1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët e veriut të Mitrovicës nuk lejojnë ndërtimin e ujësjellësit në Veri

Bekim Shehu/Prishtinë18 Korrik 2008

Punimet e një ujësjellësi për fshatrat shqiptare që shtrihen në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë ngritur tensionet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Për pasojë, ka pasur edhe përleshje fizike.

https://p.dw.com/p/EejY
Ura e Kosovës në Mitrovicë
Ura e Kosovës në MitrovicëFotografi: DW/Sand

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, është i vendosur që t'i përfundojë punimet e një ujësjellësi për fshatrat shqiptare që shtrihen në pjesën veriore të Mitrovicës, pavarësisht nga kundërshtimi i serbëve dhe vendimi i UNMIK-ut, për ritenderim të këtij projekti. Punimet për shtrirjen e këtij ujësjellësi kanë ngritur tensionet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në veri dhe për këtë është dashur ndërhyrja e administratës së Kombeve të Bashkuara. Shef i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri (Zannieri), ka vlerësuar se rasti i këtij ujësjellësi është politizuar pa nevojë dhe për këtë shkak ai ka urdhëruar që menaxhimin e punëve ta marrë në dorë UNMIK-u.

Por, kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, nuk pajtohet me këtë vendim të UNMIK-ut dhe shprehet se punët duhet të përfundojnë sipas dinamikës që kishte caktuar vetë komuna.

"Është vendim i komunës së Mitrovicës që ky projekt të përfundojë. Në kemi pasur kontakte me shefin e UNMIK-ut dhe komandantin e KFOR-it dhe nga ta kemi kërkuar që të japin premtimet e sigurta që ky projekt do të realizohet", thotë Bajrëm Rexhepi.

Krerët e qeverisë së Kosovës, nga ana e tyre thonë se është komuna e Mitrovicës ajo që duhet të zgjidhë problemet, mirëpo megjithatë ata shprehen në favor që ky problem të zgjidhet me dialog. Hajredin Kuçi, është zëvendëskryeministër.

"ky problem nuk duhet kuptuar si raport konflikti ndërmjet komunës dhe UNMIK-ut. Unë, mendoj se nevojat e qytetarëve nuk mund të bllokohen për shkak të tensionimit, por duhet gjetur zgjidhja më e mirë, në radhë të parë për qytetarët, por edhe që mos të ketë tensionim të raporteve ndëretnike", thotë Hajredin Kuçi.

Sidoqoftë, situata e sigurisë në veri të Mitrovicës, ka muaj që paraqitet e qetë, mirëpo tensionet vazhdojnë të jenë të larta që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe kundërshtimit që i është bërë nga serbët. Këta të fundit thonë se leja për çfarëdo punimesh në pjesën veriore duhet të merret nga kuvendi komunal i serbëve, i formuar ditë më parë si strukturë paralele dhe që i përgjigjet vetëm qeverisë së Serbisë. Këto struktura paralele janë të jashtëligjshme për institucionet e Kosovës dhe autoritet kosovare thonë se nuk do të ketë bashkëpunim me to.