Selenskyi kërkon zgjedhje parlamentare në Ukrainë | Bota | DW | 20.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Selenskyi kërkon zgjedhje parlamentare në Ukrainë

Ish-komediani i televizionit Volodimir Selenskyi mori funksionet zyrtare nga ish-presidenti Petro Poroshenko në Kiev. Si një akt të parë zyrtar ai njoftoi shpërbërjen e parlamentit.

Në një seancë solemne të Parlamentit në Kiev Volodimir Selenskyi bëri betimin si president. Më pas ai njoftoi se do ta shpërndajë parlamentin dhe se brenda dy muajve do të mbahen zgjedhje të reja. Nëse ai i ka kompetencat për ta filluar këtë proces, nga ana ligjore është e diskutueshme. Selenskyi nuk ka shumicë në dhomat e Parlamentit. Prandaj, në prag të zgjedhjeve, qe parashikuar se do të mbaheshin zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Paqja në Donbass - detyrë prioritare

Si detyrë të tij kryesore Selenskyi quajti fundin e luftës në lindje të vendit. Për paqen në Donbass ai ishte i gatshëm të merrte edhe vendime jopopullore dhe të sakrifikonte popullaritetin e tij, tha ai i shoqëruar nga duartrokitje. Në të njëjtën kohë Selensky kritikoi qeverinë e paraardhësit të tij Petro Poroshenko. Sipas tij, ajo nuk bëri asgjë për t'i bërë njerëzit në Donbass të ndiheshin si ukrainas. Një pjesë të fjalimit të tij ai e mbajti në rusisht. Ish-aktori theksoi se do të bënte gjithçka për ta rikthyer gadishullin e Detit të Zi Krime, të aneksuar nga Rusia. Ai tha se nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë nga territore të Ukrainës.

Në dallim nga tradita, Selenskyi nuk udhëtoi me një autokolonë për në parlament, por eci nëpër një park, ku ishin mbledhur qindra vetë. I rrethuar nga katër truproja, ai takoi duart me disa të pranishëm dhe bëri fotografi me mbështetësit e tij.

Të pranishëm ishin gjithashtu disa mysafirë shtetërorë të huaj. Gjermania u përfaqësua nga ish-presidenti i Gjermanisë Christian Wulff. Sipas mediave të Ukrainës, përfaqësuesit e Rusisë nuk qenë të ftuar. Me zgjedhjen e Selenskyit u u ushqyen shpresa që marrëdhëniet me Rusinë mund të çtensionohen. Por në fundjavë, presidenti i ri e bëri të qartë se një normalizim i marrëdhënieve do të jetë i mundur vetëm atëherë kur gadishulli i Krimesë dhe Donbasi nuk do të jenë më të pushtuar. Rusia e aneksoi Krimemë pesë vjet më parë - BE dhe SHBA e kategorizojnë këtë si akt në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Prandaj Ukraina e sheh veten në luftë me Moskën.

Paraardhësi i tij Petro Poroshenko e paralajmëroi pasardhësin e tij para betimit që të ruajë vazhdimësinë në politikën e jashtme. Është shumë "e rëndësishme që presidenti i ri të tregohet i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë dhe që t'u përmbahet parimeve që kemi krijuar gjatë pesë viteve të fundit," tha Poroshenko për gazetën "Die Welt". Ai u shpreh i bindur se solidariteti evropian me Ukrainën do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve evropiane - për aq kohë sa Ukraina të mos bëjë gabime.

Selenski doli si komedian në skenë deri në maj 2018

Poroshenko kujtoi faktin se sipas sondazheve të fundit, 69 për qind e ukrainasve dhe 80 për qind e atyre që votuan janë në favor të integrimit evropian të Ukrainës. Po aq e lartë është edhe mbështetja për pranimin në NATO të vendit. "Përfytyroni, Ukraina është sot kombi më optimist për Evropën në kontinent - kjo megjithë çmimin e lartë që duhet të paguajë për të," tha Poroshenko. Ish-presidenti emëroi pas humbjes së tij elektorale ende gjykatës në Gjykatën e Lartë dhe dha poste e medalje.

Selenskyi i fitoi në mënyrë të qartë zgjedhjet e balotazhit në prill kundër Poroshenkos. 41-vjeçari është i ri në politikë: Deri tani, ai njihej kryesisht për serinë e tij politike satirike "Shërbëtor i Popullit" - ky titull është edhe emri i partisë së tij. Në këtë seri, Selenskyi luajti një mësues, i cili u ngatërrua pa dashje në politikë dhe u bë president i Ukrainës, për të luftuar kundër korrupsionit. Ajo përfundon që mësuesi shmang një katastrofë financiare për Ukrainën dhe bashkon vendin.

cvo/sti (dpa, afp)