1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, viziton Kinën

Xiegong Fischer19 Shkurt 2009

Sekretarja amerikane e Shtetit, Clinton, pritet për një vizitë zyrtare në Kinë nga 20 deri më 22 shkurt. Ky është stacioni i fundit i turit të saj në Azi dhe njëkohësisht vizita e saj e parë në këtë funksion në Kinë.

https://p.dw.com/p/GxIh
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Rodham Clinton, duke biseduar me të rinjtë indonezianë. Xhakartë më 18 shkurt 2009Fotografi: AP


Hillary Clinton nuk është emër i panjohur në Kinë. Shumica e kinezëve e njohin atë si 'zonjën e parë' të dikurshme amerikane. Si kandidate në fushatën brendapartiake të demokratëve për zgjedhjet presidenciale, për zonjën Clinton është folur shumë në Kinë. Mediat kineze informojnë shumë për mençurinë e saj politike.


Tani sekretarja amerikane e shtetit ndodhet në Azi në vizitën e saj të parë jashtë shtetit. Deri tani ka qenë zakon që shefat e sapozgjedhur të diplomacisë amerikane të vizitojnë fillimisht aleatët amerikan. Profesori Vang Feiling nga shkolla Sam Nunn për çështje ndërkombëtare në Institutin e Teknologjisë në Xhorxhia beson që administrata e Obamës dëshiron të përçojë një mesazh me vizitën e Klintonit në Azi. "Kjo tregon që administrata e Obamës i kushton shumë rëndësi marrëdhënieve me shtetet aziatike. Po ashtu kjo mund të interpretohet edhe si përpjekje e Obamës për të vendosur një barazpeshë në politikën e jashtme amerikane. Azia luan pa dyshim një rol të rëndësishëm në politikën botërore".


Para nisjes për në Azi, Hillary Clinton mbajti të premten e kaluar fjalimin e saj të parë mbi politikën e jashtme. Ajo theksoi se në kohën e krizës globale financiare dhe ekonomike Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan para së gjithash të thellojnë bashkëpunimin ekonomik me Kinën. Përveç kësaj si prioritete të politikës së jashtme ajo ka përmendur edhe mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e energjisë së ripërtrishme si dhe luftën kundër piraterisë në Kepin e Afrikës.


Ndërkaq lidhur me çështjen bërthamore të Koresë së Veriut, Clinton e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për ndërmjetësimin dhe mbështetjen e Pekinit zyrtar. Njëkohësisht ajo foli për 'raporte të mira me Kinën pavarësisht nga divergjencat'.


Profesori Li Cheng, shkencëtar dhe drejtues në Institutin 'Brooking' dhe ekspert i marrëdhënieve amerikano-kineze sheh në vizitën e Clintonit në Kinë një kthesë të mundshme në politikën amerikane ndaj Kinës: "Kina është për Shtetet e Bashkuara të Amerikës një partner i rëndësishëm në të gjitha pikëpamjet. Clintoni tha në fjalimin e saj, se Kina nuk është armik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja dhe Kina janë motorrët më të mëdhenj të ekonomisë botërore. Duke pasur parasysh krizën ekonomike për këto dy vende ka prioritet bashkëpunimi. Vetëm kështu këto dy vende mund të tejkalojnë krizën dhe të rigjallërojnë ekonominë botërore. Po ashtu edhe në rrafshin ushtarak potenciali i bashkëpunimit është shumë i madh. Ka vetëm një pikë, në të cilën Kina dhe SHBA-ja nuk mund të pajtohen, mendoj këtu për çështjen e të drejtave të njeriut, përkatësisht çështjen e Tibetit".

(EA/VFB)