Serbët akuzojnë bashkësinë ndërkombëtare si aleate të Kosovës | Ballkani | DW | 02.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbët akuzojnë bashkësinë ndërkombëtare si aleate të Kosovës

Sot në pjesën veriore të Mitrovicës, disa mijëra serb zhvilluan një protestë kundër procesit për statusin e Kosovës, duke e quajtur pavarësinë të papranueshme

Kfori në Mitrovicë

Kfori në Mitrovicë

Disa mijëra pjesëtarë të komunitetit serb, protestuan në qytetin e Mitrovicës, duke kundërshtuar një vendim të policisë ndërkombëtare për rihapjen e urës qëndrore mbi lumin Ibër që ndodhi javën e shkuar. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kërkojnë që për shkaqe sigurie ura mbi lumin Ibër që ndan qytetin në dy pjesë të mbyllet deri në përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.

Protesta e zhvilluar për mbylljen e urës u shndërrua në protestë të serbëve kundër pavarësisë së Kosovës dhe me akuza kundër bashkësisë ndërkombëtare e cilësuar si aleate e Kosovës. Marko Jakshiq, njëri nga udhëheqësit e Këshillit kombëtar Serb për veriun e Kosovës, bisedimet e Vjenës i cilësoi të dështuara për faktin që sipas tij, bashkësia ndërkombëtare në këto bisedime nuk është ndërmjetësuese, por aleate e Kosovës. Ai kundërshtoi procesin e decentralizimit sidomos, mënyrën se si është diskutuar në Vjenë, ndërsa, tha se serbët nuk do të heqin dorë nga bashkimi i pjesës veriore të Mitrovicës me komunën e Zveçanit.

Nëse na e kanë rrëmbyer Prishtinën, nëse na kanë përzënë nga Prishtina, atëherë kemi të drejtë që kjo pjesë të jetë qendra jonë shpirtërore dhe politike, tha Marko Jakshiq. Ndërkohë, dekani i Fakultetit Filozofik në Mitrovicë, Dragi Malikoviq tha se serbët e Kosovës nuk do ta pranojnë atë që ofron kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, por sipas tij, Beogradi do të jetë qendra e mendimeve dhe shpresave të serbëve të Kosovës.

Kosova e pavarur e Marti Ahtisarit dhe Agim Çekut, për serbët është vetëm faza fillestare e formimit të Shqipërisë së madhe dhe ne nuk duam të jetojmë në një shtet të tillë, tha Dragi Malikoviq. Oratorët serb në këtë protestë iu drejtuan shqiptarëve që ta pranojnë realitetin, duke thënë se në Kombet e Bashkuara do të valojë vetëm flamuri i Serbisë për të shënjuar territorin e Kosovës.

Ata i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të sigurojë paqen në këto hapësira dhe të sigurojnë respektimin e normave dhe standardeve ndërkombëtare dhe që njëkohësisht të mos e lejojnë ndarjen e Serbisë duke e bërë Kosovën të pavarur. Përfaqësuesit e serbëve kërkuan nga qytetarët serb të Kosovës që të jenë unik, ndërsa nga Beogradi kërkuan që ta mbrojë popullin e tij.

Protesta disa orëshe e serbëve që u zhvillua në pjesën veriore të Mitrovicës kaloi e qetë duke u vëzhguar nga afër nga qindra policë ndërkombëtare dhe forca paqeruajtëse.

  • Data 02.10.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArcA
  • Data 02.10.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArcA
Reklamë