1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbi: politika si burim i pasurimit të shpejtë

Ivica Petroviq5 Shkurt 2016

Një në tre deputet në Serbi ka ndërruar disa parti politike. Ka dhe deputetë që kanë ndryshuar pesë parti. Po cilat janë arsyet?

https://p.dw.com/p/1HqFh
Serbien Parlament von Belgrad
Fotografi: dapd

Kalimi i deputetëve nga një parti në tjetrën ka një traditë të gjatë në Serbi - që prej futjes së sistemit shumëpartiak, në fund të viteve '80-të. Më së shumti kalime ka në nivelin lokal, ku politikanët që kalojnë nga një subjekt politik tek tjetri ndryshojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve. Por ka dhe shumë raste kalimesh në nivelin e republikës.

Më së shumti politikanë që kanë qenë në ndonjë parti tjetër ka në Partinë Përparimtare Serbe (SNS), të kryeministrit Aleksandar Vuçiq. Shumë deputetë të kësaj partie (gjithsej 50) kanë qenë më parë në Partinë Radikale Serbe. Tek radikalët kanë qenë edhe vet Vuçiq dhe presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq. Në SNS ka dhe ish-anëtarë të Partisë Demokratike, Partisë Demokratike të Serbisë, Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe dhe Partisë Socialiste. Kryetarja e parlamentit Maja Gojkoviq ka ndërruar pesë parti politike.

Politikanët pa bindje janë politikanë të papjekur

Politikanë që ndërrojnë partitë politike nuk kanë bindjet e tyre, thotë profesori i Shkencave politike, Çedomir Çupiq. "Këta persona e shohin politikën si një burim të pasurimit të shpejtë. Nga ana tjetër, këta persona tregojnë një papjekuri, sepse ata nuk kanë ndonjë ideologji të caktuar politike. Por kjo do të thotë se edhe zgjedhësit nuk janë të vetëdijshëm për dallimet dhe nuk janë të arsimuar sa duhet politikisht.“

Kjo dëshmon edhe mungesën e integritetit të partive politika, paralajmëron Zoran Gavriloviq, nga Zyra për Studime Shoqërore (BIRODI). „Sondazhet tona tregojnë se përkatësia partiake varet vetëm nga libreza e anëtarësisë dhe jo nga bindjet politike. Nuk ekziston asnjë test për këto bindje apo për integritetin personal të këtyre njerëzve. Partitë shumë rrallë i largojnë personat që shkelin rregullat, sepse ato duan të kenë sa më shumë anëtarë. E gjitha kjo është edhe një dëshmi tjetër për korrupsion të madh në shoqëri.“

Partitë nuk garantojnë demokraci

Gavrilloviq pohon se kjo gjendje nuk garanton demokraci, por është një mekanizëm për mbrojtjen e këtyre personave nga proceset gjyqësore. "Kësaj i shtohen edhe mundësitë e tyre për zhvillimin e biznesit personal, gjë që ndikon edhe në humbjen e vullnetit të qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhje.“ Për shumë vite me radhë kalimet kanë qenë vetëm personale, por kohët e fundit ka pasur edhe kalime të degëve të partive në nivelin lokal. Numri më i madh i tyre po kalon në partinë SNS, të Vuçiqit. Çupiq pohon se kjo është pasojë e varfërisë në nivelin lokal, ku njerëzit mendojnë se në këtë mënyrë do të përmirësojnë gjendjen e tyre materiale. Ata shkojnë pra me fituesin, me shpresë se do t'u ofrojë diçka“.

Mungesa e vetëdijes politike

Zoran Gavrilloviq mendon se edhe qytetarët kanë një "nivel të ulët të vetëdijes politike". "Ndaj ata kanë nevojë për një lider politik, i cili do t'u thotë se si duhet të sillen dhe të punojnë. Në këtë mënyrë humbet edhe kuptimi dhe legjitimiteti i sistemit shumëpartiak. Ndërsa një nga zgjidhjet mund të jetë, futja e arsimimit politik në shkolla. Një zgjidhje tjetër do të ishte që mediat të mos shndërrohen në mjete për propagandë, pro të ndikojnë edhe në ekukimin politik të qytetarëve.“

Për demokraci janë të domosdoshme dy parakushte: siguria sociale dhe kultura politike. Në Serbi kemi rreth 90 % të njerëzve që jetojnë në varfëri, ndërsa 30% jetojnë në mjerim. Ndërsa 0,5% e njerëzve po pasurohet në mënyrë marramendëse. Në këto kushte nuk mund të ketë demokraci, sepse njerëzit e pasuruar në mënyrë të paligjshme kanë investuar në parti politike dhe i bashkohen atij që fiton në zgjedhje. Njerëzit i shohin këto dhe thonë: politika nuk më intereson fare, sepse ata gjithësesi nesër do të kalojnë në ndonjë parti tjetër“, shpjegon Çupiq. Sipas tij, duhen ashpërsuar ligjet edhe për kalimtarët nga një parti në tjetrën, sepse "vetëm normat morale, me siguri që nuk mjaftojnë.“