Seanca dëgjimi në Parlamentin Europian për kandidatët e rinj për Komisionin e BE-së. | Evropa | DW | 14.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Seanca dëgjimi në Parlamentin Europian për kandidatët e rinj për Komisionin e BE-së.

Më 1 maj BE do të zgjerohet me 10 vende e njëkohësisht me 10 komisarë të rinj. Vendet e reja anëtare kanë caktuar të gjitha politikanë të shquar për instancën drejtuese evropiane por ata duhet të kalojnë edhe disa "pengesa prove" përpara se të emërohen përfundimisht në postin e ri. Në to bën pjesë edhe interpelanca përpara Parlamentit Europian.

Parlamenti Evropian në Bruksel

Parlamenti Evropian në Bruksel

Duke nisur nga 30 maji 30 komisarë do të përcaktojnë fatet e politikës europiane. Njëzet anëtarëve aktualë të kësaj instance të BE-së në Bruksel do t'i shtohen edhe dhjetë të rinj,një për secilin vend të ri anëtar. Më parë komisarëve të rinj të caktuar nga qeveritë e vendeve përkatëse, tre gra dhe shtatë burra, do t'iu duhet të kalojnë disa pengesa. Emërimi i tyre do të miratohet me votën e shumicës si në këshillin e BE-së ashtu edhe në parlamentin europian.
Për këtë në parlament do të zhvillohen sipas modelit të ShBA seanca dëgjimi. Plot një orë e gjysmë është planifikuar për këtë për secilin prej kandidatëve.
Por deputetët europianë vështirë se do të mund të gjejnë argumenta profesionalë për refuzimin e kandidaturave, pasi qeveritë e anëtarëve të rinj kanë përzgjedhur pa përjashtim politikanë të lartë për postin në Bruksel. Me estonin Siim Kallas në rradhën e tyre është madje edhe një ish-kryeministër. Letonia, Malta, Polonia dhe Sllovenia kanë dërguar ministra të jashtëm dhe të çështjeve evropiane, Lituania dhe Qipro ministrat e tyre të financave.
Shumica e kandidatëve mund të dëshmojnë edhe përvojë të mjaftueshme në parketin evropian. Si negociatorë në marrëveshjet për anëtarësim, si përfaqësues të përhershëm të vendit të tyre pranë BE-së apo si anëtarë të Kuvendit për kushtetutën evropiane. Shembullore është karriera e kandidates polake Danuta Hübner. Ekonomistja 56-vjeçare ka drejtuar fillimisht komisionin qeveritar për integrim evropian dhe bëri atëherë emër si kryenegociatore jo e lehtë për t'u kënaqur në proçesin e anëtarësimit të vendit të saj. Më pas ajo u emërua ministre për Evropën dhe përfaqësoi Poloninë në Kuvendin Evropian.

Kështu pyetjet e parlamentarëve evropianë do të kenë të bëjnë vetëm me përfytyrimet për postin nga secili prej kandidatëve për komisarë. Sipas konventës së BE-së komisarët caktohen nga shtetet respektive të BE-së por në Bruksel prej tyre kërkohet një kënd vështrimi që i kapërcen kufijtë nacionalë. Pikëpamje si ato që përfaqëson kandidati hungarez Peter Balazs pritet të jenë muzikë për veshët e parlamentarëve evropianë:"Para së gjithash komisarët nuk përfaqësojnë interesa kombëtarë. Ata punojnë për një qëllim të vetëm, për Evropën për Bashkimin Evropian."

Por pyetje me nota kritike ka mundësi të vijnë nga parlamentarë përsa i përket karrierës politike të Balazs. 62-vjeçari ka patur në vitet '80 funksionin e këshilltarit tregtar në ambasadën hungareze në Bruksel. Fraksioni konservator kristiandemokrat në parlamentin evropian ka njoftuar se do të refuzojë ata kandidatë për të cilët mund të dëshmohen gabime në qëndrim në periudhën post-komuniste.

Pasi të jenë konfirmuar, nëntë komisarët do të kenë të drejtë të plotë vote por asnjërit prej tyre nuk do t'i caktohet një fushë e veçantë përgjegjësie. Kjo pasi nëntorin e ardhshëm përfundon mandati i Komisionit aktual. Komisarët e rinj do të shfrytëzojnë këtë kohë për t'u familjarizuar me procedurat e gjigandit burokratik në Bruksel në krah të komisarëve me përvojë.

  • Data 14.04.2004
  • Autor Martin Bohne
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHf
  • Data 14.04.2004
  • Autor Martin Bohne
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHf