1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia fajëson Unmikun dhe Kforin për situatën në Mitrovicë

Bahri Cani17 Mars 2008

Pala serbe pohon se përgjegjësinë për shkallëzimin e dhunës në veri të Mitrovicës e mbanë faktori ndërkombëtar. Kërkohet lirimi i të arrestuarve dhe paralajmërohet nga rreziku u keqpërdorimit të serbëve të Kosovës.

https://p.dw.com/p/DQIS
Policia në MitrovicëFotografi: AP


Burimet serbe thonë se situata në Mitrovicë është e qetë, por mjaft e tendosur. Qindra serbë kanë vazhduar protestat, edhe pas tërheqjes së policisë ndërkombëtare dhe ndërprerjes së konflikteve. Ministri serb, Sllobodan Samarxhiq u premtoi demonstruesve në Mitrovicë se "Serbia do t'i mbrojë serbët e Kosovës". Ai akuzoi ndërkombëtarët për mungesë durimi dhe shkallëzimin e gjendjes, duke shtuar se Serbia do të insistojë në sqarimin e plotë të situatës.

"Do të rezistojmë si njerëz, si shtet dhe të krishterë. Duhet të merremi vesh dhe të vazhdojmë protestat e qeta. Para gjykatës do të presim deri në lirimin e të gjithë të arrestuarve", tha Samarxhiq.

Sekretari i shtetit në ministrinë për Kosovë, Dushan Prorokoviq e quajti ndërhyrjen e Unmikut dhe Kforit një "aksion brutal kundër serbëve të paarmatosur". Ndërsa ministri i drejtësisë, Dushan Petroviq ka kërkuar prej shefit të Unmikut, Joachim Rücker lirimin e serbëve të arrestuar.

Kryeministri në detyrë, Vojisllav Koshtunica kritikoi ashpër Unmikun dhe Kforin, të cilëve u ka dërguar edhe një notë proteste. "Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare ka vendosur që kundër Serbisë të përdorë politikën e dhunës, dhe atë pikërisht në përvjetorin e trazirave të 17 marsit", theksoi Koshtunica, duke shtuar se ka nisur këshillimet me Rusinë, për një reagim të përbashkët.

Presidenti Boris Tadiq kumtoi se "reagimi kaq i ashpër dhe përdorimi i dhunës së tepërt në përvjetorin e katërt të një prej pogromeve më të mëdha të popullit serb, mund të çojë deri tek shkallëzimi i dhunës në mbarë Kosovën."

Tadiq kërkoi prej serbëve në Kosovë që të mos provokojnë përdorimin e dhunës prej ndërkombëtarëve. Gjatë protestave në Mitrovicës, demonstruesit disa herë brohorisnin edhe kundër presidentit Tadiq, që për analistët serbë është dëshmi i mjaftueshme se Kosova sërish do të keqpërdoret për qëllime elektorale.

Analisti ushtarak, Aleksandar Radiq fajësoi "bllokun patriotik" në Beograd, për nxitjen e agresivitetit dhe dhunës kundër faktorit ndërkombëtar në Kosovë. "Mbështetja e demonstruesve nuk është e mirë dhe mund të çojë deri tek spirala e dhunës dhe jo gjetja e zgjidhjes", theksoi Radiq. Edhe kryetari i forumit për raporte etnike, Dushan Janjiq ka bërë thirrje për qetësimin e situatës, me fjalët se "ky është një provim historik për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe synojnë paqën, stabilitetin, bashkëpunimin dhe sigurinë në Ballkanin perëndimor."