteve franceze që t'i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhër-arresteve të paligjshme të Serbisë. I kërkojmë Qeverisë së Kosovës, të ndërpres çdo komunikim me Serbinë deri sa ajo të mos i tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër personaliteteve të Kosovës", thuhet në reagimin e AAK-së.

Ministrja për Dialog ne qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha për mediet lokale, se "Kosova duhet të aplikojë masa reciprociteti me Serbinë dhe ato mund të zbatohen në Kosovë për personat e kërkuar nga Serbia, të cilët dyshohen për përfshirje dhe kryerje të krimeve të luftës në Kosovë".

Për ndalimin e Zotit Haradinaj nga autoritet franceze në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë, ka reaguar edhe kryetari i parlamentit të Shqipërisë Ilir Meta. Ai thotë se "ky veprim është i pakuptimtë, i papranueshëm dhe nuk ndihmon frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit", ndërsa u bën thirrje autoriteteve franceze dhe atyre të Bashkimit Evropian për ta zgjidhur këtë incident, për të qartësuar qëndrimin e tyre lidhur më këtë rast dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, duke thënë se "ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë, bazuar në një urdhër- arrest të vitit 2004 të lëshuar nga Serbia, është i dënueshëm, kur dihet botërisht se drejtësia ndërkombëtare e ka çliruar atë nga të gjitha akuzat", shkruan shefi i diplomacisë shqiptare në facebook. Bushati i bën thirrje autoriteteve franceze, siç thotë "një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn".

Sidoqoftë, nuk është hera e parë që Ramush Haradinaj, arrestohet në bazë të fletarresteve të lëshuara nga Serbia e që zbatohet nga Interpoli. Në qershor të vitit 2015 Haradinaj u arrestua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, kur po kthehej nga një vizitë zyrtare nga Gjermania. Kosova nuk është pjesë e Interpolit, mirëpo, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, vazhdimisht kanë kërkuar nga Interpoli që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Ramush Haradinaj, ishte kryeministër i Kosovës në vitin 2005. Pas ngritjes së aktakuzës nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe u dorëzua vullnetarisht në Hagë. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij po në Tribunalin e Hagës dhe në vitin 2012, Ramush Haradinaj serish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte. Ramush Haradinaj ishte njëri nga komandantët e ish-UÇK-së për rajonin e Dokagjinit. Pas luftës ai ishte themelues i subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo të cilën e udhëheq edhe sot.