Serbët e Kosovës ftohen në referendumin për kushtetutën e re të Serbisë | Ballkani | DW | 09.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët e Kosovës ftohen në referendumin për kushtetutën e re të Serbisë

Përfaqësuesit serb të Kosovës kanë ftuar qytetarët serbë që të marrin pjesë në referendimin për Kushtetutën e re të Serbisë që do të mbahet më 28 dhe 29 tetor. Ndërkohë, subjektet politike në Luginën e Preshevës ftojnë qytetarët shqiptar në Serbi ta bojkotojnë referendumin.

Prishtina

Prishtina

Udhëheqësit e këshillit kombëtar të serbëve të Kosovës, kanë ftuar bashkëqytetarët e tyre në Kosovë që të marrin pjesë dhe të votojnë në referendumin për Kushtetutën e re të Serbisë që do të mbahet më 28 dhe 29 tetor të këtij viti. Udhëheqësit serb thonë se, ky qëndrim forcon themelet e shtetit dhe vërteton se Kosova është pjesë e Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në një fjalim drejtuar qytetarëve thotë se, forcat politike në Beograd, po luajnë një lojë destruktive në procesin e zgjidhjes së statusit, me kartën e zgjedhjeve parlamentare dhe referendumit për kushtetutën.

"Këto manovra politike synojnë diskreditimin e mandatit të presidentit Ahtisari, katalizimin e divergjencave brenda bashkësisë ndërkombëtare, degradimin e procesit të bisedimeve dhe më në fund destabilizimin e Kosovës. Kjo strategji është e rrezikshme dhe duhet ndalur", thotë kryeministri Çeku.

Kryeministri Çeku thotë se se Serbia duhet të jetë më realiste dhe të pranojë faktin se vetëm pavarësia e Kosovës e ndihmon demokratizimin e saj dhe heqja e Kosovës nga agjenda politike do t'i ndihmonte Serbisë të përqëndrohej në problemet e shumta që i mundojnë qytetarët dhe më në fund, do të trasonte rrugën për integrimin evropian.

Të gjitha këto elemente, sipas kryeministrit Çeku, e bëjnë procesin nëpër të cilin po kalon Kosova jashtëzakonisht delikat dhe të ndërlikuar. Mirëpo, ai sqaron se qëndrimi i palës kosovare është përmbyllja e statusit final të Kosovës brenda këtij viti. Sidoqoftë, derisa udhëheqësit e serbëve të Kosovës ftojnë bashkëqytetarët e tyre që të marrin pjesë në referendimin për kushtetutën e re të Serbisë, subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës kanë bërë thirrje për bojkotimin e referendumit.

Liderët e partive shqiptare thonë se projekt-kushtetuta serbe është përpjekje e pushtetit serb që me metoda destruktive, të pengojë procesin e zgjidhjes së statusit final të Kosovës si dhe problemin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

  • Data 09.10.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arby
  • Data 09.10.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arby
Reklamë